Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, dënoi ashpër deklaratën e ish-nënpresidentit dhe kandidatit për president të SHBA-së në zgjedhjet e ardhshme të SHBA-së, Joe Biden, i cili tha se do të mbështesë ndryshimin e qeverisë në Turqi dhe mund të mbështesë opozitën në synimin e saj që në zgjedhjet e vitit 2023 të përmbysë presidentin Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
Videoja e deklaratës kundërthënëse të Biden-it të synimeve për të mbështetur opozitën për ndryshimin e tendencave politike dhe qeverisë në Turqi ka nxitur kritika të ashpra dhe dënime nga qeveria dhe opozita.
“Ne në themel i hedhim poshtë imponimet e tilla. Kjo është deklaratë e një të padituri që nuk njeh popullin turk“, ka thënë Çavuşoğlu për AA, duke shtuar se vendimin për ndryshimin e udhëheqësit dhe pushtetit në Turqi mund ta sjellë vetëm populli i atij vendi dhe SHBA kurrë nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.
Çavuşoğlu tha se ishte takuar me homologun e tij amerikan Mike Pompeo në Santa Domingo gjatë vizitës së tij zyrtare në Republikën Dominikane.
“Gjatë takimit me Popmpeo-n kemi diskutuar për Libinë dhe u dakorduam për vazhdimin e bisedimeve në nivel të ekipeve të ekspertëve”, tha Çavuşoğlu.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi për takimin Popmpeo-Çavuşoğlu në Santa Domigo, kryeqytetin e Republikës Dominikane, kurse në deklaratën e tij theksohet se dy kryediplomatët kanë biseduar për zbutjen e tensioneve në Mesdheun Lindorë dhe tema të ndryshme.
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe SHBA-së kohët e fundit janë rënduar nga një numër çështjesh, siç është blerja e Turqisë e sistemeve të mbrojtjes ruse S-400 dhe operacionet antiterroriste të Turqisë në veri të Sirisë kundër YPG-së, degës siriane të organizatës terroriste PKK.
SHBA gjithashtu injoruan kërkesat e Turqisë për ekstradimin e Fethullah Gülen-it, udhëheqësit të organizatës terroriste FETO, e cila është përgjegjëse për përpjekjen e përgjakshme për grusht shteti ushtarak në të cilin ranë 251 dëshmorë më 15 korrik 2016.