MENU
klinika

Nga Forumi Ekonomik Botëror

5 gjëra që Covid-19 na ka mësuar në lidhje me pabarazinë

10.09.2020 - 10:46

Koronavirusi ka sjellë në vetëdijen më të gjerë pabarazitë në fusha që nga kujdesi shëndetësor deri tek teknologjia.

Këto pabarazi ndihen përgjatë linjave të ndryshme, nga përkatësia etnike te të ardhurat.

Grupet e pakicave dhe personat me aftësi të kufizuara përballen me pengesa të shumta në qasjen në shërbimet thelbësore.

Pandemia COVID-19 ka shpërfaqur dhe thelluar pabarazitë socio-ekonomike.

Nga qasja në kujdesin shëndetësor dhe hapësirat e gjelbërta, te puna dhe arsimi, këtu janë pesë fusha të shoqërisë ku koronavirusi ka shfaqur pabarazi të vërteta dhe tw prekshme.

1. Aksesi në hapësirat e gjelbërta

Studimet kanë treguar përfitimin për shëndetin tonë mendor dhe fizik nga hapësirat e gjelbra. Dhe, me miliona njerëz nën forma të ndryshme mbylljeje, nuk kanë patur qasje të barabartë në këto hapësira, e cila është bërë një temë e nxehtë.

Kërkimet e fundit në Afrikën e Jugut kanë treguar se lagjet ‘e bardha’ janë 700 m më afër parqeve publike dhe kanë 12% më shumë mbulesë pemësh sesa zonat me banorë kryesisht me ngjyrw.

Ndërkohë, një studim i vitit 2017 në Gjermani theksoi pabarazitë në qasjen në hapësirat e gjelbërta urbane në lidhje me të ardhurat, moshën, arsimin dhe numrin e fëmijëve për familje.

Dhe një studim i vitit 2010 tregoi se lagjet më vulnerabël në Mbretërinë e Bashkuar kishin, mesatarisht, vetëm një të pestën e zonës së hapësirës së gjelbër në dispozicion krahasimisht me lagjet më të pasura.

2. Aksesi dhe rezultatet e shëndetit

Pandemia ka theksuar pabarazitë në qasjen në kujdesin shëndetësor dhe rezultatet shëndetësore për grupe të ndryshme.

Kërkimet në Europë kanë treguar se, edhe në sistemet e kujdesit shëndetësor relativisht të zhvilluara mirë, pabarazia në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore vazhdon. Një raport i vitit 2018 nga Komisioni Europian (PDF) thotë: “kuintilet me të ardhura më të ulëta janë ndër grupet më të pafavorizuara për sa i përket qasjes efektive në kujdesin shëndetësor”.

Raporti thekson çështjet sipas gjinisë, racës dhe statusit të qëndrimit, me gratë dhe migrantët që të dy përballen me vështirësi të veçanta.

Në mënyrë domethënëse, pandemia ka nxjerrë në pah ndikimin e kushteve socio-ekonomike në shëndet. Siç shpjegon Organizata Botërore e Shëndetësisë, “ka shumë dëshmi se faktorët shoqërorë përfshirë arsimin, statusin e punësimit, nivelin e të ardhurave, gjininë dhe etninë kanë një ndikim të dukshëm në atë se sa i shëndetshëm është një person”.

Dhe hulumtimi fillestar në Mbretwrinw e Bashkuar, për shembull, ka treguar se grupet etnike të pakicave janë prekur në mënyrë disproporcionale nga COVID-19. Një model i ngjashëm është shfaqur në Shtetet e Bashkuara, gjithashtu.

Këto pabarazi brenda vendeve janë të gjitha në krye të pabarazive që ekzistojnë midis vendeve. Për shembull, 95% e vdekjeve nga tuberkulozi ndodhin në botën në zhvillim dhe jetëgjatësia globale mund të ndryshojë deri në 34 vjet.

Tetëdhjetë e shtatë përqind e vdekjeve të parakohshme për shkak të sëmundjeve jo-ngjitëse (NCD) ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Dhe, në shumë prej këtyre vendeve, kostoja e këtyre sëmundjeve i shtyn njerëzit në varfëri, duke dëmtuar zhvillimin dhe duke përkeqësuar çështjet shëndetësore.

3. Shpwrdarja dixhitale

Miliona punëtorë dhe nxënws shkolle janë dërguar në shtëpi, të detyruar të punojnë dhe studiojnë në distancë nga bllokimet dhe rregullat e distancimit shoqëror.

Por, kjo ka nxjerrë në pah boshllëqet në lidhje me qasjen në teknologji dhe internet.

Për shembull, rreth 50% e njerëzve (që janë më shumë se 600 milion individë) në Indi nuk kanë qasje në internet.

Dhe në shumë vende afrikane përqindja është shumë më e lartë. Pavarësisht se nuk disponohen statistika kjo është e vlefshme edhe për shumë periferi dhe zona të thella në shumë vende të botës. Për këta miliona njerëz, puna në distancë ose arsimi është pak a shumë një fantazi. Në Indi orët e mësimit janë zhvilluar me otoparlantë me zë të lartë në disa zona rurale.

Dhe, ka gjithashtu një pabarazi të konsiderueshme brenda vendeve. SHBA-të për shembull, ku ndryshimet vazhdojnë sipas të ardhurave, moshës, racës dhe vendndodhjes urbane / rurale. Për shembull, sipas Pew Research Center, 15% e të rriturve në zonat rurale thonë se nuk përdorin internet, krahasuar me 9% në zonat urbane. Ndërkohë, 8% e njerëzve të bardhë thonë të njëjtën gjë, krahasuar me 15% të njerëzve me ngjyrë.

Dhe, COVID-19 e ka përkeqësuar këtë. Prindërit me të ardhura më të ulëta kishin shumë më tepër gjasa sesa ata me të ardhura më të larta për të thënë se fëmijët e tyre do të përballen me ‘pengesa dixhitale’ gjatë pandemisë.

4. Puna në një botë virtuale

Ekziston një ndarje dixhitale për të rriturit gjithashtu – si midis vendeve ashtu edhe brenda tyre. Të dhënat sugjerojnë se pjesa e njerëzve që punojnë nga shtëpia është e lidhur ngushtë me depërtimin në internet.

Dhe, ata me lidhje të dobëta interneti në shtëpi, madje edhe në vendet me nivele të larta të hyrjes në internet, do ta kenë të vështirë të përballen në një botë të re virtuale, video-konferencash.

Por, ka edhe pabarazi të tjera në këtë tablo.

Sipas njw studimi në Hollandë, punëtorët e arsimuar dhe të kualifikuar kanë më shumë të ngjarë të punojnë në profesione ku puna në distancë është e mundur.

Si rezultat, punëtorët me aftësi të ulëta janë më të prirur të humbasin vendet e punës ose të kenë ulje në orët e punës.

Një studim në Gjermani tregoi një model të ngjashëm, me personat ata me të ardhura më të larta që kishin më shumë mundësi për të bërë punë në distancë.

Ekonomisti i Stanfordit Nicholas Bloom beson se kjo prirje po “gjeneron një bombë me sahat për pabarazi”.

Në një pyetje dhe përgjigje me universitetin, ai shpjegoi impaktin e hulumtimit të tij në ndikimin shoqëror të punës nga shtëpia:

Rezultatet tona tregojnë se punonjësit më të arsimuar, me të ardhura më të larta kanë më shumë gjasa të punojnë nga shtëpia – kështu që ata po vazhdojnë të paguhen, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të përparojnë në karrierën e tyre. Në të njëjtën kohë, ata që nuk janë në gjendje të punojnë nga shtëpia – ose për shkak të natyrës së punës së tyre, ose sepse u mungon hapësira e përshtatshme ose lidhjet e internetit – po lihen pas. Ata përballen me perspektiva të zymta nëse aftësitë dhe përvoja e tyre e punës dëmtohen gjatë një ndërprerje të zgjatur dhe më gjerë.

—Nicholas Bloom

5. Aksesi dhe paaftësia

Shumë njerëz me aftësi të kufizuara janë prekur në mënyrë disproporcionale gjatë pandemisë.

Kërkimet në Mbretërinë e Bashkuar kanë treguar se dy të tretat e njerëzve me dëmtime të shikimit ndihen se janë bërë më pak të pavarur që nga fillimi i bllokimit.

Dhe, gjithashtu në Mbretwrinw e Bashkuar, më shumë se dy të tretat e vdekjeve nga COVID-19 kanë qenë persona me aftësi të kufizuara.

OBSH gjithashtu ka paralajmëruar për rreziqet me të cilat përballen ata me aftësi të kufizuara gjatë pandemisë, duke përfshirë një rrezik në rritje të zhvillimit të sëmundjes së rëndë. Distancimi social gjithashtu mund të jetë i vështirë për këto grupe për shkak të nevojës për kujdes dhe mbështetje shtesë.

Ndërprerjet në shërbimet thelbësore gjithashtu mund t’i vënë njerëzit në rrezik.

Por, kjo nuk është asgjë e re. OBSH shpjegon se “njerëzit me aftësi të kufizuara përjetojnë rezultate më të dobëta shëndetësore, kanë më pak akses në arsim dhe mundësi pune dhe kanë më shumë të ngjarë të jetojnë në varfëri sesa ata pa aftësi të kufizuara”.

Për shembull, në të gjithë BE-në, më pak se një person në dy me vështirësi themelore të aktivitetit është i punësuar, sipas Eurostat.

Dhe, në mënyrë të konsiderueshme në kontekstin e pandemisë, njerëzit me aftësi të kufizuara mund të përballen me pengesa në qasjen ndaj shërbimeve thelbësore – përfshirë kujdesin shëndetësor. OBSH raporton për një sondazh të bërë njerëzve me çrregullime serioze mendore. Midis 35-50% në vendet e zhvilluara dhe 76-85% në vendet në zhvillim nuk kishin marrë asnjë trajtim në vitin e kaluar.

Pandemia dhe përgjigja COVID-19 kanë sjellë nw fokus pabarazitë sistematike para-ekzistuese si këto – dhe nevojën për t’i trajtuar ato.

Si përgjigje, platforma UpLink e Forumit Ekonomik Botëror ka nisur Sfidën e Drejtësisë Sociale COVID, një konkurs për të gjetur ide dhe zgjidhje që trajtojnë pabarazitë sociale dhe padrejtësitë brenda përgjigjes dhe rimëkëmbjes së COVID.

/Burimi: Forumi Ekonomik Botëror/ Përshtati në Shqip Gazeta Si/