MENU
klinika

Lleshaj: Mund të riaplikoni pa formular policie

Ju ka skaduar pasaporta biometrike? Thjeshtohen procedurat

30.09.2020 - 11:01

Qytetarët që kanë nevojë të ri-aplikojnë për pasaporta udhëtimi, tashmë nuk kanë nevojë të shpenzojnë kohë pranë policisë për të plotësuar formularë, por mund të paraqiten menjëherë pranë zyrave të aplikimit, – tha Ministri Lleshaj në një prononcim për këtë çështje.

Ministri Lleshaj u shpreh se Ministria e Brendshme ofron tashmë një gamë të gjerë shërbimesh online dhe se këtë angazhim do ta rrisë e thellojë edhe në të ardhmen. Ministri përmendi gjatë këtij prononcimi edhe faktin që shtetasit që kanë mbushur moshën 75 vjeç marrin karta identiteti pa afat skadence.

Ndërkohë ai bëri thirrje për të gjithë shtetasit që u ka skaduar ose që do t’u skadojë karta e identitetit, gjatë këtij viti, të aplikojnë në kohë për t’u ripajisur me këtë dokument shumë të rëndësishëm përmes të cilit merret çdo shërbim tjetër pranë zyrave të administratës shtetërore.

Fjala e plotë:

Viti 2020 ka qenë një vit i rëndësishëm sa i përket shtimit të gamës së shërbimeve për qytetarët, të cilat janë spostuar kryesisht në fushën e shërbimeve dixhitale. Dhe kjo ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë barrën e qytetarëve, të cilët janë detyruar prej vitesh të harxhojnë orë të tëra pranë sporteleve ndërkohë që kjo kohë tani u mbetet në dispozicion atyre.

Në këtë kuadër Ministria e Brendshme ka ofruar një numër të madh shërbimesh online dhe sot jemi këtu për të prezantuar një tjetër risi, një tjetër lehtësim të barrës për qytetarët që ka të bëjë me aplikimin për pasaporta udhëtimi.

Në ndryshim nga praktika e deritanishme, tashmë për ri-aplikimin janë hequr detyrimet për t’u paraqitur pranë policisë, për të bërë aplikim dhe për të plotësuar formularë pranë Policisë së Shtetit.

Duke filluar nga nesër, qytetarët që duhet të ri-aplikojnë për pasaportë, u mjafton vetëm të paraqiten pranë sportelit përkatës të aplikimeve, pas përcaktimit të orarit të aplikimit që bëhet online.

Një risi tjetër, e cila ka kohë që ka ndodhur lidhet me faktin që për qytetarët që aplikojnë për karta identiteti dhe që janë mbi moshën 75 vjeç, ajo lëshohet pa afat vlefshmërie që do të thotë që kushdo që ka kaluar moshën 75 vjeç dhe aplikon për të marrë një kartë identiteti, ajo lëshohet pa afat skadence, që është po ashtu një lehtësi dhe shërbim i ri në favor të qytetarëve.

Duke shfrytëzuar këtë rast gjej mundësinë të bëj ftesë për qytetarët që të shpejtojnë për të aplikuar pranë zyrave përkatëse qoftë për letërnjoftime, qoftë për pasaporta.

Është fakt i ditur që pandemia e gjatë e këtij viti, të cilës i ka paraprirë edhe situata e tërmetit, ka detyruar qeverinë që të shtyjë afatin e vlefshmërisë për kartat apo pasaportat e skaduara. Por tashmë koha ka ardhur që qytetarët të nxitojnë për të aplikuar pranë zyrave të aplikimit me qëllim që të pajisen me karta identiteti dhe me pasaporta.

Kryesisht për kartat e identitetit e bëj thirrjen më të fortë për arsye se një numër i madh shërbimesh lidhen me kartat, me vlefshmërinë e tyre, ndërkohë që edhe afrimi i zgjedhjeve detyron qytetarët të pajisen me këto karta me qëllim që t’u mundësohet edhe zgjedhja konform rregullave, për faktin që duke pasur edhe identifikim elektronik do të duhet që qytetarët të kenë në dorë karta të vlefshme.

Kështu që vlen thirrja për të nxituar, zyrat janë të pajisura, janë funksionale dhe mirëpresin të gjithë qytetarët për të kryer këtë detyrim pranë tyre.