MENU
klinika

Flet negociatori Fidel Ylli

“Ka ndarje mes tyre, Liga mos e politizojë futbollin”

14.09.2020 - 18:47

Përfaqësuesit e Ligës Profesioniste të Futbollit refuzuan për t’u takuar me deputetin Fidel Ylli, përfaqësues i qeverisë dhe parlamentit për të folur me klubet e futbollit, ka çuditur shumëkënd, pasi dukej sikur klubet nuk po pranonin që të uleshin të negocionin kërkesat e tyre.

Vetë deputeti, një personazh gjithmonë pranë sportit, ka treguar në Neës 24 këndvështrimin e tij rreth ngjarjeve të ditëve të fundit dhe ka këshilluar klubet që të shmangin tentativën për ta politizuar këtë çështje.

Si e komentoni refuzimin e takimit nga Liga Profesioniste e Futbollit për t’ju takuar?

Sa për informacion, jam jo vetëm i dërguari i kryeministrit, por edhe i kryetarit të Parlamentit. Pra i dy institucioneve më madhore të vendit. Kjo nuk është një çështje tashmë thjesht teknike. Pavarësisht se unë jam pjesë e sportit.

Jam i dërguar i këtyre dy institucioneve për të negociuar për problemet që ata kanë ngritur. Ata kanë dërguar një letër në zyrat e kryeministrit dhe një letër tjetër në zyrat e parlamentit. Dy institucionet më kanë vendosur mua si relator i ligjit të sportit, si sekretar i Komisionit të Mediave dhe si njeri i sportit.

Të jeni të bindur që njeri më të përshtatshëm për të folur për të qenë pro sportistëve, pro trajnerëve dhe të gjithë ekipeve të futbollit, negociatë më të mirë nuk do të kishte.

Sipas jush, pse e refuzon Liga këtë takim?

Këta refuzojnë sepse nuk është çështje teknike. Sepse në fund të fundit, një kryeministër nuk merret me çështje teknike. Atij do t’i vijnë çështjet pas negociatave që ne do të bëjmë në tavolinë me këto grupe interesi, që në këtë moment është Liga Profesioniste e Futbollit.

Pas debateve që ne do të bëjmë së bashku, ky draft dhe kjo marrëdhënie do të shkojë pastaj te kryeministri për t’i vënë vulën. Unë do ta krahasoja me negociatat që u bënë Serbi-Kosovë. Pati një negociator nga presidenti Trump, i cili ishte ambasadori Grenell.

Ai shkonte herë në Kosovë dhe herë në Serbi e më pas, pas dy muajve negociata, në Shtëpinë e Bardhë, u bë ajo marrëveshje që tashmë e dinë të gjithë. E njëjta gjë, duke e krahasuar në miniaturë, është edhe në këtë rast.

Në negociata, ata do të kishin idenë e tyre, unë do të isha pro Federatës së Futbollit në këtë rast, pavarësisht se do të isha në mes. Sepse unë jam një zë i fuqishëm në parlament sa i përket sportit. Këtë e kam treguar ndër vite.

Të jeni të sigurt se aq sa ka bërë qeveria jonë në këto 8 vite, ka bërë aq shumë për futbollin dhe për sportin në veçanti, sa nuk është bërë në 100 vite parlamentarizëm. Janë votuar ligje. Janë bërë infrastruktura. Janë bërë stadiume.

Si e shpjegoni ju refuzimin e tyre?

Unë kam mendimin tim, s’dua të përmend emra dhe të flas para kohe. Ne kemi filluar diskutime në komision, pavarësisht se nuk erdhi Liga. Ne kemi qenë një grup shumë i rëndësishëm për këto negociata. Kanë qenë këto negociata të përgjegjshme.

Aq i përgjegjshëm ka qenë kryeministri dhe qeveria sa në tavolinë ka qenë ministrja e Financave, Anila Denaj, kryetarja e Komisionit të ekonomisë, Milva Ikonomi. Ka qenë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Olti Muzaka.

Ka qenë edhe një nga këshilltarët e rëndësishëm të Ministrisë së Financave, pjesëmarrës në grupin e punës për sa i përket reformës në sport. Ne tregojmë që kemi dëshirën e mirë për të negociuar dhe për të krijuar mundësinë e zgjidhjes. Këta i refuzojnë.

Pas këtyre diskutimeve teknike, a do të jetë i mundur një takim me kryeministrin?

Kryeministri s’mund t’i takojë ata pa bërë negociata me grupin e punës. Sepse sipas tyre, i bie që Shqipëria s’ka ministra, as deputetë, as kryetarë komisionesh, as këshilltarë por vetëm kryeministri që të negociojë me të gjithë shoqatat e këtij vendi. Pra i bie që vetëm Rama të negociojë, dhe vendi të marrë tatëpjetën sipas logjikës së tyre.

Kryeministri ka barrë të madhe dhe në këtë moment, që kemi të bëjmë me një pandemi, me një tërmet dhe me njerëz që janë jashtë, me biznese që kanë nxjerrë në rrugë punëtorët e tyre. Por kjo qeveri është aq e përgjegjshme sa ka krijuar një grup kaq të fuqishëm. Dhe ne do negociojmë dhe në fund vendos kryeministri.

A keni patur kontakt me Ligën, qoftë edhe informata për një takim?

Në momentin që këta kanë bënë kërkesën, kryeministri pavarësisht se ka qenë i okupuar, më thirri të premten në takim, në zyrën e tij, gati një orë e gjysmë. Diskutuam gjatë për të gjithë problemet e sportit sepse ne si mazhorancë kemi qejf që të fillojë një herë e parë në sport.

Sportet tona janë akoma me borderotë e Enver Hoxhës dhe Adil Çarçanit. Janë me bashki që kanë ekipet në varësi. Nuk ka asnjë bashki në botë që ka një klub futbolli. Ne kemi marrë disa reforma.

Pse nuk janë bërë këto deri tani?

Sepse duhet momenti. Janë bërë hap pas hapi. U bë ligji për dhunën, i sportit, i sponsorizimeve. Janë bërë shumë ligje si rrallë ndonjëherë, për sa i përket sportit në këto dy vitet e fundit. Këtë radhë e kemi marrë seriozisht që do bëjmë ndryshim radikal në sport, që të mos rënkojë, të mos kërkojë lëmosha, as sportsitët dhe as Liga. Se jemi me stadiume bosh dhe me bashki që janë në Kategori të Dytë dhe ju japin sportistëve të futbollit një miliard lekë.

A e shihni si të mundur plotësimin e kërkesave të Ligës Profesioniste, qoftë edhe të pjesshme?

Bisedat bëhen në tavolinë, jo në për media. Ata të mos tremben, të mos kenë frikë. Të vijnë, të ulen dhe të bisedojmë sepse nuk ka gjë që nuk zgjidhet. Dëshira jonë dhe e kryeministrit, është për të parë mundësinë, për një kërkesë që ata kanë treçerek do e realizojë komisioni me qeverinë.

Si do të procedohet nëse ata duan vetëm takim me kryeministrin dhe t’i qëndrojnë bojkotit të kampionatit?

Kur bëra njoftimin që jam negociator me porosi të kryeministrit, të nesërmen më ka marrë Edvin Libohova, presidenti i Ligës. E falënderoj, sepse u tregua shumë i gatshëm dhe shumë i gëzuar duke më thënë “na vjen mirë Fidel që je zgjedhur ti, se je njeri i sportit dhe do të gjejmë gjuhën e zgjidhjes.

Takohemi tek ‘Air Albania’ më tha. I thashë ku të doni, por nëse takohemi te Ministria e Financave kemi aty të gjithë në rresht dhe diskutojmë: Ministren, këshilltarët, drejtorët, nëndrejtorët, e të gjithë në një sallë të madhe.

A do të ketë zgjidhje të shpejtë për këtë situatë?

Të gjithë jemi të dëshiruar të kthehet futbolli në fushë. Nuk më shqetësojnë grevat dhe protestat sepse jemi në demokraci dhe janë të lira. Por më shqetëson kjo situatë, pasi jemi në një moment kur ekipet duhet të luajnë futboll sepse është periudhë e ndeshjeve kualifikuese.

Të luajnë pasi Liga pati rezultate të shkëlqyera me të gjitha ekipet që kanë kaluar turet e para në Europë. Unë jam i predispozuar që nga ky moment t’i thërras përsëri dhe të bisedojmë. Pa bisedime s’ka zgjidhje.

Nuk është kryeministri, Zeusi i ardhur në tokë. Që vajtën ata te kryeministri dhe u zgjidh situata. Vendi ka institucione të cilat negociojnë dhe në fund vendos kryeministri.

Ata kërkojnë plotësimin e kërkesave, janë të plotësueshme këto katër?

Nuk mund të shpalos tani çfarë kemi diskutuar. Jemi në debate ende, me ministren apo kryetaren e komisionit, ku do tolerojmë, ku do shtrëngojmë, ku është problemi etj. nuk jam i autorizuar të flas në emër të tyre. Kur të mbarojë ky debat që kemi akoma në komision, do t’ia çojmë kryeministrit e t’i themi kjo është situata.

Ai në daç t’i presë, në daç t’i sjellë sërish për të negociuar. Po bëjmë detyrën me shumë përgjegjshmëri për t’i dhënë zgjidhje një problemi që ata kanë kërkuar. Ata bëjnë si Mimoza Llastica, topin e kam unë dhe penalltinë do ta gjuaj unë. Le të vazhdojnë.

Unë do t’i këshilloja vetëm një gjë. Që të kenë kujdes dhe mos të politizojnë sportin dhe të mos e politizojnë Ligën Profesioniste të Futbollit. Sepse kam informacione që janë ndarë brenda. Aty ka kryebashkiakë të majtë por edhe të djathtë. Do t’ju lutesha shumë që të mendonin për sportin dhe për sportistët.

Boll me ndarje politike që doni t’i bëni sportit. Që ta fusni në kanale politike. Ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje që nesër nëse do të jetë e mundur. Me rritjen e këtij buxheti dhe bërjen e këtyre ligjeve financiare që janë në Parlament, do të shikoni që sportit do të ketë impakt shumë të madh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Liga kërkon takim me Kryeministrin

Jo vetëm bojkot, klubet protesta në bulevard

Kryeministri i përgjigjet bojkotit të futbollit

“Futbollistët si skllevër, si punëtorë fasonesh”