MENU
klinika

"Aventurë e rrezikshme"

Hapja e shkollave pa buxhet shtesë, epidemiologu ngre shqetësimin

12.09.2020 - 14:20

Për ekspertin e Shëndetit Publik, Erion Dasho, protokolli i masave të qeverisë pa mbështetje buxhetore është thjesht propagandë.erion dasho infektiv

Sipas tij, plani është perfekt në letër, por çedon në zbatim.

“Ditën e hënë fillon shkolla. Teorikisht, mësuesit dhe nxënësit do të ruajnë distancën 2 metër, do të mbajnë maskë gjatë gjithë kohës, sanitarët do të dezinfektojnë klasat disa herë në ditë, korridoret dhe tualetet çdo dy orë e të tjera. Perfekt në letër! Problemi është që për mijëra shkolla që ka Shqipëria, kjo përkthehet në disa miliona euro çdo muaj: detergjente, maska (çdo mësues ka nevojë për të paktën 2 maska në ditë), sanitarë shtesë për çdo shkollë e të tjera”, shkruan epidemiologu në rrjetet sociale.

Nëse mangësive të mësipërme i shtohet edhe një situatë më e rënduar shëndetësore që mund të çojë në mbylljen e klasave a shkollave, ngarkesa bëhet edhe më e madhe. “Në rast nevoje, mësimi duhet të zhvillohet online. Ka familje që nuk kanë mundësi të paguajnë pajisje smart dhe lidhje me internet. Miliona të tjera nevojiten”, argumenton Dasho.

Nisur nga këto tregues, udhëzimet dhe vendimet e institucioneve përgjegjëse janë gjëja më e lehtë. Mosmbështetja me plane konkrete buxhetore i kthen videot promocionale se si duhet të sillemi në shkollë në video propagandistike. Ndërsa qeveria, me nismën e ndërmarrë, sipas Dashos, po i futet një aventure që vë në rrezik shëndetin e njerëzve.

“Kur këto ‘masa’ mbeten thjesht në kufijtë e propagandës, rrezikojmë një situatë të dytë si ajo ku qytetari paguan vetë për testin, pacienti paguan vetë për trajtimin në shtëpi, familjari paguan për respiratorin CPAP në spital, kurse komiteti mburret se mjekimi për COVID po jep rezultate të kënaqshme. Planifikimi, organizimi, financimi dhe zbatimi i masave anti-COVID është thelbi i çështjes. Jo në 14 shtator, por çdo ditë të vitit shkollor. Përndryshe, shkollat janë duke u hapur në mënyrë të pasigurt duke rinisur një tjetër aventurë të rrezikshme për shëndetin e shqiptarëve”.

Eksperti është shprehur që në krye të herës pro hapjes së shkollave, por përpara saj nevojitet të ngrihet një grup ekspertësh që të sigurojnë zbatimin e protokollit dhe trajtimin e rasteve në shkollë.