Vijon “telenovela” për mbrojtësin shqiptar Marash Kumbulla, që është ende te Verona, por thashethemet për të ardhmen e tij vazhdojnë të jehojnë. Interi e Lazio ishin përballë njëri-tjetrit për shërbimet e Kumbullës prej javësh, teksa ditët e fundit zikaltrit kanë dalë nga gara sepse i duhet të shesin përpara se të blejnë.
Kështu, fillimisht mbeti vetëm Lazio në negociata, por tashmë raportohet se një tjetër ekip prestigjoz ka hyrë në garë për djaloshin nga Malësia e Madhe. Sipas “Estadiodeportivo”, Sevilla ka nisur kontaktet e para për të ditur kushtet e Veronës për Kumbullën, nga i cili shpresojnë të nxjerrin thuajse 30 milionë euro.
Sevilla është në prag të shitjes së Diego Carlos dhe drejtori sportiv Monchi e konsideron 20-vjeçarin e kombëtares sonë si zëvendësuesin ideal të brazilianit. Ky i fundit kërkohet nga disa klube të Premier League dhe Sevilla pretendon ta shesë për një shumë më të madhe se 60 milionë euro.
Sevilla është kampionia në fuqi e Europa League, do të marrë pjesë në Champions League dhe përmbush edhe egon e Kumbullës për të luajtur në kompeticion madhor. Mbrojtësi shqiptar, pasi provoi të kishte rival Ronaldon, mund të të ketë kundërshtar tani Messin.