“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Në këto temperatura të larta, si mund të mbrojmë nishanet nga dielli?
Përgjigjet mjeku: Ekspozimi në diell është një nga faktorët e rrezikut për të gjitha llojet e kancerit të lëkurës duke përfshirë edhe melanomën, reduktimi i ekspozimit diellor është një mënyrë e lehtë për të ulur rrezikun e kancerit të lëkurës.
Aplikoni kremra me faktor mbrojtës nga 30-50 SPF në të gjithë lëkurën që ekspozohet në diell, rivendosen kremin mbrojtës çdo 2 orë nëse jeni në plazh edhe në ditë që ka re, dhe pas notit dhe nëse djersiteni shumë.
Vishni veshje mbrojtëse, mbani syze dhe kapele me strehë të madhe.
Kërkoni gjithmonë hijet për të qëndruar apo pushuar, ecni gjithmonë nën hijen e pemëve apo të ndërtesave.
Mbroni fëmijët nga ekspozimi në diell duke i lënë të luajnë në hije duke përdorur rroba mbrojtëse dhe duke aplikuar kremra mbrojtës nga rrezatimi diellor.
Tregohuni të kujdesshëm afër rërës, ujit, madje dhe borës në dimër sepse ato reflektojnë rrezatimin diellor dhe rrisin shanset e djegies së lëkurës.
Merrni vitaminën D duke përdorur një dietë të shëndetshme, mjaftojnë 10-15 minuta në ditë rrezatim që ju të ndihmoni trupin tuaj në sintetizimin e Vitaminës D, qëndrimi në diell me orë të tëra duke justifikuar sintetizim e Vitaminës D është mjaft i gabuar.
Shmangni sa më shumë ekspozimin nëpër qendra estetike me solar artificial, disa vende janë duke e ndaluar me ligj përdorimin e solarit artificial.
Nëse doni të dukeni të nxirë më mirë aplikoni kremra me ngjyrë ( self – tanning product) se sa të ekspozoheni në diell dhe me solar artificial.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.