Futbolli shqiptar ndodhet në një ngërç. Nëse për herë të parë 4 ekipet pjesëmarrëse në Europë kanë kaluar turin e parë, sa i përket kampionatit shqiptar, është shtyrë pa afat.
Liga Profesioniste me 10 presidentët e Kategorisë Superiore ka vendosur për të vijuar bojkotin deri në plotësimin e disa kushteve të parashtruara të tyre. Deri më tani qeveria nuk ka reaguar konkretisht në lidhje me plotësimin e këtyre kërkesave.
Edi Rama pranoi negociata, por nga ana tjetër i quajti futbollistët punëtorë fasoni, duke mos paguar sigurimet për aq sa paguhen. Qeveria ka kërkuar një takim mes Fidel Yllit, deputetit të PS dhe përfaqësuesve të Ligës në Ministrinë e Financave.
Ky propozim nuk është pranuar nga Liga, që ka vendosur të mos dërgojë përfaqësues në këtë mbledhje të planifikuar. Ata kërkojnë vetëm takimin me kryeministrin dhe do vazhdojnë të insistojnë për këtë edhe përmes protestave.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të Ligës, çështja kërkon vendimarrje politike dhe jo diskutime teknike: “Që prej 19 muajsh ka patur grupe pune dhe diskutime, u miratua ligji që nuk i përmbushi kërkesat, ka përfunduar koha e teknikaliteteve, duhet vendimmarrje politike.
Deri më tani, kluben shfaqen të bashkuara në mbrojtje të kërkesave të tyre. Bojkoti do të vazhdojë, nuk do të tolerohet, shpresojmë në një takim me kryeministrin. Ne duam të luajmë futboll” – u shpreh Kadia për Tv Klan.
Liga profesioniste e futbollit kërkon ndryshimin e ligjit për sponsorizimet, duke zbritur nga tatim fitimi, përfshirjen e veprimtarive ekonomike të klubeve të futbollit në TVSH e reduktuar në masën 5%, faljen e gjobave dhe kamatvonesave për detyrimet fiskale të klubeve, dhe përjashtimin deri në 10 vjet nga tatim fitimi për të ardhurat e futbollistëve.
Raportohet nga burime brenda Ligës se presidentët e klubeve kanë vendosur të përshkallëzojnë këmbënguljen e tyre në reagimin konkret të qeverisë, duke nisur protesta simbolike, me qëllim që bojkoti i tyre të marrë përmasa më të mëdha.
Janë zbuluar dy versione. I pari është që të gjithë skuadrat e Superiores të dalin në bulevardin para kryeministrisë të veshura me uniformat përkatëse në shenjë proteste, duke kërkuar të drejtat e tyre.
Gjithashtu ekipet do të paraqiten në ditët e ndeshjes në stadiumet përkatëse sipas dueleve të përcaktuar në kalendar dhe pasi të kenë lexuar kërkesat ndaj qeverisë, të futen menjëherë në dhomat e zhveshjeve në shenjë proteste ndaj mos plotësimit të katër kushteve të paraqitur.