MENU
klinika

Analiza: Sa dini për Covid-19?

Të gjitha informacionet dhe këshillat e fundit të mjekësisë për të mbrojtur veten dhe të tjerët

27.08.2020 - 10:55

Shifrat e rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Kosovë vazhdojnë të rriten thekshëm, dhe çdo ditë regjistrohen vdekje të shumta nga sëmundja. Pa marrë parasysh se çfarë kemi dëshirë të besojmë, virusi është i vërtetë dhe thjesht nuk do të largohet në të ardhmen e afërt.

Njëherazi nuk mund të vazhdojmë të mbyllemi plotësisht në shtëpitë tona për gjithë kohën, pa kontakt fizik me botën e jashtme. Prej ditëve të hershme të ngujimit të plotë, secili prej nesh është dashur t’i bëjë zgjedhjet e veta dhe t’i masë rreziqet e aktiviteteve të përditshme.

E keqja është se me qarkullimin e gjithfarë thashethemeve — qoftë online, në media sociale apo në komunitetet ku jetojmë — mund të jetë e vështirë të dimë se ç’të besojmë dhe si t’i marrim vendimet e duhura. Kjo punë nganjëherë bëhet më hutuese sepse COVID-19 ende llogaritet si virus i ri, gjë që do të thotë se vazhdimisht zbulohen informata të reja për të.

Në fund të artikullit mund ta gjeni një listë të simptomave të COVID-19
Por, një gjë e rëndësishme që nuk ka ndryshuar është se akoma nuk ka ilaç për ta parandaluar ose për ta trajtuar COVID-19.

Për këtë arsye, mënyra më e mirë për ta mbrojtur veten, të dashurit tanë dhe komunitetin është të bëjmë hapa për ta shmangur infektimin. Që të jemi sa më të suksesshëm, na duhen informata të mira dhe ta përditësojmë diturinë tonë për virusin sa më shpesh që mundemi.

Prandaj kemi grumbulluar informatat më të fundit nga shkencëtarët dhe ekspertët e shëndetësisë nga e tërë bota për t’ju ndihmuar në këtë përpjekje.

Është bërë zhurmë e madhe për maskat, por a duhet t’i vëmë?

Maskat rekomandohen gjerësisht nga shkencëtarët dhe ekspertët shëndetësorë si mjete të rëndësishme për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) thekson se maskat këshillohen në hapësira ku masat e tjera parandaluese — sikur mbajtja e distancës fizike ndaj të tjerëve — nuk janë të mundshme.

Kjo është sepse një ndër mënyrat kryesore të përhapjes së COVID-19 nga personi në person është përmes spërklave të frymëmarrjes. Këto mund të përcillen në mënyra të ndryshme, edhe nëse njerëzit nuk shfaqin simptoma dhe nuk e dinë që janë të infektuar.

MENDON SE MUND TË KESH COVID-19?

Nëse keni dyshime se mund të keni COVID-19, thirrni 038 200 80 800.
_

Nëse keni simptoma të rënda, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. (Nëse është e mundshme, thirrni para se ta vizitoni mjekun ose institucionin shëndetësor).
_

Nëse keni simptoma të lehta dhe përndryshe ndiheni shëndosh, mund t’i trajtoni simptomat në shtëpi. Ju duhet të vetizoloheni në shtëpi aq sa është e mundur, përfshirë larg njerëzve brenda shtëpive tuaja, dhe t’i mbikëqyrni simptomat.

Për shembull, kur një person i infektuar teshtin ose kollitet, por edhe kur flet ose këndon — këto veprime mund të hedhin spërkla të frymëmarrjes në ajër, të cilat mandej mund t’i infektojnë të tjerët përmes hundës, gojës ose syve.

Këto spërkla mund të bien në sipërfaqe dhe t’i infektojnë ata që më pas prekin sipërfaqet e ndotura para se ta prekin gojën, hundën apo sytë e tyre.

Pra kur vihen mbi gojë dhe hundë, maskat krijojnë një barrierë për të parandaluar kalimin e spërklave të frymëmarrjes prej një personi në tjetrin, qoftë drejtpërdrejt ose përmes sipërfaqeve. Në Kosovë si dhe në disa vende të tjera, ato janë të detyrueshme për njerëzit që qarkullojnë jashtë shtëpisë.

Por unë jam e re dhe e shëndoshë, andaj s’ka gjë nëse infektohem

Janë një varg arsyesh përse kërkohet nga ju të vendosni maska, dhe vetëm njëra prej tyre ka të bëjë me mbrojtjen e vetvetes. Të ndalemi këtu fillimisht.

Ndonëse rreziku i të pasurit komplikime të rënda ose i vdekjes nga COVID-19 deri më tani është më i lartë për të moshuarit dhe për ata që vuajnë nga gjendje të caktuara shëndetësore (sikur sëmundjet e mushkërive, të zemrës, sëmundjes së sheqerit ose sëmundjeve që ndikojnë në sistemin e imunitetit), virusi është i rrezikshëm edhe për të rinjtë. Moshat e reja, përfshirë fëmijët, të cilët nuk kanë ndonjë gjendje shëndetësore paraprake mund të sëmuren keq — dhe të vdesin — pas infektimit me koronavirus.

Në përgjithësi, shumica e njerëzve që dalin pozitiv me COVID-19 kanë simptoma të lehta ose mesatare dhe mund të shëndoshen me përkujdesje në bazë të simptomave. Por pjesës tjetër të njerëzve u duhet të shtrihen në spital dhe të marrin trajtime që përfshijnë oksigjenoterapinë dhe ventilimin në rastet më të rënda.

VËNIA E MASKËS NËNKUPTON SE MUND TË JENI 65% MË TË MBROJTUR SESA NËSE NUK E VINI FARE.

Siç e dimë të gjithë, numri i shtretërve, i stafit mjekësor dhe i ventilatorëve në Kosovë është i kufizuar, gjë që do të thotë se nëse koronavirusi vazhdon të përhapet me shpejtësi, ekziston rreziku i vërtetë që sistemi shëndetësor tashmë i brishtë i Kosovës mund të stërngarkohet.

Për më tepër, ka ende shumë të panjohura për COVID-19 dhe mjekët e shkencëtarët akoma nuk i dinë implikimet afatgjata shëndetësore për njerëzit që kanë pasur COVID-19. Studimet e funda dhe raportimet anekdotike tregojnë se disa pacientë që kanë thjesht simptoma të lehta të COVID-19 (ose nuk kanë simptoma fare), më vonë mund të përballen me komplikime — përfshirë trombozat dhe sulmet në tru. Po ashtu ka raportime për njerëz që sëmuren shumë gjatë, të cilët përjetojnë simptoma për muaj të tërë.

Studimet tregojnë se — kur mbahet si duhet — vënia e maskës nënkupton se mund të jeni 65% më të mbrojtur sesa nëse nuk e vini fare.

Jam i gatshëm të rrezikoj. Është vendimi im personal.

Edhe nëse nuk jeni të bindur për nevojën e mbrojtjes së vetvetes, arsyeja kryesore e vënies së maskes është në të vërtetë për t’i mbrojtur të tjerët.

Shumica e maskave janë më të efektshme për ta parandaluar përhapjen e virusit te të tjerët nga personi që e vë atë.

Pra edhe nëse jeni nga ata njerëzit që nuk sëmuren rëndë, duke e vënë maskën si duhet ndihmoni që të mos e përhapni virusin pa e ditur. Sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me shëndetin tuaj, por edhe me kujdesin ndaj njerëzve përreth jush.

Por kjo nuk vlen për mua. Unë nuk kam COVID-19 — ndihem mirë.

Nuk mund ta dini nëse keni COVID-19 thjesht nga mënyra se si ndiheni.

Është e mundshme të infektoheni me virus dhe të mos keni simptoma fare — kjo quhet të qenët asimptomatik dhe ndodh me një pakicë të njerëzve të infektuar. Studimet tregojnë që të rinjtë, përfshirë fëmijët, kanë më shumë gjasa sesa të vjetrit të jenë asimptomatikë.

Me rëndësi është se edhe ata që janë asimptomatikë mund ta përhapin virusin.

Ju po ashtu mund të jeni infektuar me virusin por ende nuk keni shfaqur simptoma — kjo njihet si të qenët presimptomatik. Mesatarisht, njerëzit me COVID-19 nisin të shfaqin simptoma 5-6 ditë pas infektimit. Sidoqoftë, periudha e inkubacionit mes infektimit dhe shfaqjes së simptomave të para mund të zgjasë deri në 14 ditë.

NËSE NUK E DINI A JENI TË INFEKTUAR, DUKE E VËNË MASKËN MUND T’IA SHPËTONI JETËN DIKUJT TJETËR.

OBSh thotë se, bazuar në të dhënat që janë të disponueshme deri më sot, njerëzit me COVID-19 kanë më së shumti potencial për t’ua ngjitur sëmundjen të tjerëve në kohën kur shfaqin simptomat e para — përfshirë ditët menjëherë para. Shumë lehtë mund ta shpërndani virusin pa e ditur fare se po e bëni.

Nëse keni pasur COVID-19, ju mund t’i infektoni të tjerët edhe nëse nuk jeni më të sëmurë. Është ende e paqartë për sa kohë mund ta bartin sëmundjen të infektuarit me COVID-19, dhe kjo mund të varet prej një numri faktorësh. Por këshillat e tanishme të OBSh-së janë që njerëzit e infektuar të izolohen për së paku 10 ditë pas shfaqjes së simptomave të para, si dhe tri ditë shtesë pas përfundimit të tyre.

Shkurt e shqip, nëse nuk e dini a jeni të infektuar, atëherë — në mos jo për ndonjë arsye tjetër — duke e vënë maskën mund t’ia shpëtoni jetën dikujt tjetër.

Pra unë thjesht mund ta vë maskën dhe ta vazhdoj jetën si zakonisht?

Jo.

Vënia e maskës në mesin e të tjerëve është vetëm njëra gjysmë e barrës. Maska është mjet i rëndësishëm për kufizimin e përhapjes, por gjithashtu duhet të shoqërohet me masa të tjera parandaluese. Edhe pse masat e sakta zyrtare për përmbajtjen e virusit ndërrojnë periodikisht, janë disa gjëra që të gjithë duhet t’i bëjmë si individë për ta mbrojtur veten dhe të tjerët rreth nesh.

Një hap i rëndësishëm është të shmangen grupet e njerëzve dhe hapësirat e ngjeshura. Kjo është arsyeja përse aktivitetet që përfshijnë grupe njerëzish janë të ndaluara në shumë vende ku përhapja e virusit është e lartë (përfshirë Kosovën, ku grupet prej më shumë se pesë njerëzish tani për tani janë të ndaluara në hapësira publike).

DËSHMITË SHKENCORE TREGOJNË SE TRANSMETIMI I VIRUSIT ËSHTË SHUMË MË I MUNDSHËM BRENDA SESA JASHTË.

Është po ashtu e rëndësishme të mbahet distanca fizike me njerëzit — sidomos me ata që janë të sëmurë. Studimet tregojnë se nëse jeni së paku 1 metër larg dikujt me COVID-19, gjasat për t’u infektuar janë dukshëm më të vogla (ose që ju t’i infektoni ata); nëse largoheni 2 metra, gjasat e infektimit zvogëlohen edhe më tej. Tash për tash në Kosovë ju detyroheni të mbani së paku 2 metra distancë me njerëzit e tjerë.

Mbajtja e higjienës personale është po ashtu tejet e rëndësishme. Kjo nënkupton larjen e shpeshtë dhe të plotë të duarve (për së paku 20-30 sekonda) me dezinfektues me bazë alkooli kur duart nuk janë dukshëm të papastra, ose me sapun dhe ujë.

Ju po ashtu duhet ta mbuloni hundën dhe gojën me krah ose me faculetë kur kolliteni apo teshtini dhe ta hidhni faculetën e t’i lani duart menjëherë pas përdorimit.

Duhet ta shmangni prekjen e gojës, hundës dhe syve — këto janë pikat e vetme të hyrjes ku mund të infektoheni me virusin.

Përse kafenetë dhe baret lejohen të shërbejnë vetëm jashtë? Ku është dallimi mes të qëndruarit brenda dhe jashtë?

Dëshmitë shkencore tregojnë se transmetimi i virusit është shumë më i mundshëm brenda sesa jashtë. Dhe kjo kryesisht lidhet me qarkullimin e ajrit.

Ju kujtohet kur thamë se mendohet që virusi kryesisht përhapet përmes spërklave të frymëmarrjes? Kur jeni jashtë, ka qarkullim më të madh të ajrit (edhe kur nuk fryn era) sesa kur jeni brenda. Kjo do të thotë që spërklat e frymëmarrjes hapërdahen më lehtë në ambiente të jashtme.

Kur jeni brenda zakonisht ka pak qarkullim të ajrit për t’i hapërdarë spërklat, gjë që do të thotë se ato rrinë pezull më gjatë dhe në përqendrime më të mëdha. Kjo do të thotë jo vetëm që ka gjasa më të mëdha të ndeshni spërkla ngjitëse brenda, por edhe që sasia e spërklave që i ndeshni rrit mundësinë e infektimit.

Kjo është domethënëse sepse sasia e virusit që transferohet nga një person te tjetri ka ndikim në atë se a transmetohet infeksioni apo jo: Sa më shumë virus që pranon dikush, aq më shumë ka të ngjarë të infektohet.

Ka vazhdimisht dëshmi të reja që thonë se virusi mund të bartet në disa rrethana përmes grimcave të vogla që quhen aerosole. Këto nxirren kur njerëzit flasin ose lëshojnë frymë por janë shumë më të vogla dhe më të lehta sesa spërklat e frymëmarrjes dhe kështu mund të rrinë në ajër për një kohë shumë më të gjatë (deri në disa orë) dhe të barten më larg. OBSh-ja ka deklaruar se përhapja përmes aerosoleve nuk mund të përjashtohet në “hapësira të ngjeshura, të mbyllura ose paajrosura”.

Ndonëse rreziku i bartjes së virusit zvogëlohet jashtë, ai nuk mund të eliminohet dhe masat e tjera parandaluese prapë duhet të ndiqen.

Por kam dëgjuar që dielli e mbyt COVID-19?

Jo. Nuk ka dëshmi se dielli mbyt COVID-19.

Sidoqoftë, dëshmitë lënë për të nënkuptuar se bartja e virusit është më e vështirë jashtë sesa brenda, për shkak të arsyeve që shpjeguam më lart.

Por nuk mund ta shmang të qenët brenda me njerëz të tjerë.

Nëse të duhet të jesh brenda me njerëz të tjerë, prapë mund të kujdesesh për ta zvogëluar rrezikun, duke përfshirë ndjekjen e masave të përmendura (mbajtjen e distancës fizike, shmangien e turmave, mbajtjen e maskës dhe mbajtjen e rreptë të higjienës).

Po ashtu duhet të përpiqeni t’i mbani të ajrosura hapësirat ku rrini duke i lënë hapur dritaret ose dyert për ta siguruar qarkullimin e ajrit.

Kondicionerët e ajrit nuk janë domosdo të mirë dhe në fakt mund ta rrisin mundësinë e përhapjes së virusit në disa rrethana. Për këtë arsye, varësisht nga disa faktorë — përfshirë llojin e kondicionerit, programin dhe sasinë e ajrit të freskët që thith — kondicionerët e ajrit ndonjëherë mund ta riciklojnë ajrin e njëjtë, duke përfshirë spërklat me virus.

Koha që kaloni në afërsi të të tjerëve po ashtu mund ta ndikojë nivelin e rrezikut. Nëse duhet të kaloni kohë brenda me njerëz të tjerë, duhet të përpiqeni ta kufizoni atë kohë aq sa është e mundur.

Pra, virusi mund të transmetohet nga prekja e sipërfaqeve të ndotura e ndjekur nga prekja e gojës, hundës ose syve — sa gjatë mbijeton virusi në sipërfaqe?

Koha që një virus mbijeton në sipërfaqe dallon dhe mund të varet nga rrethanat sikur temperatura, lagështia e ajrit, etj.

Studimet kanë treguar se virusi COVID-19 mund të mbijetojë deri në 72 orë në plastikë dhe në çelik, më pak se 4 orë në bakër dhe më pak se 24 orë në karton.

Ju mund ta vritni virusin duke i pastruar sipërfaqet me dezinfektues shtëpiakë.

Tash është vera dhe dua të shkoj në pishinë. A mund të përhapet virusi aty?

Larja në një pishinë të mirëmbajtur dhe të klorinuar aktualisht shihet si e sigurt, përderisa mbani distancë fizike me njerëzit e tjerë.

Sidoqoftë, pishinat shpesh mund të ngjeshen me njerëz dhe këshillohet të rrini larg nga vendet ku tubohen njerëzit. Larja në pishina të jashtme tash për tash është e ndaluar në Kosovë.

A mund të infektohem me gripin sezonal dhe COVID-19 në të njëjtën kohë?

Po. Ka pasur raste të raportuara ku njerëzit janë infektuar edhe me COVID-19, edhe me gripin sezonal njëherazi. Sidoqoftë, deri më tash kjo nuk ka qenë shumë e përhapur.

A mund të infektohem me COVID-19 dy herë?

Kjo ende nuk dihet.

Kishte raportime të hershme për pacientë që ishin shëndoshur nga COVID-19 dhe mandej e kishin marrë prapë. Megjithatë shumica e shkencëtarëve tash besojnë që kjo ka qenë e lidhur me testimin, ku njerëzve u është thënë se janë shëndoshur nga virusi por në fakt kanë qenë ende të infektuar.

Por OBSh-ja thekson se është ende shumë herët për të ditur nëse njerëzit që kanë pasur COVID-19 zhvillojnë imunitet dhe sa mund të zgjasë imuniteti. Një studim ka lënë të nënkuptohet se antitrupat — një pjesë e rëndësishme e veprimit imunitar të trupit — mund të zgjasin vetëm disa muaj për këtë virus, që do të thotë se gjasa për t’u infektuar sërish mund të rritet.

Po ashtu mund të ketë dallime në nivelet e imunitetit varësisht nga sa rëndë është infektuar një person.

Ka shumë pyetje që do të monitorohen nga shkencëtarët dhe profesionistët shëndetësorë në muajt në vazhdim.

Unë pi duhan — a jam më e mbrojtur?

Ka pasur studime që kanë folur për lidhjet mes pirjes së duhanit dhe infektimin e ndikimet e COVID-19. Sidoqoftë, pak prej tyre kanë peer review (pra, shumica e këtyre studimeve nuk janë shqyrtuar nga ekspertët e tjerë për të vlerësuar nëse përputhen me standardet e duhura).

Dëshmitë e pakta që tani janë të disponueshme tregojnë se pirja e duhanit lidhet me ashpërsimin e sëmundjes dhe vdekjen te pacientët e shtrirë në spital me COVID-19.

Kur do t’i kthehemi ‘normalitetit’?

Kjo është pyetja një milion dollarëshe dhe ende nuk kemi përgjigje për të.

Do të ishte e arsyeshme të besojmë se kurrë nuk do të kthehemi plotësisht në botën që ka qenë para COVID-19. Kjo është një ngjarje mbarëbotërore që ndikon thuajse të gjitha aspektet e jetëve tona, prej politikave dhe çështjeve ekonomike të nivelit të lartë deri te marrëdhëniet individuale, perspektivat dhe shëndetin mendor.

NË TË ARDHMEN E AFËRT TË GJITHË DUHET TË MËSOHEMI TË JETOJMË KRAHAS VIRUSIT NË MËNYRË SA MË TË SIGURT.

Po ashtu ka pasur paralajmërime nga shkencëtarët kryesorë të fushës dhe ekspertët shëndetësorë se nuk do të mund ta zhdukim virusin tërësisht.

Prandaj duhet të nisim t’i ndërrojmë pikëpamjet tona prej pritjes së një kohe kur virusi do të largohet tërësisht, te pritja e një kohe kur do të mund të jetojmë bashkë me virusin më mirë sesa që mund ta bëjmë tash. Kjo do të kërkojë zhvillime më të mëdha mjekësore sa i përket gjetjes së mjekimeve të efektshme për COVID-19, si dhe zbulimit të mënyrave për ta rritur imunitetin, sikur përmes vaksinimeve.

Sa afër jemi gjetjes së vaksinës?

Disa vlerësime thonë se mund ta kemi një vaksinë të pranuar në “fillim të vitit 2021”, ose në fund të këtij viti, por sidoqoftë ka shumë faktorë që mund ta ndikojnë këtë.

Janë bërë hapa të mëdhenj për gjetjen e një vaksine të sigurt dhe ka shenja që kjo mund të arrihet në kohë rekorde. Sidoqoftë, ky është proces që zakonisht do shumë vjet në mënyrë që të sigurohet se vaksinat janë të sigurta dhe të efektshme, pra disa hapa thjesht nuk mund të përshpejtohen.

Tani për tani janë më se 150 programe të regjistruara që testojnë vaksina anekënd botës në stazhe të ndryshme të zhvillimit, dhe disa kanë treguar rezultate të hershme premtuese.

Kur vaksinat e efektshme miratohen, ato ende duhet të prodhohen dhe të shpërndahen në një shkallë shumë të lartë, gjë që do të thotë se nuk do të jenë të disponueshme në të gjitha vendet në kohë të njëjtë. Është po ashtu ende e paqartë sa e efektshme do të jetë vaksina, meqë vaksinat dallojnë për nga niveli i mbrojtjes që ofrojnë si dhe sa gjatë qëndrojnë të efektshme.

Tekembramja, në të ardhmen e afërt të gjithë duhet të mësohemi të jetojmë krahas virusit në mënyrë sa më të sigurt.

Kjo nënkupton përshtatjen e sjelljeve tona. Dhe po ashtu nënkupton përditësimin e rregullt të informatave dhe rreziqeve në mënyrë që të marrim vendime të drejta për ta mbrojtur veten dhe të tjerët rreth nesh.

SIMPTOMAT E COVID-19:

Simptomat më të shpeshta:
– temperatura
– kolla e thatë
– lodhja

Simptomat më pak të shpeshta:
– dhimbjet
– ngjirja e fytit
– diarreja
– pezmatimi i cipës së syrit
– kokëdhembja
– humbja e shijes ose e nuhatjes
– skuqja e lëkurës, ose ndërrimi i ngjyrës së gishtave të dorës a të këmbës

Simptomat e rënda (kërkoni trajtim mjekësor menjëherë):
– vështirësi në frymëmarrje dhe zënie e frymës
– dhimbje ose presion në gjoks
– humbje e të folurit ose e të lëvizurit