Nga Enver Robelli
“Ajo që ndodhi të premten, ndërmarrja më serioze diplomatike e SHBA-së në dy dekadat e fundit”, tha presidenti i Kosovës.
Në dy dekadat e fundit? Ndërmarrja më serioze diplomatike e SHBA-së?
Vërtet?
Seriozisht?
A po i bie që një shou i D. Trumpit është më i rëndësishëm se shpallja e pavarësisë më 2008 me ndihmën ecenciale amerikane? A domethënë se në retrospektivë nuk ka vlerë fjalia e famshme e presidentit George W. Bush se Kosova duhet të jetë e pavarur?
T’i lëmë faktet të flasin.
Vetëm në mandatin e dytë të Barack Obamës Kosova ka siguruar 27 njohje, shumica si rrjedhojë e lobimit direkt amerikan. Nga viti 2016, kur në Shtëpinë e Bardhë hyri D. Trumpi, deri më tani Kosova ka vetëm 4 njohje, përfshirë edhe këtë të fundit nga Izraeli.
Më 2009, gjatë mandatit të parë të Barack Obamës dhe Joe Bidenit, Kosova u anëtarësua në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Më 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) theksoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare – dhe këtu argumentet e juristëve amerikanë kanë qenë vendimtare.
Nën “ndërmjetësimin” e R. Grenellit, të shumëlavdëruarit nga presidenti i Kosovës, pushtetarët e Kosovës kanë pranuar që për një vit të mos kërkojnë hyrje në organizata ndërkombëtare. Kaq sa i përket artit të ndërmjetësimit dhe zgjidhjes së konflikteve nga i dërguari i “gjeniut stabil” (Trump për vetveten).
Në paraqitjen për media presidenti i Kosovës disa herë e përmendi fjalën “tribal” për t’i etiketuar kritikët e tij. Presidenti me këtë gjuhë po përpiqet t’i njollosë kritikët duke i krahasuar me “fise primitive”. E pashmangshme në konferencën për media të presidentit ishte edhe çështja e “thikave dhe hartave” në Shtëpinë e Bardhë. Gjithsesi formulimi për “thikat mbi harta” është një deklaratë joserioze, jodiplomatike, e pamenduar e Albin Kurtit. Një politikan që sheh pak përtej kodrës nuk bën këso deklaratash. Dhe për këtë Kurti duhet të kritikohet pamëshirshëm.
Por përtej deklaratës së panevojshme të Kurtit, e vërteta e pamohueshme është se plane, ide, propozime për prishjen e kufijve të Kosovës ka pasur dhe për këto plane është diskutuar në takime sekrete në kryeqytete europiane. Lobistë të të gjitha ngjyrave kanë përkahur këtë ide.
Edhe këshilltari i dikurshëm për siguri i Trumpit, J. Bolton, qartë ka thënë se ka shenja se palët duan një “zgjidhje të tillë” (prekje të kufijve) dhe SHBA nuk do të pengojë një “zgjidhje të këtij lloji”. Këto plane ranë në ujë për shkak se fronti i kundërshtarëve ishte i madh.