MENU
klinika

Ja 11 emrat më të lakuar

Zbardhet lista e kandidatëve për deputetë e kryetar bashkie të PD-së për Shkodrën

02.08.2020 - 14:47

Gazeta “Panorama” ka arritur që të sigurojë listën e plotë të propozimeve të PD dega Shkodër të kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie.

Kjo listë, tashmë zyrtare, përbëhet në total nga 150 emra që kanë ardhur si të propozuar nga baza.

Ndër 150 vetë ka një listë me 11 emra që janë ndër më të propozuarit në më shumë se 20 grupseksione nga 38 që ka PD në Shkodër.

Ndër 11 më të propozuarit sipas rendit alfabetik janë Arben Lushaj, ish deputeti Bardh Spahia, Benardeta Syku nënkryetare e FRPD, nënkryetarja e PD Shkodër dhe ish kryetare e këshillit të qarkut Greta Bardeli, ish deputeti Helidon Bushati aktualisht anëtar i Komisionit të Autoritetit të Konkurencës, ish deputetja Izmira Ulqinaku, Ndoc Ashta, ish deputeti më përpara dhe ish kryetar i PD Shkodër Ramiz Çobaj, ish deputeti Romeo Gurakuqi, kryetarja në detyrë e bashkisë Shkodër Voltana Ademi dhe ish kryetari i këshillit bashkiak të Shkodrës Xhemal Bushati.

Në listën e më të propozuarve mungon ish deputeti dhe ish kryetari i bashkisë Lorenc Luka por është në listën e përgjithshme me 150 emra.

Në listën me 150 emra nuk është fare Nard Ndoka, ish deputeti i PD në Shkodër ndërsa pritet që të jetë si i propozuar në Vau Dejës apo Pukë, lista të cilat nuk kanë përfunduar ende.

Ndërkohë në listën totale me 150 propozime ka disa emra të cilët kanë tërhequr vëmendjen. Pjesë e propozimeve tashmë siç dihet është Jozefina Topalli, ish deputete dhe ish kryetare e Parlamentit në 8 vite por edhe ish nënkryetare e PD, një prej zërave më kritik ndaj liderit të PD Lulzim Basha.

Disa emra të propozuar në Shkodër që bien në sy janë ish-deputeti i PD Aleksandër Biberaj, Ahmet Premçi, ish drejtori i policisë në Shkodër, mjeku Halim Kosova ish deputet i PD në Tiranë dhe kandidat për kryetar bashkie në Tiranë.

Në këtë listë është edhe emri i Artan Brocit, ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë që u shkarkua nga Vettingu si dhe vëllai i martirit të demokracisë Arben Brocit i vrarë në 2 prill 1990.

Pjesë e propozimeve është edhe Ledina Mandija, ish-zëvendës kryeministre në qeverinë teknike në 2017-ën e propozuar nga kreu i PD Basha asokohe. Si i propozuar në Shkodër është edhe Ndriçim Babasi, ish deputet i PD për Fushë Krujën apo Nevila Xhindi, ish nënkryetare e bashkisë Tiranë në kohën kur kryetar ishte Lulzim Basha.

Në listën e propozimeve nga baza mungojnë ish drejtorë ndër vite që kanë qenë një peshë e rëndësishme në PD, ish deputet apo kandidat për deputet në zgjedhjet e mëparshme apo 9 kryetar aktual grupseksionesh të PD Shkodër të cilët sipas burimeve nuk kanë pranuar që të propozohen dhe ato janë Safet Anxa në Rrethina, Gjergj Lukaj në Dajç, Pjerin Marku dhe Jozef Ndoci në Gurin e Zi, Martin Marku në Shalë, Nosh Lejthia në Shosh, Lekë Gjoni në Pult, Besmir Zaja dhe Gjenerin Kapcari në qytet. Megjithatë sipas udhëzimit për këtë proces nga qendra 20% të kandidatëve në çdo qark ka të drejtë që t’i propozojë vetë lidershipi i PD duke bërë që në listat për kandidat të jenë edhe emra që s’janë propozuar nga baza.

Kjo listë me 150 emra pasi të shqyrtohet në qendër në Komisionet Përkatëse do të vijë e reduktuar në 20 apo 30 emra të cilët do të jenë më pas pjesë e procesit të kontestimit. Anëtarësia e PD do votojë për ata emra që nuk është dakord që të jenë kandidatë dhe nëse dikush nga 20 apo 30 emrat e sjellë nga baza në Shkodër merr 600 vota kundër që janë 20% e anëtarësisë prej afro 3 mijë vetësh atëherë nuk ka të drejtë që të kandidohet, proces ky që pritet të jetë gjatë muajit shtator ose tetor.

Emrat me të propozuar, që kanë dalë si propozime të anëtarëve në më shumë se 20 Grupseksione nga 38 Grupseksione gjithsej janë:

  1. Arben Lushaj
  2. Bardh Spahia
  3. Benardeta Syku
  4. Greta Bardeli
  5. Helidon Bushati
  6. Izmira Ulqinaku
  7. Ndoc Ashta
  8. Ramiz Çobaj
  9. Romeo Gurakuqi
  10. Voltana Ademi
  11. Xhemal Bushati