Armando Broja dhe Endri Çekiçi janë dy nga prurjet e reja në Kombëtare, dy të rinj që sot për herë të parë ishin në konferencën për shtyp. Edhe pse është vetëm 18-vjeç, Broja sërish ia ka dalë të grumbullohet me ekipin kombëtar A.
ARMANDO BROJA
Transferimi te Vitese – “Lëviza për një vit huazim se te Chelsea ka firmosur edhe një tjetër sulmues. Unë duhet të luaj ndeshje në ekip të parë dhe ika te Vitesse. Stërvitja po shkon mirë dhe jam për një vit, nëse paraqitem mirë aty, atëherë kthehem dhe luaj te Chelsea. Jam i vogël akoma dhe jam i kënaqur që jam te ekipi A. Kam qejf të luaj dhe është shumë mirë”.
Mungesa me Bjellorusinë – “Nuk luaj se kam karton të kuq, por është mirë që jam me ekipin dhe jam duke ndenjur me çunat janë shumë të mirë. Ishalla luaj në ndeshjen e dytë disa minuta, por e rëndësishme të jem me ekipin”.
Debutimi – “Po, në stërvitje kuptohemi me njëri-tjetrin. Nëse nuk luaj është një eksperiencë e mirë, por nëse stërvitem mirë mund të marr disa minuta. Kështu, fillohet me pak minuta. Por, më pas duhet më shumë dhe nëse ia tregoj trajnerit se jam lojtar i mirë atëherë luaj edhe më shumë”.
Sulmuesit e Kombëtares – “Janë lojtarë të mirë, por unë jam lojtar i ndryshëm. Jam më i shpejtë dhe mund të futem edhe pas mbrojtësve edhe në driblim. Më duket se ata që vijnë prej ekipeve të mëdhaja, shihen ndryshe, por ata që janë këtu kanë bërë më shumë se unë. Dhe, unë duhet t’i tregoj trajnerit se unë mundem të luaj me Kombëtaren”.
ENDRI ÇEKIÇI
Endri Çekiçi u bë më në fund pas shumë kohë pritje pjesë e të grumbulluarve të trajnerit Edy Reja. Sulmuesi që aktivizohet në Slloveni me Ljubjanën shprehet se këtë ftesë e ka pritur prej vitesh, mirëpo asnjëherë nuk e ka humbur besimin.
Grumbullimi – “Është një ftesë që e prisja prej vitesh dhe një ëndërr që u kthye në realitet. Tani duhet të tregoj veten pse kam ardhur këtu, që trajneri të shoh nëse mund të mbështet në mua. Në fillim më erdhi ftesa për listën e pritjes, por unë nuk e humba besimin. Dhe me ekipin e fillova mirë sezonin dhe e dija se do të vinte ftesa një ditë”.
Olimpija Ljubjana – “Që nga momenti që fillova të luaja atje, më dhanë besim dhe ndihem më i lirshëm dhe kam treguar potencialin e plotë, e rëndësishme është psikologjike, ka të bëjë shumë”.
Grupi i U-21 – “Të gjithë kishim ëndrrën për kombëtaren A, edhe pse nuk e dinim që do mblidheshim bashkë, por ja ku jemi. Në momentin që jam pjesë e ekipit qëllimi, është të jap maksimumin dhe të marr minuta në këto ndeshje. Qëllimi kryesor të marr minuta dhe më pas hap pas hapi të shohim edhe goli atëherë mund të vijë”.