Budapesti po vuan një krizë të mprehtë strehimi, ndërsa rritja marramendëse e çmimeve të pasurive të patundshme kombinohet me mungesën e banesave sociale, duke krijuar një nga sfidat më serioze për hungarezët sot. Strehimi është bërë gjithashtu një fushë beteje politike për qeverinë dhe opozitën, duke shërbyer si një parathënie e fushatës zgjedhore të vitit 2022.
Nga Edit Inotai
Hanna, 34 vjeç, merr me qira një apartament të vogël në qendër të Budapestit. Për 50 metra katrorë, ajo paguan mbi 150,000 forinta (430 euro) në muaj, e cila ha rreth një të tretën e pagës së saj mujore. E ardhur nga një familje e klasës së mesme nga Hungaria Perëndimore, ajo nuk sheh shumë mundësi të blejë ndonjëherë banesën e saj në Budapest.
“Një apartament me dy dhoma në një zonë të mirë kushton 30 milion forinta,” i tha ajo BIRN, “Do të të duheshin të paktën 6-7 milion [forinta] për një parapagim për të marrë një kredi. Do të më duhet të fitoj shumë më tepër që të jem në gjendje të kursej shumë para, kështu që mendoj se do të duhet të jetoj me qira për të ardhmen e parashikueshme.
Megjithatë Hanna është një nga ato me fat: me një punë të qëndrueshme dhe pa fëmijë, ajo ende mund të përballojë të paguajë çmimet e tregut.
Por punonjësja sociale Veronika Kovacs, nga organizata civile A Varos Mindenkie (Qyteti i përket të gjithëve), i tha BIRN se gati 10 përqind të shoqërisë hungareze – rreth një milion njerëz – e kanë shumë të vështirë të sigurojnë strehim të mirë.
“Nuk janë vetëm të pastrehët, ata janë me të vërtetë vetëm maja e ajsbergut. Dua të them të gjitha ato familje që janë bllokuar në banesa të shkatërruara, të rrënuara, të cilat nuk kanë mundësi t’i rindërtojnë ose t’i shesin. Ose të rinjtë që nuk mund të lëvizin për shkak të mungesës së burimeve dhe përfundojnë të bashkëjetojnë me prindërit e tyre deri në të 30-tat. Ajo që shohim nga tendencat e fundit është se gjithnjë e më pak njerëz do të jenë në gjendje të blejnë një apartament, veçanërisht në Budapest, ” tha Kovacs.
Gjatë pesë viteve të fundit qiratë në Budapest janë dyfishuar, ndërsa çmimet e pasurive të patundshme janë rritur edhe më shumë në disa rrethe të Budapestit. Çmimet e pasurive të patundshme mund të arrijnë 3,000-4,000 euro për metër katror në disa zona. Asnjë rritje e pagave nuk mund të mbaj ritmin me një bum të tillë të çmimeve të pasurive të paluajtshme. Si pasojë, një hendek është hapur midis një klase të mesme të lartë në rritje që i sheh pasuritë e patundshme si një investim të mundshëm dhe atyre që thjesht po përpiqen të shtyjnë deri në fund të muajit.
Qiramarrësit po goditen veçanërisht rëndë: sipas Eurostat, 30 përqind e atyre që marrin me qira një banesë në Hungari shpenzojnë më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre për strehim. Pandemia e koronavirusit po sjell një lehtësim të përkohshëm për qiramarrësit, me çmime të ulura me 10-30 përqind në disa rrethe pasi turistët dhe studentët e huaj praktikisht u zhdukën nga Budapesti, por shumë e shohin këtë si vetëm një fenomen afatshkurtër.
Problem strukturor
Sipas ekspertëve, problemi themelor qëndron në strukturën e tregut të strehimit. Rreth 30 vjet më parë, gjysma e 800 mijë apartamenteve të Budapestit ishin në pronësi të bashkive. Sot, vetëm 42 mijë (nga gjithsej 920 mijë) i përkasin këshillave bashkiak të qytetit. Shumica e apartamenteve u shitën – shpesh me një çmim të volitshëm – gjatë tranzicionit demokratik që filloi në 1990, kur bashkitë duhet të mbanin mbi shpatulla një listë të re detyrash, por nuk morën burime shtesë financiare për t’i përballuar ato. Vetëm më të varfërit që nuk mund të përballonin as çmimin e volitshëm qëndruan si qiramarrës, zakonisht në apartamente të trishtueshme.
Në të kundërt, vetëm 200 kilometra në perëndim të Budapestit, në Vjenë, këshilli bashkiak i qytetit administron 220 mijë apartamente, pesë herë më shumë se në kryeqytetin hungarez. Dy të tretat e popullsisë së Vjenës jetojnë në banesa sociale ose marrin një lloj mbështetje për strehimin. Dhe jo vetëm të varfërit, por edhe klasa e mesme punëtore, gjithashtu.
Në Hungari, gati 5 përqind e apartamenteve janë në pronësi të bashkive, vlerëson punonjësi social Kovacs. Zakonisht jepen me qira me një fraksion të çmimit të tregut (një e treta ose një e katërta), dhe vetëm njerëzit me të ardhura shumë të ulëta mund të aplikojnë për to.
“Ne nuk jemi mjaft të varfër,” tha Zsofi, një nënë e dy fëmijëve, me sarkazëm. Me vetëm një të ardhur dhe dy fëmijë, ajo dhe familja e saj jetojnë në një apartament me dy dhoma gjumi në periferi të Budapestit. Më shumë se gjysma e pagës së burrit të saj hahet nga qiraja. Ata aplikojnë rregullisht për strehim social por janë refuzuar për arsye financiare.
“Unë e di që ka familje në një situatë shumë më të keqe: ata që jetojnë në bodrume, kanë pesë fëmijë ose familje me një nënë të vetme. Ndoshta nuk duhet të ankohem. Por mundësia për të blerë edhe një apartament të vogël në Budapest është absolutisht e pashpresë nëse vjen nga një familje e varfër. Je e bllokuar në një apartament me qira dhe nëse ke një grindje me pronarin, lehtë mund të përfundosh në rrugë, ”tha Zsofi për BIRN.
Fushë beteje politike
Situata e strehimit të Hungarisë ka qenë prej kohësh një çështje politike: të gjitha palët janë të vetëdijshme për problemin, megjithatë zgjidhjet nuk mund të ishin më të ndryshme.
Fidesz ofron një zgjidhje me “ndihmë sociale”, duke mbështetur kryesisht familje të reja me ndihmë bujare strehimi nëpërmjet një granti të pakthyeshëm që arrin deri në 10 milion forinta kur kanë tre fëmijë. Siç vuri në dukje organizata Habitat për Njerëzimin në një studim të fundit, kjo skemë kryesisht ndihmonte familjet e klasave të mesme dhe të mesme të larta, të cilat në mënyrë efektive kontribuan në ngritjen e çmimeve të pasurive të patundshme, por u solli shumë pak përfitim të varfërve. Familjet më të privuara, shpesh rome, vazhdojnë të jetojnë në shtëpi dhe apartamente të rrënuara, madje edhe pa komoditete elementare.
Tetorin e kaluar, gazetari Andras Piko dhe ish-sipërmarrësja dhe nëna e katër fëmijëve Krisztina Baranyi, kandidate të opozitës në distriktet më të prekur të Budapestit – i teta dhe i nënti – bënë fushatë në zgjedhjet bashkiake me premtimin për të rinovuar disa nga apartamentet më të dëmtuara të këshillit dhe për të dhënë një dorë ndihme për familjet e privuara në mes të Budapestit. Të dy u zgjodhën. Por edhe para se të niste programi pilot, qeveria luajti kartën COVID-19 dhe tërhoqi qindra miliona forinta në fonde nga distriktet.
Distrikti i tetë i kryetarit Andras Piko – ku varfëria e strehimit është më e tmerrshmja në Budapest – u informua nga Ministria e Brendshme se deri në 1,125 miliardë forinta në mbështetje të zhvillimit do të tërhiqeshin. Këshilli i qytetit protestoi në një letër se ata po planifikonin të investonin 620 milion forinta të parave për të rinovuar apartamente të rrënuara.
“Në vitin 2020, ne caktuam 90 milion forinta nga buxheti ynë dhe 620 milion forinta të tjerë u caktuan nga buxheti qendror për rinovimet e shtëpive,” i tha BIRN Gyorgy Molnar, këshilltari i strehimit i kryetari të bashkisë Piko, në një komentet me shkrim. “Mbështetja e shtetit u tërhoq plotësisht, duke përmendur situatën emergjente”.
Molnar, megjithatë, e sheh të çuditshme që edhe kur qeveria po tërhiqte mbështetjen e saj financiare për rinovimin e rreth 107 banesave, ajo miratoi të njëjtën shumë parash për të ndërtuar një stadium krejt të ri të hendbollit në Budapest. Ndoshta jo rastësisht, ish-kryetari i distriktit të tetë dhe udhëheqësi aktual i grupit parlamentar të Fidesz, Mate Kocsis, është president i Shoqatës së Hendbollit të Hungarisë.
Kocsis reagoi me shpejtësi ndaj akuzave për paragjykim politik, duke argumentuar në një deklaratë se këshilli i distriktit thjesht nuk ishte mjaft i shpejtë. Ai tha se paratë mund të ishin transferuar nga buxheti i shtetit në shkurt, por autoritetet e distrikit nuk u dukën serioze në lidhje me premtimet e tyre. “Andras Piko, kryetari i bashkisë thjesht shpërdoroi paratë e distriktit, ” pretendoi Kocsis.
Ekspertët e shohin përplasjen si një shembull tjetër të përshkallëzimit të tensioneve midis qeverisë dhe opozitës. Sidomos pas katastrofës së zgjedhjeve në tetor kur Fidesz humbi pushtetin në Budapest dhe qytete të tjera të mëdha, qeveria po përpiqet t’u provojë votuesve se qytetet dhe bashkitë e drejtuara nga opozita nuk janë në gjendje të qeverisin, nuk i mbajnë premtimet e tyre dhe sundimi i tyre do të përfundojë në kaos total. Fushata e gjatë për zgjedhjet parlamentare 2022, me sa duket, tashmë ka filluar.
Ndërkohë, organizatat joqeveritare si ‘A Város Mindenkié’ kërkojnë – deri më tani më kot – një plan gjithëpërfshirës nga qeveria dhe bashkitë për të përmirësuar kushtet e strehimit. Ata argumentojnë se nuk ka kohë për të humbur, por ekspertët dyshojnë nëse qeveria aktuale e Fidesz do ta marrë seriozisht varfërinë e banesave.
“Hungarezët jetojnë në kushte shumë më të rehatshme se sa 10 vjet më parë,” u citua kohët e fundit nga Agjencia Hungareze e Lajmeve MTI të thoshte Bence Retvari, sekretari i shtetit i Ministrisë së Brendshme.
Në të vërtetë, sipas Eurostat, ndërsa 47 përqind e hungarezëve jetonin në banesa të mbipopulluara 10 vjet më parë, në vitin 2018 kjo shifër kishte rënë në 20 përqind. Ky ishte përmirësimi i tretë më i madh në BE pas Estonisë dhe Sllovenisë, shpjegoi Retvari, duke shtuar se situata e strehimit në disa vende perëndimore, si Suedia, Italia dhe Belgjika, është përkeqësuar ndërkohë.
Ajo që Retvari dështoi të përmendte, ishte që përqindja e atyre që jetonin në mungesë të theksuar të strehimit në Hungari – megjithëse u zvogëlua në mënyrë të konsiderueshme – ishte ende e pesta për nga madhësia në BE, pas Rumanisë, Letonisë, Bullgarisë dhe Polonisë.