A mund të përqafohemi sërish? A është koronavirusi ende kaq i rrezikshëm? Kur do të jetë e gatshme një vaksinë? Për herë të tretë, kryeministrja norvegjeze iu përgjigj sot pyetjeve të fëmijëve të paduruar për të parë dritë në fund të tunelit.
E shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe ministri i Familjeve, në një distancë të respektueshme nga njëra-tjetra, Erna Solberg u përpoq të largonte dyshimet e një brezi nostalgjik për ditët para-COVID-19, një ushtrim i konsideruar i dobishëm nga psikiatrët e fëmijëve.
“Unë shpresoj që vitin e ardhshëm, ne mund të fillojmë të jetojmë pak më normalisht”, theksoi Solberg.
“Ne, ndërkohë, duhet të vazhdojmë të bëjmë siç jemi sot dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin”, shtoi ajo.
Që kur koronavirusi arriti në rajon, zyrtarët në vendet nordike janë angazhuar të gjithë në seanca pyetje-përgjigje nga dhe për fëmijët.
Por, askush nuk ka treguar aq këmbëngulje sa drejtuesit norvegjezë.
Kjo është hera e tretë që nga marsi që e njëjta treshe e ministrave janë të gatshëm për një konferencë të tillë, transmetuar drejtpërdrejt në televizion.
Në sallën zyrtare të shtypit të kryeministrit, ata përpiqen t’u përgjigjen me fjalë të thjeshta, pa fshehur ndonjë pasiguri, në pyetjet e mbledhura nga një program për fëmijë i kanalit publik NRK.
“Vera ka mbaruar, fëmijët kanë filluar përsëri shkollën, jeta e tyre e përditshme ka ndryshuar dhe po shfaqen pyetje të reja, siç është nevoja për të biseduar së bashku për të ardhmen”, shpjegoi Solberg.
Këtë herë, fëmijët pyesin për mundësinë e udhëtimit, për të luajtur futboll me klasat e tjera në shesh lojërash ose që gjyshërit e tyre nga jashtë t’i vizitojnë.
Asio, 12 vjeç, pyet për fatin e Halloween.
“Mund të festohet Halloween, po të respektojmë distancën prej një metri, t’i biem ziles, të vishemi dhe të argëtohemi”, u përgjigj kryeministrja.
“Të gjithë duhet të sigurohemi që të respektohen masat paraprake”, shtoi ajo.