MENU
klinika

Ngjarja e panjohur e ish-ministrit Balluku

Takimi i fshehtë me Titon dhe refuzimi i ofertës nga ai…

11.08.2020 - 13:35

       Publikohet historia e panjohur e Beqir Ballukut, ish-ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”. Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes, ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim, e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.

“Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të “piramidës” së lartë të PPSH-së, me njerëz të veçantë brenda rradhëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si tradhëtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Pleniumin e Pestë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak. Në fund të atij Pleniumi ai u përjashtua dhe u shkarëkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi. Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithëshka që kishte ngjarë në atë Plenium, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij. Në thelb të atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne pjestarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhëtar dhe nuk e kishte tradhëtuar asnjëherë Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vëndi do e dërgonin. Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për për herë të parë Beqiri u shpreh hapur kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithshka thuhej në adresë të tij ishte e manipuluar”.

Dëshmon për Memorie.al, Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë/kryeministërit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet Shehut, i cili rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i konsideruar si një prej udhëheqësve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili u pushkatua në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen, e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon.

Kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që i’u bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Pleniumin e pestë që u mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore? Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Çfarë i kërkoi sekretari i partisë i Radio-Televizionit Shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?

Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i “Puçit Ushtarak” që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri. Si më i madh i familjes Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve ‘90-të. Nisur nga ky fakt dhe për t’u njohur akoma dhe më shumë me anën e panjohur të figurës së Beqir Ballukut dhe familjes së tij, në vazhdën e dhjetra shkrimeve të kësaj natyre që kanë gjetur vënd në faqet e Memorie.al, ne i’u drejtuam për një intervistë të gjatë zotit Çlirim Balluku, të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.

Vijon nga numri kaluar:

Zoti Çlirim, është thënë se Beqir Balluku deri në vitin 1974, ka qenë njeriu më i besuar i Enver Hoxhës, dhe ajo gjë lidhej me faktin sepse ai e ka shpëtuar dy herë Enverin. Rasti i parë bën fjalë për vitin 1948 kur Josif Broz Tito i kërkoi Beqirit që të firmoste urdhërin për pranimin e futjen e dy divizioneve ushtarake jugosllave brenda kufirit tonë në zonën e Korçës, gjë të cilën Beqiri e refuzoi. Ndërsa rasti i dytë bën fjalë për vitin 1960 kur Shqipëria po i prishte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Një nga anëtarët e Byrosë Politike të asaj kohe, ka dëshmuar për Memorie.al duke thënë se në atë kohë që Enveri, Hysniu, Mehmeti, Kadriu dhe Ramizi ndodheshin në Moskë, atasheu ushtarak sovjetik që ishte në Tiranë, në pije e sipër e provokoi Beqirin duke i thënë: “Si thua, t’i lëmë jashtë ata të katërt dhe t’i japim ty çelsat e Shqipërisë”? Dhe insinuatës tepër të qartë të diplomatit ushtarak sovjetik, Beqiri i’u përgjigj i prerë: “Po t’ju ndodhi gjë atyre të pestëve që ndodhen në Moskë, unë me dorën time do t’i var në Sheshin “Skënderbej” të 5000 rusët që janë në Shqipëri”. A keni dijeni ju dhe si qëndron e vërteta për këto dy ngjarje?

Mund të them se për këto dy ngjarje kam dëgjuar natyrshëm në momente të veçanta nga persona të ndryshëm, (jo të rangut të udhëheqjes së lartë) të cilët sot pas kaq vitesh nuk mund që t’i përcaktoj qartë dhe me ekzaktësi se kush kanë qenë. Por mendoj se fakti, d.m.th. se kush kanë qenë ata persona që kanë folur në prezencën e babait për ato dy momente historike, ku kanë qenë dhe pjestarë të tjerë të familjes, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Por vija re, se lidhur me historinë e atyre dy ngjarjeve dhe argumentimit të tyre, babait, Beqirit, nuk i pëlqenin të diskutoheshin fare dhe personat që i hapnin bisedat për to, ai i ndërpriste menjëherë duke e kaluar bisedën në çështje të tjera. Natyrisht duke mos qenë i njohur me ato ngjarje, sidomos me atë të vitit 1948, nga kurioziteti i moshës, unë isha i interesuar të mësoja diçka më shumë se ato që kisha dëgjuar nga goja e atyre personave që thashë më lart. Nisur nga kjo që thashë dhe gjithashtu nga personaliteti politik e ndërkombëtar që gëzonte në atë kohë udhëheqësi i Jugosllavisë, Marshalli Josif Broz Tito, unë në koefidencë e pata pyetur babanë, se si qëndronte e vërteta lidhur me atë ngjarje. Dhe përgjigjia e babait ishte kjo që po jua them unë me fjalët e mia, sipas asaj që mbaj mënd nga biseda me të. Gjatë një vizite pune në Beograd, diku aty nga viti 1948 kur babai ishte në funksionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Marshalli Tito e kishte thirrur Beqirin në një takim, jashtë programit të vizitave dhe takimeve të punës që ai kishte parashikur para nisjes nga Shqipëria për në Beograd. Gjatë asaj bisede, pasi kishte shfaqur shqetësimin për një rrezik evident që mund t’i vinte Shqipërisë nga fqinji jugor i saj, Greqia, Josif Broz Tito, i kishte kërkuar Beqirit që ai, me cilësinë e Shefit të Shtatmadhorisë Shqiptare, të firmoste një dokument ku thuhej se ishte dakort për futjen e trupave jugosllave brenda territorit shqiptar. Duhet të kemi parasysh se ky moment, pra kërkimi për firmosjen e atij dokumenti, bën fjalë për atë kohë kur Josif Broz Tito deklarohej dhe konsiderohej si miku më i madh i Shqipërisë.

Cila ishte përgjigjia e Beqir Ballukut lidhur me atë kerkesë që i bëri Josif Broz Tito?

Përgjigjia që i kishte dhënë babai, Titos, ishte kjo: “Shqipëria nuk ka ndonjë rrezik evident që të sulmohet nga Greqia, por edhe sikur të ndodhë kjo, ne jemi vetë në gjëndje që t’i mbrojmë vetë kufijtë tanë me të gjithë arsenalin ushtarak që disponojmë. Por më kryesorja është se unë nuk jam i autorizuar që të firmos një dokument të tillë”. Ndoshta kjo histori për të cilën po flasim, është e lidhur edhe me një ngjarje tjetër të panjohur që ka të bëjë me rrëzimin e avionit ushtarak jugosllav me të cilin po kthehej babai nga Beogradi për në Tiranë pas mbarimit të asaj vizite. Gjatë udhëtimit me atë avion për në Tiranë, piloti jugosllav bëri një ulje të detyruar diku në një arë të punuar në afërsi të Liqenit të Pogradecit. Këtë ndodhi, nëna jonë, Taibja (bashkëshortja e Beqir Ballukut) e kujtonte deri sa ishte gjallë, me frikën që ndjeu në ato momente kur mësoi për ngjarjen që i kishte ndodhur babait me avionin jugosllav.

Po për ngjarjen tjetër, atë të vitit 1960 me atasheun ushtarak sovjetik në Tiranë, ç’mund të na thoni?

Për sa i përket ngjarjes së vitit 1960, atë që bën fjalë lidhur me krizën që kishte përfshirë marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, unë ato i kam të dëgjuara nga të tjerë, si në atë kohë, apo i kam lexuar në shtypin shqiptar të pas viteve ‘90. Lidhur me sa pyetët, mendoj se ka pak rëndësi forma se si i’u përgjigj babai atasheut sovjetik (gjeneralit) në Tiranë, pas provokimit apo sugjerimit që i bëri ai, sepse, rëndësinë më të madhe e ka ka përmbajtja e përgjigjies që i dha Beqiri atij. Por, siç jam shprehur diku më lart gjatë kësaj interviste, desha të shtoj se: duke pasur parasysh impenjimin e madh të babait gjatë atyre ngjarjeve, më kujtohet fare mirë se ne si fëmijë, e ndjenim mungesën e tij në familje.

Po me ushtarakët e tjerë madhorë, ish-gjeneralë e kolonelë të cilët ishin edhe vartësit e tij, çfarë marrëdhëniesh ka pasur Beqiri, kë kishte mikun më të afërt ndër ta dhe a vinin ata në shtëpinë tuaj?

Për këtë është më mirë që të pyseni ish-ushtarakët e lartë, por megjithëatë mund t’ju them se nga takimet e rastësishme që unë kam pasur me ta, nuk ka qenë e vështirë që përnjeherë të ndjeja simpatinë dhe respektin e madh të tyre ndaj tij. Besoj se kjo mjafton që të kuptosh mjaft mirë marrëdhëniet që ka pasur babai me vartësit e tij dhe ish-ushtarakët e tjerë të lartë, ndaj të cilëve ai nuk bënte kurrë dallime dhe i konsideronte të gjithë njëlloj. Por desha të theksoj se Pogradeci mbetej vëndi më i preferuar i babait për pushime.

Ku i kalonte zakonisht pushimet e gjata verore Beqiri dhe familja juaj?

Pushimet verore zakonisht babai me familjen i bënte në plazhet e Pogradecit, Vlorës dhe Durrësit, aty ku i bënin zakonisht edhe ish-funksionarët e tjerë të lartë. Po në një rast të vetëm, para prishjes së marrëdhënieve shtetërore me Bashkimin Sovjetik, babai ynë Beqiri i bëri pushimet familjarisht në Çekosllavaki, sepse ai kishte një miqësi të ngushtë me Ministrin e Mbrojtjes së aij shteti, i cili e ftoi babanë tonë që t’i kalonte atje pushimet bashkë me familjen. Por kjo gjë ishte një përjashtim dhe pas asaj, edhe babai e ftoi homologun e tij çek i cili erdhi në Shqipëri duke i’a kthyer vizitën.

Cilat kanë qenë lojrat dhe argëtimet më të preferuara të Beqir Ballukut dhe me kë luante ai nga personalitetet e tjera të udhëheqjes së lartë?

Për sa i përket lojrave të ndryshme si bilardo, shah, tavëll, apo letra, babai ynë nuk i luante fare sepse nuk i kishte qejf. Në shtëpinë tonë ne nuk kemi pasur fare bilardo dhe as me letra babai nuk luante. Kjo gjë ndodhte ndoshta edhe për arsye kohe, sepse pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte në punë. Babai kishte një regjim ditor po thuaj me një orar strikt. Në ora tetë ai shkonte në zyrë dhe në shtëpi vinte në ora katër, ku pasi hante drekë, shkonte përsëri në punë dhe punonte edhe disa orë të tjera. Atë pak kohë të lirë që i mbetej, babai e kalonte në shtëpi sepse ai ishte shumë i lidhur me familjen. Babai kishte krijuar raporte shumë të afërta me ne fëmijët dhe nuk mbante fare distancë. Ai ishte shumë komunikues dhe mund të bisedoje me të fare lirshëm pa të krijuar asnjë distancë.

Cilët ishin sportet me të preferuara të babait tuaj?

Sportet më të preferuar të tij ishin gjahu, futbolli por edhe noti, sepse babai notonte shumë mirë. Në funksion të periudhave të ndryshme dhe të moshës, ai i ka ushtruar ato dhe më vonë edhe tenisin. Që në vitet e para të pasluftës apo dhe më vonë kur babai ishte më i ri, ai dilte në stadiumin “Dinamo”, apo në ndonjë palestër tjetër dhe luante futboll, kryesisht gjatë mbrëmjeve. Këtë gjë siç thashë e bënte kur ishte i ri. Rrallë here e shoqëronim edhe ne dy çunat, unë me vëllanë tjetër, Ladin, sepse edhe ne që të vegjël ishim të ingranuar me sportet e atletikës dhe futbollit. Po kështu përveç futbollit, babai luante edhe tenis tek Shkolla e Bashkuar e Oficerëve me Petrit Dumen (Shefin e Shtabit të Përgjithshëm) e Abdyl Këllezin (zv/kryeministrin) dhe rrallë ndonjëherë në Klubin “Partizani”.

Është thënë se Beqir Balluku ka qenë një tifoz shumë i madh i “Partizani”-t dhe bënte shumë për atë skuadër që përfaqësonte Ushtrinë Popullore?

Dua t’ju them se dikush që është marrë njëherë me sport, apo që e njeh atë, nuk mund të jetë tifoz. Futbollin ai e njihte që nga koha e të mëdhenjëve Riza Lushta e Naim Kryeziu, të cilët i ka pas njohur personalisht. Gjatë viteve 1960-‘70, babai ka pritur në shtëpi si Loro Boriçin që ishte trainer i ekipit “Partizani”, ashtu dhe Lym Allën që ishte trainer i Tiranës. Natyrisht duke qenë Ministër i Mbrojtjes, ai ishte i interesuar jo vetëm për futbollin, por edhe për të gjitha sportet e tjera të atij klubi sportiv.

Po me muzikën, librat dhe artin në përgjithësi, a ka qenë i lidhur Beqir Balluku?

Babai ka pas lexuar shumë shpesh libra të ndryshëm artistikë e historikë dhe ai e donte shumë artin dhe sidomos muzikën. Ai nuk donte vetëm muzikën e Shqipërisë së Mesme, por kishte preferenca edhe për muzikën operistike italiane dhe kryeveprat e muzikës botërore, të cilat i dëgjonte me vëmëndje të madhe. Ne kemi pasur shumë pllaka të vjetra gramafoni dhe shirtita disqesh me atë lloj muzike që babai i dëgjonte me kënaqësi. Po kështu edhe kur hynë manjetofonët e parë, babai filloi të koleksiononte shumë kaseta, disa nga të cilat i pata regjistruar unë kur punoja në Radio-Televizionin Shqiptar në vitet 1970-‘74.

A ka qenë ndopak liberal babai juaj, apo anonte nga e kundërta, nga konservatorizmi?

Mendoj se për kohën ka qenë liberal. Në atë periudhë kohe kur ne fëmijët ishim në moshë të re dhe në radio apo manjetofona dëgjonim muzikë të huaj, babai nuk na tërhiqte vërejtje dhe nuk na pengonte asnjëherë, kur dihej shumë mirë se ato ishin të ndaluara. Po kështu desha të shtoj se në rrethin tim shoqëror kishte dhe nga ata me biografi “jo të pastër” , të cilët vinin edhe në shtëpinë tonë. Në atë kohë, si mik i imi, në shtëpinë tonë vinte dhe Hans Bekteshi, nipi i Arshi Pipës, por babai asnjëherë nuk më tërhoqi vëmëndje, përkundrazi takohej me përzemërsi me të edhe pse e dinte shumë mirë se kush ishte.

Ju jeni një nga fëmijët e ish-“Bllok”-ut me moshëm më të madhe dhe njëkohësisht jeni martuar më herët se të tjetër. Sa vetë kanë qenë të ftuar në dasmën tuaj dhe kush ka qenë nga personalitet e larta të udhëheqjes komuniste?

Të ftuar në darkat e dasmave tona nuk ka pasur nga personalitet e larta të udhëheqjes, sepse në darka thirren miqtë dhe ata që të kanë ftuar në të tilla gëzime. Dy dasmat tona u bënë ashtu siç bëheshin në popull dhe si bëhen sot. Babai vuante dhe e respektonte traditën shqiptare. Ndërsa për vizitë në shtëpi, natyrisht që patën ardhur dhe personalitetet.

Ka pasur dëshirë babai juaj Beqiri, që të bënte krushqi në “Bllok” dhe a keni pasur ju fëmijët nxitje prej tij në këtë drejtim, pra për t’u lidhur me vajzat e “Bllokut”?

Në këtë aspekt babai nuk na ka ndërhyrë asnjëherë në jetën tonë private dhe e respektonte zgjedhjen tonë. Unë dhe motra ime Drita u lidhëm me njerëz të thjeshtë dhe babait i pëlqeu ajo lidhje.

Historia e panjohur e Beqir Ballukut dhe familjes së tij nga 1945-sa deri në vitin 1974

Detyrën e Komandantit të Qarkut të Tiranës, e cila i’u dha Beqir Ballukut në saj të kontributit të madh që kishte dhënë gjatë Luftës, ai e mbajti deri në në vitin 1946, pasi në atë kohë u transferua nga Tirana duke u emëruar në detyrën e Komandantit të Divizionit të Korçës. Transferimi i Beqir Ballukut në atë detyrë, u bë për arsye se në atë kohë në vëndin fqinjë, në Greqi, ishte intesifikuar lufta civile ndërmjet forcave qeveritare të kryeministrit Caldaris dhe atyre komuniste partizane të udhëhequra nga Niko Zaharjadhis dhe gjenerali Markos Vafjadhis. Si rezultat i asaj lufte civile, kishte trazira edhe në kufirin jug-lindor të Shqipërisë, i cili i’u besua Divizionit të Korçës të komanduar nga kolonel Beqir Balluku dhe komisar, Panajot Plaku. Në atë detyrë, Beqiri qëndroi deri në vitin 1948 dhe në atë kohë ai u thirr në Tiranë për të zëvëndësuar Mehmet Shehun në funksionin e Shefit të Shtatmadhorisë shqiptare, pranë Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë që komandohej nga gjeneral-armate, Enver Hoxha. Në atë kohë, Beqiri së bashku me bashkëshorten e tij, Taibe Kafazi me të cilën ishte martuar që në fundin e vitit 1944, u vendos me banim në një nga vilat e “Bllok”-ut, që ndodhej fare pranë asaj së Enver Hoxhës. Pas emërimit në funksionin e Shefit të Shtatmadhorisë Shqiptare, Beqirit i’u dha edhe grada gjeneral-brigade dhe në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë që u mbajt në nëntorin e vitit 1948, ai u zgjodh edhe anëtar i Komitetit Qëndror të PKSH-së. Funksionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Beqiri e mbajti deri në vitin 1951 kur u dërgua për studime pranë Akademisë Ushtarake “Voroshillov” të Moskës, të cilën ai e mbaroi në vitin 1955. Edhe gjatë kohës që ai ishte me studime në Bashkimin Sovjetik, nuk u zëvëndësua në funksionin e Shefit të Shtatmadhorisë, por vazhdoi ta mbante atë detyrë të lartë, duke u kthyer herë pas here në Shqipëri. Në vitin 1953, pasi kryeministri Enver Hoxha u lirua nga postet e Ministrit të Jashtëm dhe atij të Mbrojtjes, Beqir Balluku u emërua në postin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore. Po kështu në vitin 1953, Beqiri u zgjodh edhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së. Që nga viti 1956, përveç funksionit të Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut i’a dha edhe funksioni i zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, detyra të cilat ai i mbajti deri në 25 korrikun e vitit 1974. Po kështu që nga aderimi i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, gjeneral-kolonel Beqir Balluku, mbajti edhe detyrën e nënkomandantit të atij Traktati, ashtu si të gjithë ministrat e vëndeve të tjera anëtare (të Lindjes Komuniste) që aderonin në atë pakt ushtarak. Që nga viti 1956, Beqir Balluku konsiderohej si njeriu më i afërt dhe më i besuar i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxhës dhe njëkohësisht edhe krahu i djathtë i tij. Nga martesa me zonjën Taibe Kafazi, Beqiri pati gjashtë fëmijë: Çlirimi, (1945) Vladimiri, (1949) Drita,(1950) Agimi, (1952) Lulja, (1954) dhe Agroni (1956). Nga viti 1947 e deri në vitin 1961, Beqir Balluku me familjen e tij ka banuar në disa vila të ndryshme te “Bllok”-ut dhe pas vitit 1961 e deri në vitin 1974, për arsye zgjerimi pasi i’u rritën fëmijët, ata u vendosën në vilën përballë asaj të Enverit (aty ku sot ndodhet “Kafe REX”) Deri në vitin 1974, dy djemtë e mëdhenj të familjes Balluku, Çlirimi dhe Vladimiri, si dhe vjaza e madhe Drita, ishin diplomuar në Universitetin e Tiranës në degët: Inxhinjeri Elektronike, Inxhinjeri Ndërtimi dhe Shkenca Politike ndërsa tre fëmijët e tjerë, Agimi, Lulja dhe Agroni, vazhdonin shkollat e larta apo ato të mesme. Pas mbarimit të studimeve universitare, djali i madh i familjes Balluku, Çlirimi, nga viti 1970 deri në vitin 1974 punoi në Radio-Televizionin Shqiptar, ndërsa Vladimiri në Institutin e Studimeve Ushtarake në Tiranë. Po kështu krahas studimeve, si Çlirimi edhe Vladimiri që në moshë fare të re ishin marrë me sport, duke qenë emra shumë të njohur, në atletikë ku Çlirimi ishte kampion kombëtar në disa gara, dhe në futboll ku Vladimiri aktivzohej si një nga pikat e forta të ekipit të “Partizani”-t. Edhe vetë Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, në ato kohë ka qenë mjaft i njohur si një nga simpatizantët e ekipit të futbollit “Partizani”. Ai kujdesej për t’i krijuar të gjitha kushtet futbollistëve të atij ekipi si dhe grumbullimin e sportistëve cilësorë nga skuadrat e tjera./Memorie.al

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen