Kreu i koalicionit “Bardhë e Zi”, Dritan Abazoviç ka deklaruar se çështja e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi është e mbyllur dhe se ai do të jetë kundër nëse futet në rendin e ditës së qeverisë së ardhshme.
Në një intervistë për gazetën serbe “Kurir”, Abazoviç ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia në të ardhmen të arrijnë marrëveshje.
“Natyrisht se do të jemi kundër dhe mendoj se kjo pyetje as që do të vihet në rend dite, pasi është çështje e kryer, nuk duhet kthyer në të kaluarën. Madje pres që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë gjuhë të përbashkët në të ardhmen e afërt dhe të merren vesh me qëllim të uljes së tensioneve dhe mundësimit të procesit të pajtimit. Paqja nuk ka çmim. Të gjithë këtu e duan paqen…”, ka deklauar ai.
Më tej ai tha se kusht i koalicionit është një qeveri ekspertësh, në mënyrë që të na përfaqësojnë njerëz të dinjitetshëm, ka thënë ai, duke shtuar se “regjimi do të bëjë çmos, mafia do të bëjë çmos që të mos ndodhë një gjë e tillë”.
“Do të tentojnë të shkaktojnë incidente në të gjitha mënyrat”, ka thënë ai.
Ëndrra e tij është që Mali i Zi të jetë në Bashkimin Evropian.
“Mali i Zi në Bashkimin Evropian, të ketë pajtim dhe standard më të lartë jetese sesa tani. Jam i sigurt se ajo ëndërr mund të bëhet e vërtetë”, ka thënë ndër të tjera Abazoviç.