MENU
klinika

Telefonon kryeministrin grek

Trump ndërhyn në konfliktin Greqi-Turqi

27.08.2020 - 07:40

Pas tensioneve të shumta dhe deklaratave të luftës mes Greqisë dhe Turqisë, ka ndërhyrë edhe presidenti i SHBA, Donald Trump.

Ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Mesdheun juglindor.

Mediat greke bëjnë me dije se “Mitsotakis falënderoi Presidentin Amerikan për interesin e tij dhe për komunikimin, ndërkohë që Konventa e Partisë Republikane në SHBA është në zhvillim e sipër”.

“Kryeministri ngriti çështjen e veprimeve destabilizuese të Turqisë, të cilat po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e më gjerë dhe po testojnë kohezionin e NATO-s”, raportojnë më tej mediat greke të ketë thënë Mitsotakis.

Mitsotakis njoftoi presidentin Trump se Greqia është e gatshme të kontribuojë në mënyrë thelbësore në zbutjen e tensioneve, me kusht që Turqia të ndalojë menjëherë veprimet e saj provokuese.

Kontakti telefonik midis dy liderëve vjen pas tensioneve të vazhdueshme dhe merr një rëndësi të madhe, pasi kjo tregon se Uashingtoni po monitoron vazhdimisht zhvillimet në rajonin e Mesdheut juglindor.