MENU
klinika

Norma më e lartë që prej 2011

Borxhi i jashtëm arrin 8.9 miliard euro

14.09.2020 - 16:18

Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se, stoku i borxhit të jashtëm bruto ka prekur shifrën rekord historike të 8.9 miliardë eurove gjatë tremujorit të dytë të vitit. Asnjëherë më pare, borxhi i jashtëm bruto nuk kishte prekur një shifër të tillë.

Shuma prej 8.9 miliardë eurosh shënon gjithashtu një rritje të ndjeshme krahasuar me tremujorin e parë të vitit, kur borxhi i jashtëm bruto fiksohej në thuajse 8.2 miliardë euro.

Në përqindje, rritja fiksohet në 8.66%, çka përkthehet në rritjen më të madhe që prej tremujorit të tretë të vitit 2011, kur rritja ishte në masën 9.4%. Edhe atëherë, ashtu si sot, fryrja e borxhit të jashtëm vinte në kulm të një krize ekonomike globale.

Thuajse gjysmën e borxhit, rreth 4.45 miliardë euro e mban qeveria e përgjithshme, borxhi i së cilës është rritur me 18.3% gjatë tremujorit të dytë të vitit, krahasuar me tremujorin e parë, kur fiksohej në 3.76 miliardë euro. Rritja e borxhit të jashtëm do të përkthehet pashmangshmërisht në një fryrje të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto duke vendosur nën sforco edhe financat publike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN