“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si të qetësoj dhimbjet e gjymtyrëve?
Përgjigjet mjeku: Sëmundjet reumatizmale shfaqin shqetësime të shpeshta shëndetësore, që prekin kryesisht moshat e rritura, por nuk mungon përhapja e tyre as te rinjtë. Sikundër ndodh me shumë sëmundje të tjera, trajtimi i hershëm i simptomave reumatizmale, luan një rol të rëndësishëm në kontrollimin dhe shmangien e dhimbjeve të gjymtyrëve, por dhe në deformimin e kockave.
Dieta ushqimore mund të jetë ilaçi më i mirë në shumë raste. Ajo çfarë hamë ndikon drejtpërdrejt në shëndetin tonë dhe shumë herë mund ta përmirësojë apo ta keqësojë atë. Ushqimet e mëposhtme janë metoda natyrale për të qetësuar dhimbjet e kyçeve.
Vaji i ullirit ekstra i virgjër
Hulumtuesit shkencorë nga Universiteti i Katanias në Itali kanë kryer një eksperiment me vajin e ullirit tek disa minj që kishin probleme me gjymtyrët. Ata e shtuan vajin e ullirit në dietën ushqimore të minjve. Pas 8 javësh, ata panë që minjtë të cilët u ushqyen me vaj ulliri kishin nivele më të larta të lubrikinës, një proteinë kjo që mbron kockat dhe shërben si një lubrifikant, krahasuar me kafshët e tjera që u ushqyen me një dietë standarde.
Nëse edhe ju keni probleme me gjymtyrët, përdorni gjithmonë vaj ulliri tek sallata, pastat, supat me perime etj.
Portokaj – Këto fruta janë gjithashtu shumë të mira në rastet e sëmundjes së artritit. Ato përmbajnë një flavonoid të quajtur nobiletin, i cili ndihmon për lehtësimin e dhimbjeve të gjymtyrëve.
Peshku salmon – Ky peshk është i pasur me acide yndyrore omega 3. Studime të ndryshme kanë treguar se këto lëndë ushqyese janë shumë të mira për uljen e inflamacionit dhe lehtësimin e dhimbjeve të shkaktuara nga artriti.
Shafrani i Indisë – Gjatë një studimi të kryer tek disa pacientë që vuanin nga artriti, u pa se Shafrani i Indisë ishte po aq efikas për lehtësimin e dhimbjeve sa mjekimi me ilaçin ibuprofen. Kjo ndodh sepse Shafrani i Indisë është një burim i pasur i antioksiduesit të quajtur kurkumin, i cili ul inflamacionin tek kockat.
Shtoni Shafran Indie tek orizi, sallata, fasulet etj që të mos keni më dhimbje tek gjymtyrët.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.