Nuk ka surpriza në mbrëmjen e sotme në Ligën e Kombeve nga ekipet e mëdha. Portugalia fitoi me Kroacinë me rezultatin 4-1 duke dominuar nënkampionët e botës dhe pa Cristiano Ronaldon në fushën e lojës.
Takimi u zhbllokua nga Cancelo që dërgoi topin në rrjetë në minutën e 41′, duke mbyllur pjesën e parë 1-0. Jota shënoi në pjesën e dytë së bashku me Joao Felix që çoi rezultatin 3-0. Goli i parë për të riun me fanellën luzitane. Kroacia ngushtoi rezultatin me anë të Petkovic për 3-1, por vendasit u përgjigjën sërish me anë të Andre Silves që u rikthye te goli.
Belgjika ka bërë detyrën duke fituar në Danimarkë me rezultatin 0-2. Një transfertë delikate që zgjidhet mjaft mirë nga belgët duke shënuar nga një gol për çdo pjesë loje. Denayer dërgoi topin në rrjetë në minutën e 9′ për 0-1, ndërsa në pjesën e dytë ishte Mertens që nuk fali për 0-2 duke i dhuruar ekipit të tij 3 pikë.
Franca fitoi me vështirësi në fushën e Suedisë. Sulmuesi Mbappe shënoi golin e vetëm të ndeshjes pas një aksioni individual. Futbollisti ndërmori një aksion të mirë në minutën e 41′ të lojës dhe nuk gaboi. Griezmann kishte mundësinë të gjente rrjetën, por humbi penallti në minutën e 90’+5′. Tri pikë të vuajtura për “Gjelat”.