Shqiptarët arritën një rezultat të madh në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, por nuk po e shndërrojnë në energji të madhe për ndryshim. Vetëm për shkak të insistimit të BDI-së sot kanë gjashtë ministri kyçe.
Kështu vlerëson njohësi i rrethanave politike, Mentor Nazarko, në një intervistë për arbresh.info, derisa shton se shqiptarët vazhdojnë të jenë të përçarë dhe nuk prodhojnë energjinë maksimale për avancim të statusit të tyre në Maqedoninë e Veriut.
“Ajo që duhet të ndodhë është një qasje e përbashkuar e këtij faktori me Shqipërinë dhe Kosovën, një qasje ndërtuese. Maqedonia e Veriut ka nënshkruar traktate miqësie me Greqinë e Bullgarinë, por jo edhe me Kosovën dhe Shqipërinë”, thotë Nazarko.
Shqiptarët dhe maqedonasit i kontrollojnë dy korridoret më të rëndësishme botërore infrastrukturore, korridorin tetë dhe korridorin dhjetë.
Korridori i dhjetë i cili kalon nga Lugina e Preshevës e pastaj hyn në territoret shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe korridori i tetë lidhë Adriatikun me Stambollin, dhe pastaj me Azinë.
Sipas Nazarkos, që korridori i tetë të marrë rëndësinë e tij, ka ardh koha për një marrëveshje midis shqiptarëve dhe maqedonasve, dhe ka ardh koha që të vitalizohet një projekt i përbashkët për ndërtimin e portit të Vlorës, që është porti më i thellë në Adriatik.
“Dhe nëse do të ndërtohej ky port, edhe me mbështetjen e Kosovës, në rivalitet me fqinjët, Greqinë e Italinë, ky korridor që do të ndërlidhte trafiqet botërore nga Evropa drejt Turqisë, do të fitonte një rëndësi të jashtëzakonshme”, vlerëson Nazarko.
Sipas tij, edhe Kosova e Serbia kanë nevojë për një port në Adriatik, dhe marrëveshjet kanë lidhje me portin.
“Ky aks do të ishte edhe aks miqësie ku shqiptarët do të kishin peshën reale, por jo si sot të përçarë dhe luajnë me qasje të presionit. Qasje e re, përbashkuese e gjithë kombit shqiptarë mbi këtë aks infrastrukturor të korridorit tetë, që kryqëzohet me korridorin dhjetë”, thotë Nazarko në këtë intervistë.
Traktatet e reja të miqësisë me Kosovën dhe Shqipërinë, Nazarko vlerëson se do të duhej të parashikonin angazhimin për këto dy korridore.
“Dhe, vetëm atëherë shqiptarët do të fitonin fuqinë e vërtetë në rrafshin Ballkanik, sepse do të kontrollonin dy korridoret më të rëndësishme të Evropës, dhe botës”, shprehet Nazarko.
Ai e sheh si fatkeqësi politikën përçarëse ndërmjet shqiptarëve në Ballkan.
“Politikë primitive, dhe sado që Skënderbeu ka vdekur, duhej të ngjallej e t’i thoshte se vetëm duke qenë bashk mund të përballeni me armiqtë tuaj”, deklaron Nazarko.