MENU
klinika

Turqia bën zbulimin e madh. Ç’thotë Erdogan!?

Zhvillimi që mund të ndryshojë ekuilibrin në rajon

22.08.2020 - 07:38

Anija e parë kombëtare turke e shpimit në ujëra të thella që kreu kërkime në Detin e Zi, Fatih, ka zbuluar 320 miliardë metra kub rezerva të gazit natyror në fushën e gazit Sakarya. Kjo shifër paraqet një nivel që mund të eliminojë në masë të konsiderueshme importin vjetor turk të gazit prej rreth 12 miliardë dollarësh, shkruan Anadolu Agency (AA).

Zbulimi më i madh i gazit natyror në historinë e Turqisë nga anija Fatih i cili u njoftua si një “sihariq” nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan ishte fryti i parë konkret i aktiviteteve të kërkimit sizmik dhe shpimeve që Turqia i ka zhvilluar intensivisht në periudhën e fundit.

Ky zbulim, i realizuar në zonën ekskluzive ekonomike të Turqisë në Detin e Zi, rreth 170 kilometra në det të hapur, dhe që mund të plotësojë një pjesë të konsiderueshme të importeve të gazit natyror në vend, hap derën për një epokë të re për sa i përket kërkimeve që do të kryhen në det dhe prodhimit.

Ky zbulim i Turqisë, i cili pritet të rrisë interesimin e kompanive ndërkombëtare për Detin e Zi, konsiderohet si një zhvillim që mund të ndryshojë ekuilibrin në rajon.

Deri më sot, në Turqi janë prodhuar 16,6 miliardë metra kub gaz

Prodhimi në fushat në tokë dhe në det të hapur i Turqisë i gazit natyror u rrit në 473,8 milionë metra kub deri në fund të vitit 2019, ndërsa deri më tani, sasia e përgjithshme e gazit të prodhuar në vend ishte 16 miliardë e 615 milionë metra kub. Një pjesë e këtij prodhimi kryhet nga TPAO (Korporata e Naftës e Turqisë), kurse pjesa tjetër nga kompani vendase dhe të huaja.

Prodhimi i përgjithshëm vjetor aktual i Turqisë prej 45 miliardë metrash kub përmbush vetëm 1 për qind të nevojave për gaz. 99 për qind e nevojës së Turqisë për gaz natyror përmbushet përmes tubacioneve nga Rusia, Azerbajxhani, Irani dhe importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA, Norvegjia, Katari, Algjeria dhe vende të ndryshme.

Fatura e importit të gazit natyror për Turqinë ndryshon në varësi të çmimeve të naftës. Shuma e paguar për importe të gazit natyror në vitin 2014, kur çmimi i naftës ishte në nivelin 120 dollarë, shkoi në mbi 20 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2015 dhe më pas, kur nafta u soll në intervalin 30-60 dollarë, këto importe ndryshuan midis 10 dhe 15 miliardë dollarë.

Ndërkaq, pjesa tjetër e rezervës së gazit natyror turk të prodhueshëm ekonomikisht dhe të dëshmuar, vlerësohet të jetë 3,3 miliardë metra kub, përfshirë në masë të madhe fushat tokësore.

Kështu, zbulimi i 320 miliardë metrave kub rezerva të gazit në Detin e Zi paraqet pothuajse 20-fishin e gazit natyror të prodhuar nga Turqia deri më tani.

Nëse nga fusha e gazit Sakarya do të realizohej një prodhim prej 10 miliardë metrash kub në vit, Turqia do të mund të sigurojë 5 për qind të nevojave të saj për 32 vjet vetëm nga kjo pikë. Nga ana tjetër, kjo sasi pritet të rritet me shpime të reja, pasi ky zbulim paralajmëron rezerva të reja në rajon.

Strategjia e Turqisë e shpimit në det

Sondimet detare të Turqisë, përfshirë Mesdheun dhe Detin e Zi, filluan në vitet 1970. Pas shpimit të parë në pusin Karadeniz-1, u përshpejtuan edhe kërkimet sizmike dy dhe tredimensionale. Në këtë kontekst, aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve të kryera nga TPAO në Detin e Zi u intensifikuan që nga viti 2004.

Përkundër kritikave, në blloqet e licencuara midis viteve 2004-2019 në Detin e Zi, u zbatua një strategji e qëndrueshme eksplorimi sizmik dhe u mblodhën të dhëna sizmike dydimensionale nga 142 mijë kilometra dhe tredimensionale nga 37.610 kilometra. Pas interpretimit të të dhënave të mbledhura, u sonduan gjithsej 6 puse në det të thellë dhe 10 puse në det të cekët. Pas zbulimit të gazit nga TPAO në puset Akçakoca-3 dhe Akçakoca-4, 24 puse u gërmuan në fushën e prodhimit Akçakoca dhe aktivitetet e prodhimit në këtë fushë vazhdojnë.

Për më tepër, TPAO kreu aktivitete të ndryshme kërkimore sizmike në Detin e Zi në partneritet me BP, Petrobras, Exxon Mobil dhe Shell.

Anijet kombëtare të kërkimit sizmik hulumtuan detet

Anijet sizmike Barbaros Hayrettin Pasha në inventarin e TPAO-s dhe ajo Oruç Reis në inventarin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kërkimeve dhe Eksplorimeve të Mineraleve (MTA), nisën aktivitetet kërkimore sizmike në dete në vitin 2013.

Anijet në fjalë hulumtuan Detin e Zi, Mesdhe dhe Marmara dhe hartuan fotografinë e burimeve të hidrokarbureve të Turqisë, ndërsa me shqyrtimin e të dhënave të mbledhura nga këto anije, u intensifikuan edhe aktivitetet e shpimit nga anijet Yavuz dhe Fatih.

Në këtë kontekst, anija Fatih, anija e parë kombëtare turke e sondimit e cila hyri në inventarin e TPAO-s, u nis nga Porti Haydarpaşa i Stambollit drejt Detit të Zi për të kryer sondimin e parë kombëtar më 29 maj 2017, në 567-vjetorin e çlirimit të Stambollit. Kullat prej 103 metrash të anijes Fatih u çmontuan në mënyrë që ajo të mund të të kalonte përmes Bosforit. Anija u ankorua në Portin e Trabzonit më 6 qershor për të rimontuar kullat.

Pas procesit të përgatitjes këtu, më 20 korrik, Fatih filloi shpimin e parë kombëtar në det të thellë në Detin e Zi me një thellësi të synuar prej 3.500-4.000 metrash në lokacionin e quajtur Tuna-1, jashtë bregdetit të provincës Zonguldak.

Presidenti Erdoğan e quajti fushën në fjalë si “Fusha e Gazit Sakarya”.

Shuma e invetstimit do të përcaktohet nga shumë faktorë

Pas ndërtimit në Korenë e Jugut në vitin 2011 dhe nacionalizimit në Turqi, anija Fatih, me teknologjinë e gjeneratës së 6-të, mund të kryejë sondime detare në thellësi 12.200 metra dhe nën presion shumë të lartë.

Fatih, një nga 5 anijet e para të teknologjisë së lartë në botë, kryen shpime të thella në det të hapur (offshore deep gas).

Për shkak të faktit se TPAO është një kompani publike, vendimi përfundimtar i investimit për zhvillimin e fushës dhe nisjen e prodhimit mund të marrë më pak kohë dhe është planifikuar të përfundojë më shpejt në krahasim me kompanitë ndërkombëtare që veprojnë sipas shqetësmeve komerciale. Presidenti Erdoğan njoftoi se synohet që gazi i Detit të Zi të futet në prodhim në vitin 2023.

Nga ana tjetër, sasia e investimeve që duhet bërë për prodhimin nga fusha ndryshon sipas teknologjisë së përdorur, numrit të puseve që do të shpohen dhe strukturës gjeologjike të rajonit. Kostot për pus në investimet për prodhim të gazit në det të hapur lëvizin midis 25 dhe 75 dollarë. Në këtë drejtim, vëllimi i investimeve të Turqisë do të përcaktohet sipas numrit të puseve që do të hapen dhe sasinë e rezervës.

Për të filluar prodhimin në lokacionin Tuna-1, është e nevojshme që së pari të llogaritet rezerva e provuar në terren dhe të bëhet planifikimi i prodhimit, si dhe të vendosen objektet dhe platformat e nevojshme të prodhimit. Ndërkohë, ndërsa kërkimet e gazit vazhdojnë me shpime të reja, ekziston edhe nevoja për të instaluar një tubacion për të transportuar gazin e nxjerrë në tokë pasi prodhimi të ketë filluar në vend.

Para Turqisë, Rumania kishte zbuluar rezervën më të madhe në Detin e Zi

Në ujërat e Detit të Zi, aktivitete të shpimit zhvillojnë edhe Rumania, Bullgaria dhe Ukraina.

Rezerva me potencial prodhimi prej 42 deri 84 miliardë metra kub në bllokun e Neptunit ishte zbuluar nga Rumania 170 kilometra larg brigjeve të saj dhe aktualisht figuron si zbulimi më i madh i bërë në Detin e Zi deri më tani.

“Gaz i plotë” në Mesdheun Lindor

Zbulimi i Turqisë në fushat e reja të gazit për të rritur prodhimin dhe për eliminimin e importeve për zvogëlimin e varësisë së jashtme është me rëndësi kritike.

Në këtë drejtim, Turqia ka inteksifikuar aktivitetet e kërkimit dhe shpimit në Mesdhe, ku anijet Yavuz dhe Fatih kanë bërë 9 shpime në ujërat e thella.

Ndërkaq, në Mersin po vazhdojnë aktivitetet e kujdesit dhe riparimit për anijen e tretë të shpimit të Turqisë, Kanuni, e cila u fut në inventarin e saj në fillim të këtij viti. Pas përfundimit të këtyre punimeve, është planifikuar që Kanuni gjithashtu të marrë pjesë në aktivitetet e shpimit dhe të fillojë detyrën në Mesdheun Lindor.

Mund të lind mundësia e eksportit të gazit natyror

Kryetari i Shoqatës së Distributorëve të Gazit Natyror të Turqisë (GAZBİR), Yaşar Arslan, ka thënë për AA se Turqia vitin e kaluar ka importuar 45,3 miliardë metra kub gaz natyror.

“Duke pasur parasysh se kostoja vjetore e gazit natyror është 12 miliardë dollarë, nëse nga pusi i gazit natyror bëhet prodhim vjetor prej 10 miliardë metrash kub, fatura jonë e importit të gazit natyror do të ulet me afërsisht 2,6 miliardë dollarë çdo vit”, ka njoftuar Arslan.

Sipas tij, kur merret parasysh varësia e importit e Turqisë, prodhimi me burime lokale ka rëndësi në shumë aspekte.

“Turqia siguron importin e gazit natyror me kontrata afatgjata. Në pesë vitet e ardhshme, do të përfundojë kohëzgjatja e kontratës që përfshin 30 miliardë metra kub. Kapaciteti prodhues i fushës së zbuluar të gazit natyror do të mundësojë përmbushjen e një pjese të sasisë nga kontratat që do të përfundojnë. Duke vlerësuar brenda një pakoje kërkesën për gaz natyror që parashohim të rritet në vitet e ardhshme dhe kontratat që do të përfundojnë, aftësia e vendit tonë për prodhim vendas do të krijojë mundësi të mëdha në aspektin e formimit të çmimeve dhe larmisë së furnizimit. Nga ana tjetër, unë mendoj se mund të vijnë në shprehje opsione si eksportimi i gazit natyror të prodhuar në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë”, tha Arslan.

Rritet fuqia negociuese e Turqisë

Ndërkohë, Elif Düşmez Tek, Shefe e Sektorit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore për Turqi e firmës ndërkombëtare të taksave, kontrollit dhe këshillimit, Deloitte, e cilësoi si zhvillim shumë të rëndësishëm zbulimin e gazit natyror të Turqisë në Detin e Zi.

Sipas saj, edhe pse ekzistojnë shumë hapa për zhvillimin e projektit, “gazi natyror do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm dhe burim i besueshëm në botën e energjisë së transformueshme”.

Nga ana tjetër, ulja e kërkesës për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe gazit natyror mund të ndikojë negativisht në realizueshmërinë e zbulimeve të reja, tha Tek.

“Megjithatë, për vendin tonë, që është i varur nga importet, ekzistenca e këtyre rezervave ka një rëndësi strategjike në drejtim të sigurisë së furnizimit dhe fuqisë negociuese. Në riformësimin e kontratave afatgjata të gazit natyror në vitet e ardhshme, kjo rezervë e zbuluar duhet të vlerësohet si një zhvillim që i jep avantazh vendit tonë, së bashku me uljen e çmimeve të ndodhur tashmë”, theksoi Tek.