Nga Artur Ajazi
Një parti e braktisur nga militantët dhe mbështetësit e saj jo krejt papritur, një parti e braktisur nga ata “mijëra” anëtarë që i propogandonte dhe i prezantonte me mburrje Monika por dhe Iliri dikur, e braktisur edhe nga faktori ndërkombëtar, sot pretendon se do të “fitojë në 25 Prill 2021, 34 mandate deputetësh”. Një parti, ku gjysma e atyre që ka patur në zyrat e shtetit, janë sot me “cen” në prokuroritë dhe gjykatat e vendit, pretendon të fitojë jo pak, por 34 mandate.
Nuk është e rreme, as gjëagjëzë e ditës, por deklaratë e zonjës Monika në një prej televizioneve, nga ku ka përshfaqur dukshëm dhe me britma, programin e partisë, duke u shprehur se “34 mandate marrim ne si LSI, edhe nja 70 mandate PD, dhe marrim pushtetin”. Të kesh dy, një ta mbash, dhe një ta ndash. Një kryetare e përkohshme partie (sepse pas 1 viti vjen Ilir Meta në LSI) që ka dy vjet që rropatet të gjejë mitingashë dhe nderëbërës të dikurshëm për mbledhjet e partisë, një kryetare që i bën fresk Lulzimit, edhe kur nuk e ka përballë sikur ta besonte se vërtetë ai do të “marrë pushtetin dhe bëhet një ditë kryeministët”, del dhe bën deklarata të forta dhe paracakton numrin e mandateve të reja në Parlament.
A thua ti fitojë LSI këto 34 mandate, a thua të marrë e shumta 3-4 mandate, të paktën për të mos u turpëruar më shumë se kaq ? Mendoj se rrjedhjet e pandërprera nga ajo parti, largimet e atyre që dikur Monika dhe Iliri, i quanin “anëtarë dhe mbështetës”, e ka një shpjegim. Nuk ka se si të ngrihet “kështjella prej rëre”, pasi ajo kërkon gurë të fortë. Kështu e ngriti edhe LSI dikur Ilir Meta. Asnjëherë ajo parti, nuk ka patur anëtarësi stabile, asnjëherë ajo parti nuk ka patur deputetët e saj, asnjëherë ajo parti nuk ka zhvilluar mitingjet dhe mbledhjet e saj, asnjëherë ajo parti nuk ka patur militantët e saj, sepse u krijua nga asgjëja. Përgjatë gjithë historisë saj, LSI, ka jetuar me lëmoshën e PS dhe PD, me pushtetin e saj, gjithmonë ka ecur me paterica, dhe asnjëherë me “gurët” e themelit të vet. LSI, mbetet një parti autobuz, që në çdo stacion, herë mbushet, (kur ka pushtet) dhe herë boshatiset (kur e lënë pa pushtet). Si mund të gënjesh (jo vehten) dhe të mundohesh të bësh diçka të parealizueshme si të besueshme, kur në rrethe LSI, thuajse nuk ekziston ? Si mund të pretendosh 34 mandate, kur përgjatë 4 viteve, nuk ka mbetur 1 deputet i saj,që të mos ketë kaluar tek PS, të mos ketë mbështetur PS dhe Edi Ramën.
Asnjëherë Ilir Meta dhe Monika, nuk kanë shpjeguar faktin, përse u larguan të gjithë nga LSI, përse u braktis ajo parti në mënyrën më të turpshme, se përse themeluesit e saj gjetën “strehë” tek Partia Demokratike, duke menduar se do të “bëhen faktor të përhershëm në politikë” ? Por me LSI, ka ndodhur ajo që ka ndodhur me çdo parti, që krijohet nga pazaret e politikës. Të marrësh 34 mandate, (dhe kur pa, në 2021) është një ëndërr e keqe Monika, një ëndërr me Jalë dhe Lalëz, një dëshirë që nuk mund të realizohet edhe kur ke para të madhe, sepse në politikë shpesh paraja të lë zbuluar, dmth, të lë edhe pa mandate. LSI-ja, duhet ta kuptojë se iku koha kur bliheshin mandatet si domatet, se iku koha kur mund të fitosh mandate duke mbajtur në njërën dorë thesin plot me para, dhe në tjetrin kutinë e votimeve. Edhe diçka, Monika përse nuk garon sërish në Cerrik-Belësh, u ke dhënë fjalën atyre “hallexhinjve” atje, se nuk do ti braktisësh ?