Greqia ka në plan të blejë armë, të forcojë shtabin e saj të ushtrisë dhe të reformojë industrinë e saj të mbrojtjes, tha zëdhënësi i qeverisë të hënën, ndërsa po rriten tensionet me vendin aleat në NATO, Turqinë, mbi burimet e energjisë në Mesdheun lindor.
Greqia, e cila kaloi fazën e tretë të shpëtimit financiar ndërkombëtar të vitit 2018 dhe po përjeton pasojat ekonomike të koronavirusit të ri, dëshiron të shpenzojë një pjesë të rezervave të saj prej miliarda eurosh për sektorin e mbrojtjes.
“Jemi në bisedime me aleatët për të rritur forcat tona të armatosura”, u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas, duke shtuar se Kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të përshkruajë planet e tij gjatë një fjalimi vjetor të politikës ekonomike të shtunën.
Një zyrtar i qeverisë greke i tha agjensisë së lajmeve Reuters javën e kaluar se Greqia është në bisedime me Francën dhe vendet e tjera mbi blerjen e avionëve luftarakë. Greqia gjithashtu është përpjekur për më shumë se një dekadë për të konsoliduar dhe privatizuar humbjet e saj nga kompanitë e mbrojtjes.
Zoti Mitsotakis do të takohet me Presidentin francez Emmanuel Macron në Korsikë të enjten, përpara një samiti të udhëheqësve të Evropës Jugore (MED 7) dhe do të diskutojë këtë çështje, tha zoti Petsas. Presidenca franceze nuk e ka konfirmuar takimin.
Turqia dhe Greqia, vend anëtar i BE-së, kanë mosmarrëveshje të fortë në lidhje me shtrirjen e shelfit të tyre kontinental.
Tensionet u rritën muajin e kaluar pasi Ankaraja dërgoi një anije eksplorimi në ujërat e diskutueshme në rajon, e shoqëruar nga anije luftarake, disa ditë pasi Greqia nënshkroi një marrëveshje detare me Egjiptin që zemëroi Turqinë.
Ankaraja që nga ajo kohë ka zgjeruar punën e anijes në rajonin më të gjerë, duke lëshuar udhëzime të cilat Athina i quan të paligjshme, shkruan Voa.
Udhëheqësi konservator grek i diskutoi komplikacionet më të fundit me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, i cili kryeson samitet e liderëve të BE-së. Zoti Mishel do të vizitojë Athinën në 15 shtator.