MENU
klinika

Shpërthim zjarri dhe trazira mes të infektuarve

DW: Ç’ndodhi në kampin grek, BE premton ndihmë urgjente

09.09.2020 - 09:28

Kampi i refugjatëve Moria pas shpërthimit të disa zjarreve është djegur në masë të madhe. Komisionerja e BE, Ylva Johannson, premton ndihmë për fëmijët e të rinjtë në kamp.

Pas zjarreve të mëdha që shpërthyen në kampin e refugjatëve, Moria në Greqi, komisionerja e BE për çështjet e brendshme, Ylva Johannson ka premtuar ndihmë të shpejtë të BE. Ajo është në kontakt me autoritetet greke, shkroi Johannson në twitter. BE ka premtuar financimin e transportimit pa vonesë të 400 fëmijëve e të rinjve të pashoqëruar në tokën greke. “Siguria dhe mbrojtja e të gjithë njerëzve në Moria ka prioritet.” Johannson ka shkruar se është me mendje tek refugjatët që janë ishull dhe punonjësit e atjeshëm.

Natën e së mërkurës, kampi i refugjatëve Moria në Greqi është përfshirë gati i gjithi nga zjarret. Në orët e mëngjesit të së mërkurës flakët janë përhapur me shpejtësi të ndihmuara edhe nga era e fortë, 70 km në orë. Që gjatë natës autoritetet filluan me evakuimin e kampit, pas shpërthimit të zjarrit në kontenierët, ku banojnë refugjatët. Të mërkurën në mëngjes nuk pati informacione për të lënduar apo viktima. Sipas radios greke, ERT ndërkohë të gjithë njerëzit janë larguar nga hapësira e kampit, që është duke u djegur i gjithi. Ndihmës në terren dhe organizata humanitare kanë raportuar, se si flakët dhe tymi vështirësonin daljen nga kampi.

Moria është kampi më i madh i refugjatëve në Greqi dhe Europë. Prej vitesh ai është i tejmbushur, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Migracionit në Greqi aty ndodhen 12.600 refugjatë, kur kampi ka një kapacitet vetëm prej 2800 vendesh.

Karantina revolton migrantët

Para shpërthimit të zjarrit ka pasur trazira në kamp mes migrantëve, sepse kampi që prej jave është vendosur në karantinë për shkak të shpërthimit të një rasti të virusit Corona. Të martën u bë e ditur, se numri i të infektuarve ndërkohë është 35 vetë. Si reagim disa migrantë donin të largoheshin nga kampi, për t’u mbrojtur nga infektimi, raportoi agjencia greke e lajmeve, ANA-MPA. Ndërkohë që disa të infektuar dhe persona kontakti kanë refuzuar që të largoheshin nga kampi dhe të dërgoheshin në izolim. Video në rrjetet sociala tregojnë si njerëz të trembur që vijnë vërdallë pa ndihmë, edhe të tjerë që këndojnë “bye, bye Moria!”

Nëse zjarret janë vendosur nga migrantët apo banorët e ishullit, nuk është e qartë, të dhënat për këtë janë deri më tani të ndryshme. Pas shpërthimit të zjarrit, banorët e kampit kanë qëlluar forcat e zjarrfikësve me gurë, dhe janë përpjekur t’i pengojnë në shuarjen e zjarreve. Në vend ishin edhe njësi speciale të policisë. Tensione ka pasur gjithmonë në Moria, por për shkak të problematikës së Coronës, situata shpërtheu, citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa, Stratos Kytelis, kryetarin e bashkisë së Mytilinisit, kryeqytet i ishullit, që është shprehur për televizionin grek, ERT./DW