Tërmeti i 26 Nëntorit i cili la të pastrehë qindra qytetarë, por edhe situata e krijuar nga COVID-19 kanë rritur shpenzimet e buxhetit të shtetit për ndihmën ekonomike.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, për periudhën Janar-Korrik 2020, janë shpenzuar për familjet në nevojë rreth 14.5 miliardë lekë apo 116 milionë euro. Shifra ka pësuar një rritje me rreth 22.4 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, por me diferencë të lartë edhe me vitet paraardhëse.
Po të analizojmë të dhënat ndër vite vihet re se për mbështetjen financiare të familjeve në nevojë nga viti 2016 dhe në vazhdim janë akorduar mesatarisht 10 deri në 11 miliardë lekë. Ndërsa diferencën e bën 7 mujori i 2020-ës që ka pësuar një rritje të ndjeshme.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i familjeve që është mbështetur me ndihmë financiare nga buxheti ka pësuar rënie graduale vit pas viti, duke bërë që në 6 vitet e fundit të dalin nga skema mbi 15 mijë familje, ndërsa në 2019-ën ka një rritje të lehtë në raport me një vit më parë, me rreth 397 familje.
Megjithatë, pavarësisht reduktimit të skemës, buxheti për këtë qëllim ka qenë në normalitet, për shkak të rritjes së masës së përfitimit.