Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric deklaroi se në takimin e sotëm në Bruksel do të diskutohet për Asocacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Tema e parë në rendin e ditës do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Së paku, për palën serbe”, shkroi ai në Twitter, duke iu përgjigjur një postimi të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili tha se do të bisedohet për pretendimet e ndërsjella financiare midis dy vendeve.
Edhe vetë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ishte shprehur se kjo temë nuk do të diskutohej gjatë ditës. Dy delegacionet e ekspertëve takohen sot në Bruksel për një raund të ri bisedimesh. Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, janë takuar në 7 shtator në Bruksel, ku është hapur edhe tema e asociacionit në fjalë. Krijimi i tij është parashikuar me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse tha se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Hashim Thaçi deklaroi një ditë më parë se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.