MENU
klinika

3 pikat ku do të mbështetet qeveria e re

Çfarë ndodh pas zgjedhjeve në Mal të Zi?

01.09.2020 - 07:33

 

Sipas rezultateve preliminare koalicionet opozitare në Mal të Zi kanë fituar 41 vota nga 81 sa janë në kuvendin e këtij shteti. Partia Demokratike e Socialistëve, e drejtuar nga presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka fituar 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë. Udhëheqësit e koalicioneve opozitare në Mal të Zi kanë thënë se kanë arritur pajtueshmëri për parimet mbi të cilat do të punojë qeveria e ardhshme.

Ata i kanë bërë këto komente pas një takimi të zhvilluar ditën e hënë ndërmjet koalicioneve opozitare, “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë”, dhe “E zeza në të bardhë”, që drejtohen nga politikanët, Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq. Sipas opozitës, parimi i parë për të cilin është rënë dakord është se “qeveria e re demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare”.

Së dyti, që qeveria e re do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, që qeveria e re do të jetë e përbërë prej ekspertëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, kombëtare e të tjera.

“Qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, përmes rishikimit të të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin për Liritë e Fetare”, është thënë në deklaratë. Ligji për Liritë Fetare, i miratuar në fund të vitit 2019, pati shkaktuar një konflikt të hapur midis institucioneve shtetërore dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Pjesa më e diskutueshme e këtij Ligji, përkatësisht ndryshimet e të cilit po kërkon Kisha Ortodokse Serbe, kanë të bëjnë me pronën e bashkësive fetare. Ligji për Liritë Fetare, i miratuar në fund të vitit 2019, pati shkaktuar një konflikt të hapur midis institucioneve shtetërore dhe Kishës Ortodokse Serbe. Pjesa më e diskutueshme e këtij Ligji, përkatësisht ndryshimet e të cilit po kërkon Kisha Ortodokse Serbe, kanë të bëjnë me pronën e bashkësive fetare.

Fronti Demokratik, parti udhëheqëse e koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi” mbron lidhje të forta me Serbinë dhe është e përkushtuar ndaj Rusisë. Gjithashtu e njëjta është e afërt edhe me Kishën Ortodokse Serbe. Opsioni tjetër, por më i butë, përbëhet nga demokratët, të cilët po ashtu e përkrahin kishën. Sidoqoftë, për shkak të afërsisë së pozicioneve, koalicioni i tyre me Frontin Demokratik zakonisht nuk vihet në diskutim.

“E zezë në të bardhë” e drejtuar nga Dritan Abazoviq është një koalicion qytetar që gjatë fushatës ka bërë thirrje për formimin e një qeverie të ekspertëve. Ky koalicion fajëson autoritetet malazeze për “korrupsionin dhe nepotizmin” e lartë në mesin e shoqërisë, i cili është shpërfaqur në raportin e Komisionit Evropian mbi përparimin në proceset e integrimit evropian më 2019.

Anëtari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Zoran Vujiçiq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se seancën e parë e parlamentit të sapozgjedhur e thërret kryetari i parlamentit të mëparshëm, në këtë rast Ivan Brajoviq, dhe se kjo seancë mbahet jo më vonë se 15 ditë pas njoftimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Sipas rregullores këtë seancë e drejton deputeti më i vjetër në parlament. “Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, e propozon mandatarin për kryeministër brenda 30 ditëve nga dita e konstituimit të parlamentit. Kryeministri i caktuar paraqet programin e tij në kuvend dhe propozon përbërjen e qeverisë. Parlamenti vendos për programin e mandatarit dhe për përbërjen e qeverisë në të njëjtën kohë”, ka deklaruar Vujiçiq.

Qeveria duhet të zgjidhet brenda 90 ditëve nga dita e propozimit të kryeministrit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka 15 ditë për të shpallur rezultatet përfundimtare të votimit nga dita e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ky rregull nuk është i prerë pasi ekzistojnë edhe afatet tjera në rast të dorëzimit të ankesave./Rel