Kryetari i Partisë Aksioni i Bashkuar për Reforma, Dritan Abazoviç është shprehur optimist në lidhje me formimin e qeverisë së re në Malin e Zi.
Lideri me prejardhje shqiptare tha se Mali i Zi do të mund të zgjedh ekzekutivin në muajin tetor. “Formimi i qeverisë, shpresoj për disa javë. Besoj se çdo gjë ka me mbaru në një mënyrë paqësore dhe demokratike”, tha ai në një intervistë për Alsat-M.
Ndërkohë javën tjetër pritet që të ftohet seanca e parë e Kuvendit.
“Jemi duke zhvilluar bisedime për ditë dhe tani për tani çdo gjë po shkon me rregull. Nesër do të takohemi me kryetarin e parlamentit rreth seancës së parë zyrtare ku duam të verifikohen mandatet pastaj të zgjidhet kryetari i ri i parlamentit”. shpjegoi ai. “Mundemi me prit që ajo seancë me qenë në fillim ta javës së ardhshme”, tha Abazoviç.
Abazoviç, i cili vjen nga familje shqiptare, drejton partinë URA (United Reform Action; Aksioni i Përbashkuar për Reforma), kjo në zgjedhjet e 30 gushtit mori mbi 22 mijë vota (5.5%) duke fituar 4 mandate deputetësh, vendimtare këto për formimin e qeverisë së re.