MENU
klinika

“Me një drejtim të ri, të gjithë do bashkoheshin realisht”

Topalli refuzon formularin: Basha e ka përçarë PD-në!

26.08.2020 - 15:08

Ish deputetja e PD-së, Jozefina Topalli e akuzon kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha për përçarja dhe shkatërrim të partisë, teksa thotë se e refuzon ta plotësojë formularin e vetëdeklarimit.

“Partia nuk demokratizohet as me formularë, as me komisione. LB ka përçarë e shkatërruar PD-në. Ai nuk beson në asnjë parim të partisë që lindi 3 dekada më parë.

Në këto kushte, nëse vërtet do donte largimin e Edi Ramës, LB duhet të largohet nga kryetari i partisë.

Me një drejtim të ri të gjithë do bashkoheshin realisht pa formularë dhe pa komisione, dhe Rama nuk do të kishte më shans për të drejtuar vendin”, shprehet Topalli.

Topalli ishte një ndër emrat më të propozuar nga baza demokrate në Shkodër për kandidate për deputete, ndërkohë refuzimi sjell automatikisht përjashtimin e saj nga faza e dytë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve të mundshëm të PD-së, pasi në udhëzimin e selisë blu parashikohet se mosdorëzimi në kohë i formularit të deklarimit nënkupton heqjen dorë nga mundësia për të qenë kandidat i mundshëm dhe Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve e heq personin e propozuar nga baza nga lista e kandidatëve, të cilët i nënshtrohen fazës së dytë.