MENU
klinika

Subvencionet për blegtorinë

Çuçi në Çajup: Përfituan rreth 5 mijë fermerë

04.09.2020 - 12:44

Skema e mbështetjes së sektorit të blegtorisë me subvencione nga buxheti i shtetit do të shtrihet në 3 vite.

Kështu tha ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, teksa ishte në Çajup të krahinës së Zagorisë, ku vizitoi një nga fermat më të mëdha blegtorale në vend, e cila ka mbi 1 mijë krerë dele dhe përfitoi mbështetje këtë vit rreth 12 milionë lekë të vjetra.

“Ky është qëllimi jonë, që të ndihmojmë fermerët të rriten vit pas viti në mënyrë që të ketë një zhvillim të qëndrueshëm edhe të sektorit të blegtorisë, i cili për hir të së vërtetës ka pasur vështirësitë e veta. Për nga natyra ky është një nga sektorët më të vështirë. Prandaj ne e fokusuam ndihmën nga buxheti i shtetit në rreth 70% për blegtorinë, me qëllim që krijojmë një moment të ri të ngritjes së këtij sektori. Ne do ta shtrijmë këtë skemë në 3 vite”, tha ministri Çuçi.

Në rang vendi këtë vit kanë përfituar mbështetje me subvencione rreth 5 mijë fermerë. Subvencionet këtë vit, për fermat me jo më pak se 70 krerë dele ose dhi, ishin në vlerën 1 200 lekë të reja për krerë. Ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, ishin në vlerën 10 mijë lekë të reja për krerë. Fermerët i bënë aplikimet online përmes portalit E-Albania me zero dokumenta.