Barcelona duket se është kontradiktore në lidhje me Messin. Nga njëra anë e gjobit për mungesën në stërvitje, nga ana tjetër fanellat e reja prezantohen me imazhin e argjentinasit.
Leo është imazhi kryesor i fushatës së shitjes së fanellës së parë, asaj kryesore, për sezonin 2020-2021. Disa probleme të prodhimit të firmës “Nike”, kur uniformat po stampoheshin, bënë që ato të tërhiqeshin nga dyqanet disa ditë pasi ishin hedhur në shitje, në fillim të korrikut.
Së bashku me Messin, i cili bëri “fotosesionin” disa muaj para mbylljes, lojtarë si Gerard Piqué, Antoine Griezmann, Frenkie de Jong dhe Ousmane Dembélé janë pjesë e fushatës. Nuk duket, për shembull, Luis Suárez, i shpallur i transferueshëm nga klubi.
Duke filluar nga sot, bluzat janë në shitje në dyqanin e Barçës në “Camp Nou”, “Paseo de Gracia”, “La Roca Village” dhe në Aeroportin e Barcelonës (T1 dhe T2), si dhe online përmes platformës së tregtisë elektronike, në faqen e internetit të Barçës.
Tifozët do të jenë në gjendje të blejnë pesë referenca të fanellës së parë, e cila është linjë standarde, me çmime që variojnë nga 59,99 € deri 89,99 €. Konkretisht, është bluza për të rritur, burra dhe gra, që iu shtohet atyre për kategoritë e të rinjve, fëmijëve dhe foshnjave; në shitje prej disa javësh.
Deri më tani ishte në dispozicion vetëm fanella që i përgjigjet linjës “Match”, e cila përdoret nga lojtarët në ndeshje zyrtare dhe ka një çmim prej 139,99 €. Ky model karakterizohet nga përdorimi i teknologjisë “Vaporknit”; një pëlhurë e lehtë dhe me performancë të lartë, me një elasticitet të madh që kontribuon në përmirësimin e lëvizshmërisë dhe ka një frymëmarrje të lartë.