MENU
klinika

Sfidojnë pandeminë

Dy rekorde të reja në atletikë, femra e meshkuj

08.09.2020 - 12:53

Kohë pandemie, por duket se kjo nuk ndikon tek atletët. Ndonëse me shumë pak aktivitete këtë vit, atletja keniane Peres Jepchirchir vendosi rekord të ri botëror në garën e gjysmë-maratonës për femra. Në garën e zhvilluar në Pragë të Republikës Çeke, atletja 26-vjeçare dha kohën 1h 05’ 34” në distancën 21.1 km.

Koha e mëparshme ishte 1h 06’ 11” dhe ishte vendosur në vitin 2018 nga atletja etiopiane Netsanet Gudeta. 37 sekonda më shpejt koha e kenianes, që përveç çmimit tradicional, mori edhe një tjetër për thyerjen e rekordit. Një paraqitje mjaft e mirë e Jepchirchir, që e dominoi garën, duke u shkëputur pas 20 minutave të para.

Të premten e kaluar atleti britanik Mo Farah, tashmë 37-vjeç, vendosi rekord të ri botëror në garën e orës. Gjatë etapës së radhës së Ligës së Diamantit të zhvilluar në Bruksel, ai ka përshkuar 21 km e 330 metra gjatë 60 minutave.

Farah është dy herë kampion olimpik si dhe kampion i botës në garat e 5000 dhe 10 mijë metrave, një legjendë. Atletika nuk pyet për virusin, duke vendosur rekorde të reja, edhe pse shumica e maratonave në gjithë botën janë anuluar për këtë vit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN