“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: Si trajtohet koksartroza me ndërhyrje kirurgjikale?
Përgjigjet mjeku: Ndërhyrja kirurgjikale për trajtimin e koksartrozës kryhet nga ortopedi. Operacioni që kryhet quhet zëvendësimi i artikulacionit koksofemoral me një protezë të brendshme (endoprotezë). Kjo ndërhyrje pakëson dhimbjen dhe përmirëson cilësinë e jetës te shumë pacientë. Zëvendësimi i artikulacionit koksofemoral me ndërhyrje kirurgjikale tashmë kryhet prej pesë dekadash me rezultate përgjithësisht të shkëlqyera.
Operacioni për zëvendësimin e artikulacionit koksofemoral është konsideruar nga shumë njerëz si operacioni më i rëndësishëm i shekullit të njëzetë përsa i përket vuajtjes njerëzore që ai ka lehtësuar.
Pacientët i nënshtrohet këtij operacioni kur të gjitha masat e tjera kanë dështuar të përmirësojnë dhimbjen e tyre.
Në thelb operacioni për zëvendësimin e artikulacionit koksofemoral përfshin heqjen e atyre pjesëve të artikulacionit (kërcit dhe kockës) që janë të dëmtuara nga sëmundja e koksartrozës dhe që shkaktojnë dhimbje, dhe zëvendësimi i tyre me komponentë artificialë që përbëhen nga aliazhe të ndryshme metalike të cilët luajnë rolin e një artikulacioni artificial.
Zakonisht pacientët qëndrojnë 3 deri në 5 ditë në spital pas ndërhyrjes dhe më pas do të ecin me ndihmën e patericave për 3 deri në 6 javë. Pas kësaj periudhe shumica e pacientëve do të ecin lirisht, pa dhimbje dhe pa ndihmën e patericave.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.