MENU
klinika

“E doni Shqipërinë duke dashur njëri-tjetrin”

Intervista e parë për shtypin shqiptar nga Nënë Tereza

05.09.2020 - 17:16

Nga Shaban Sinani, Naim Zoto

Nënë Tereza e ripreku tokën shqiptare, pas një ndalimi prej gati një gjysmë shekulli, në verën e vitit 1989.

Sido që shumë vonë, Nënë Tereza është i pari personalitet i botës shqiptare jashtë Shqipërisë shtetërore që zbriti në aeroportin që sot mban emrin e saj.

Një shumicë figurash të tjera, ndonëse jo të së njëjtës shkallë majoritare, si: Martin Camaj, Namik Ressuli, Isuf Luzaj e të tjerë, nuk patën fat ta rishihnin më Shqipërinë: fillimi i dekadës së fundme të shekullit të kaluar qe shumë vonë për ta.

Vizita e saj e Nënë Terezës në Tiranë, sikurse dihet, u përjetua me një ndjenjë papriturie. Lindën shumë pikëpyetje për këtë hap të ndërmarrë nga autoritetet shtetërore të vendit, duke pasur parasysh se në shembëlltyrën e saj kryqëzoheshin dy misione: njëri fetar dhe tjetri humanitar (bamirësie). Të dyja këto misione në atë kohë zyrtarisht ishin “të tepërt” për Shqipërinë.

Me përfundimin e periudhës ideokratike Nënë Tereza erdhi disa herë në Shqipëri, ku kishte, tashmë, misionin e motrave të saj, me përhapje në gjithë botën.

Qendrimi i Nënë Terezës në Shqipëri përgjithësisht ka qenë i pabujshëm, larg shtypit. Nënë Tereza nuk dha kurrë ndonjë konferencë shtypi, nuk ftoi kurrë gazetarë për të bërë deklarata dhe për ta ndërfutur veten në jetën publike. Kjo ishte mënyrë jetese për të kudo dhe jo një qendrim i zgjedhur për kohën e qendrimit në atdheun e saj, në Shqipëri. Thelbi i këtij qendrimi ishte krejtësisht i përkundërt me protagonizmin e çmendur që karakterizonte jetën shqiptare në atë kohë e më vonë. Zor të thuhet se modeli i shërbimit të heshtur që solli në Shqipërinë e pamjaftueshme për ambicie dhe ego qeverisëse të ketë ndikuar tek bartësit e tyre.

Në një prej vizitave të fundme të Nënë Terezës në atdhe, në muajin prill të vitit 1993, na u mundësua një takim i posaçëm me të, qëllimi i të cilit, sipas parashikimit, ishte realizimi i një bashkëbisedimi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nënë Tereza pranoi të fliste për dy-tre minuta para mikrofonit për këtë çështje, por në formën e një kumti. Thelbi i mesazhit të saj, i cili u botua pas dy ditësh në gazetën “Shqip”, ishte bekimi i dashurisë së shqiptarëve për njëri-tjetrin: “Ju do ta doni Shqipërinë aq sa do të doni njëri-tjetrin”.

A ishte pikërisht kjo thënie e Nënë Terezës ajo që u bë shkas për një debat me pjesëmarrje të gjerë publike, në qendër të të cilit qenë sloganet përcaktues për atdhedashurinë, cituar prej dy figurave të mendimit shqiptar: prof. Hamit Beqjes, i cili evokonte thënien e Pashko Vasës “feja e shqyptarit asht shqyptaria” dhe Fatos Lubonjës, i cili, përkundrazi, i përmbahej thënies së Nënë Terezës si bazë moderne e atdhedashurisë? Kjo është e vështirë të thuhet prej nesh. Pjesëmarrësit në debat mund ta saktësojnë. Ajo që mund të pohohet pa ngurrim është se për herë të parë pas një shekulli, që prej thënies së urtë të Pashko Vasës, një slogan tjetër iu ofrua shqiptarëve si thelb i shprehjes së dashurisë së tyre për atdheun.

Për ata që nuk i kanë harruar zhvillimet e vrazhda të gjysmës së parë të dekadës së shkuar, njohja me mesazhin edhe sot konfirmon se Nënë Tereza rronte me dhimbjet e Shqipërisë. Fryma e mesazhit shkon drejtpërsëdrejti kundër zjarrmisë së hakmarrjes, që po përjetonte Shqipëria në atë kohë. Kjo ishte e vetmja paralele me politikën e ditës në gjithë fjalën e saj. Gjithçka tjetër ishte mbikohore.

Me sa dihet, ky është mesazhi i parë dhe i fundmë që Nënë Tereza i drejtoi popullit të saj. Ja përmbajtja e plotë:

III.

“Bota duhet t’i falet dashurisë”

– Mesazh i Nënë Terezës drejtuar bashkatdhetarëve të saj më 30 prill 1993 –

Dëshiroj t’ju kujtoj lajmin e mirë që na ka sjellë Jezu Krishti: Zoti na do, Zoti nga këshillon që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu siç Ai do çdonjërin prej nesh.

Dashuria nis nga shtëpia, nga familja. Kur njerëzit rrojnë në paqe midis tyre, kur janë të lidhur e kanë mirëkuptim, kur ushqejnë dashuri për njëri-tjetrin, edhe Zoti i do më shumë dhe i mbron nga të këqijat.

Njerëzit, brenda në familje, prindërit e fëmijët, duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin, të jenë së bashku, ta shprehin gëzimin e dashurisë njerëzore, duke e ndarë atë me të tjerët. Kjo ka shumë rëndësi. Nëse në çdo familje do të ketë dashuri, ajo do të përhapet patjetër, do të dalë jashtë tyre, pavarësisht se mund të ketë pengesa.

Kam parë kaq e kaq të rinj këtu në Shqipëri që e duan fort njëri-tjetrin. Ata dinë ta tregojnë dashurinë e tyre. Të duash do të thotë të lutesh me gjithë zemër. Lutja vetë është fryti i një ndjenje të thellë dhe të sinqertë. Dhe fryt i dashurisë është mendimi për të bërë mirë. Dhe fryt i bamirësisë e humanizmit është kurdoherë paqja. Ja përse bota duhet t’i falet dashurisë.

Njeriu duhet të lutet për të qenë një qenie që merr e jep dashuri, që të jetë bartës e përcjellës i dashurisë së ëmbël të Zotit tek secili prej nesh, tek secili prej vëllezërve dhe motrave të veta. Kështu mund të përhapen dashuria e mirësia në një shumicë njerëzish.

Eshtë një gjë e mrekullueshme të shohësh brezin e ri dhe fëmijët që rriten duke përhapur dashuri dhe gëzim. Kam marrë këto ditë një letër prekëse nga një djalë i vogël nga SHBA. Ai më shkruan: “E dashur Nënë Tereza, unë të dua shumë. Unë po jua dërgoj ju të gjitha kursimet e mia”. Në zarf ai kishte futur bashkë me letrën tërë pasurinë e vet prej fëmije: një çek me vlerë tre dollarë.

Unë e ndiej se dashuria për njeriun dhe solidariteti me të varfërit po krijon njerëz shpirtmëdhenj, që duan t’u dhurojnë të tjerëve gëzim e paqe; që duan t’i pasurojnë edhe ata në shpirt e në jetesë.

Le të falënderojmë Zotin për fuqinë që u fal shqiptarëve për të dashur e ndihmuar njëri-tjetrin. Shqipëria bëhet duke punuar të gjithë së bashku. Zoti e bekoftë çdonjërin prej jush! Unë do të lutem përherë që shqiptarët të kenë bekimin e Zotit. Dua të lutem për ne, për popullin e varfër të Shqipërisë, për popullin e Kosovës që vuan. Zoti ju bekoftë!

(Botuar për herë të parë në: Gazeta e përjavshme “Shqip”, nr. 3, maj 1993)

Ky kumt u shqiptua prej Nënë Terezës posaçërisht për popullin shqiptar në mesin e muajit prill të vitit 1993, kur redaksia e së përjavshmes “Shqip” pati nderin të takohet me të në shtëpizën e motrave të misionit të saj të bamirësisë në Rrugën e Elbasanit, duke u shmangur drejt qytetit “Studenti”.

Fillimisht ideja e një interviste, e një bashkëbisedimi, apo, më saktë, e një kontakti me shtypin, Nënë Terezës iu propozua nga dr. Lutfi Aliaj, në atë kohë këshilltar i kryeministrit dhe bashkëpunëtor i gazetës “Shqip”. Dr. Lutfi Aliaj njihej së afërmi prej kohësh me Nënë Terezën dhe motrat e misionit të saj, qysh kur autoritetet shqiptare vendosën të lejojnë hapjen e këtij misioni. Pikërisht përmes tij na u bë njoftimi se Nënë Tereza do të na priste në qendrën e misionit.

Ishte e vështirë t’i propozohej Nënë Terezës dhënia e një interviste, për shumë shkaqe, pikë së pari për faktin se në Shqipërinë e asaj kohe mbisundonte politika dhe vrulli i pushtetit të rrugës; ndërsa vetë vetëdija publike ishte vetëdije e një populli politik. Në këtë klimë, çdo pyetje për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve detyrimisht do të prekte kohën dhe botën e shqetësimeve të saj. Pavarësisht nga kjo, ne kishim filluar të besonim se do të mund të bënim një intervistë. Kishim përgatitur pyetjet, i kishim këshilluar me njëri-tjetrin dhe me miq të tjerë, me qëllim që në përmbajtjen e tyre të mos kishte, mundësisht, asgjë provokuese, por, në një mënyrë a një tjetër, t’i jepnim rastin Nënë Terezës të jepte vlerësime edhe për kohët që po kalonin shqiptarët, duke e ditur peshën e autoritetit të fjalës së saj. Takimi u zhvillua në kohën e paracaktuar, më 30 prill 1993, ora 10.00. Nuk qe shumë e nevojshme të bëheshin hyrje e paranteza.

Nënë Tereza u përgjigj me një vendosmëri që nuk linte shtigje për të diskutuar se nuk do të jepte intervistë. “Por, nëse është mirë për ju, unë mund t’i përcjell popullit shqiptar një mesazh”, tha ajo. Ne nuk bëmë kurrfarë përpjekjeje për të ndryshuar idenë e Nënë Terezës. Madje na u duk jo e drejtë që nuk na kishte shkuar më parë në mendje se Nënë Terezës duhej t’i kërkohej pikërisht mesazh dhe jo intervistë. Pra, çfarë dëshironte ajo t’i njoftonte popullit, jo çfarë i interesonte redaksisë së gazetës “Shqip”.

Mesazhi na u kumtua gojarisht, pa letër. Duke u ndarë Nënë Tereza lejoi të bënim foto “për kujtim apo për gazetën”. Një nga ndihmëset e afërta të Nënë Terezës, autore e një biografie thuajse zyrtare të saj, që kuptonte shumë mirë shqip, duke përzier, megjithatë, herë-herë në ligjërim edhe sintagma anglisht, duke kujtuar se ne, ndoshta, nuk kishim mbetur të kënaqur që nuk morëm dot një intervistë, na tha se “Nënë Tereza nuk jep intervista për askënd – ky është rregull – Nënë Tereza njofton mesazhe”. Teksti i mesazhit fillimisht “u zbardh”, siç thuhet në terminologjinë e dokumentalistikës. Më pas u përkthye nga z. A. Latifi dhe iu bë redaktimi minimal për efekt të kuptimit të drejtpërdrejtë. Mesazhi u botua në nr. 3 të së përjavshmes “Shqip”, maj 1993, me të njëjtin titull si më sipër dhe me nëntitullin “Shqipërinë do ta bëjë pajtimi i shqiptarëve / Nënë Tereza, fituese e çmimit Nobel për vepra bamirësie, themeluese e një misioni humanitar të njohur në shkallë botërore, u drejtohet bashkatdhetarëve të vet”. Pak ditë më pas disa kopje të gazetës ku ishte botuar ky kumt përjashtimor /ekskluziv/ iu dhuruan motrave të misionit të Nënë Terezës dhe nga ana e tyre u vlerësua saktësia dhe nderimi ndaj Nënë Terezës në paraqitjen e kumtit të saj.

Çfarë mund të veçohet nga ky mesazh?

Së pari, është një kumt posaçërisht për Shqipërinë dhe shqiptarët, që mban dhe reflekton lidhjet e Nënë Terezës me vendin e saj. Si rregull mesazhet e misionarëve të humanizmit dhe të bamirësisë nuk janë të lidhura me kohë e hapësira të identifikuara, ato janë të përgjithshme dhe universale, po aq sa dhe misionet e tyre. Nëse ky mesazh iu drejtua popullit shqiptar dhe Shqipërisë, kjo shpreh një raport specifik të Nënë Terezës me këtë vend.

Së dyti, në këtë mesazh Nënë Tereza shprehet në mënyrë të shpërfaqur se “do të lutem për ne”, shprehje që në këtë kontekst ka kuptimin “për ne shqiptarët, jo për të tjerët”. Dihet se prej opozicionit vetja-tjetri, ne-të tjerët shprehet identifikimi i individit në raport me bashkësinë që i përket.

Së treti, Nënë Tereza, në mesazhin e saj, në formën e lutjes, të urimit, të paralajmërimit dhe në çfarëdo forme tjetër prek tërë problematikën qenësore të botës shqiptare në atë ngutje për kalim të shpejtë në shoqërinë e konkurrencës.

Brenda paqes së qelqtë të mesazhit të Nënë Terezës zhurmojnë bëmat e shqiptarëve dhe kjo është shenja më e mirë se ajo kishte botë të mjaftueshme për të mbajtur një mision botëror brenda një zemre shqiptare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sot 4 vite më parë botës iu shtua një shenjtore

5 shtatori i shenjtërimit të Nënë Terezës


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit