MENU
klinika

"Mund të arrijmë shumë bashkë"

Netanjahu letër kosovarëve: Zgjas dorën e miqësisë

16.09.2020 - 09:04

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, me një letër drejtuar qytetarëve të Kosovës tha, se “zhvillimet e fundit Izrael-Kosovë çojnë drejt një epoke ku përfitojnë të dyja palët.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu, ju drejtua me një letër qytetarëve të Kosovës ku shprehet siç thotë “optimist se Kosova dhe Izraeli do të arrijnë shumë duke punuar së bashku”. Kryeministri izraelit tha se veprimet politike që ndodhën së fundi mes Kosovës dhe Izraelit janë fillim i një epoke të re. Letra që Netanjahu e dërgoi në Prishtinë u publikua në një manifestim me rastin e Vitit të Ri hebraik, ku morën pjesë të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike.

“Në këtë Vit të Ri, e zgjas dorën time të miqësisë për popullin e Kosovës. Zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Kosovës mund të jetë një fillim i një epoke të re nga e cila do të përfitojnë popujt e dy vendeve. Jam optimist se mund të arrijmë aq shumë duke punuar së bashku dhe është shpresa ime e sinqertë se do ta shohim këtë të realizohet”, thuhet ndër të tjera në letrën e tij.

Izraeli dhe Kosova së shpejti edhe formalisht do të vendosin marrëdhënie diplomatike duke njohur reciprokisht njeri-tjetrin si shtete dhe ku Kosova do ta vendosë ambasadën e saj në Jeruzalem e në Tel Aviv. Kjo u konfirmua nga dy kryeministrat Benjamin Netanjahu dhe Avdullah Hoti në një lidhje të drejtpërdrejt telefonike në prani të presidentit amerikan Donald Trump, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik Kosovë-Serbi. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e cilësoi një lajm të  shumëpritur njohjen e Kosovës nga shteti i izraelit ndonëse në letrën e Netanjahut askund nuk u përmend njohja.

“Miqësia historike mes dy popujve tanë po forcohet çdo ditë e më tepër dhe se po ndërtohet një urë e veçantë e komunikimit nga i cili do të përfitojnë Kosova dhe Izraeli. Shënojmë këtë manifestim madhështor me një moment historik për të dyja vendet. Do të kemi linja ajrore më funksionale, ka karakter të sigurisë, do të jemi në luftim të terrorizmit. Njohja e Izraelit ka një rëndësi strategjike, do të forcojë Kosovën dhe rolin e saj si subjekt i fuqishëm ndërkombëtar. Kjo njohje reciproke ndodhi në Shtëpinë e Bardhë”, tha presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës  Avdullah Hoti, komunitetin hebraik të Kosovës e cilësoi hallkë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

“Ne do të vendosim së shpejti marrëdhëniet tona diplomatike me shtetin mik të Izraelit. Përtej kësaj do të thellojmë marrëdhëniet tona në çdo drejtim”, tha Hoti.

Sidoqoftë, nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik Kosovë-Serbi, ku në pikën e fundit të saj, shkruhej edhe njohja reciproke Izrael-Kosovë, Presidenti amerikan Donald Trump, vazhdon ta cilësojë historike, ndonëse kjo marrëveshje akoma nuk ka filluar të jetësohet. Trump, e ka quajtur të jashtëzakonshëm guximin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të shkuar më 4 shtator në Washington për ta nënshkruar marrëveshjen e arritur. Në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit së fundi është publikuar një citat i Trump, ku shprehet se “Hoti dhe Vuçiq e kanë bërë botën më të sigurt me veprimin e tyre, nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik”.

“Është dashur guxim i jashtëzakonshëm nga presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Hoti për të nisur këto bisedime dhe për të ardhur në Washington për ta finalizuar këtë angazhim. Duke vepruar kështu, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt. Është vërtetë ditë historike. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizim ekonomik”, ka thënë Presidenti amerikan Donald Trump.

Kosova dhe Serbia pas Uashingtonit, po e vazhdojnë dialogun në Bruksel ku në fund të shtatorit, sërish do të takohen kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq. Në takimin e fundit që u mbajt në Bruksel më 07.09, menjëherë pas kthimit nga SHBA-ja, Hoti dhe Vuçiq thanë se kanë hapur temat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe ato të çështjeve financiare dhe pronësore. Në të njëjtën kohë dhe më shpesh po takohen grupet e ekspertëve të Serbisë dhe Kosovës, ku sipas koordinatorit shtetërrë të Kosovës në këto bisedime Skender Hyseni, po përgatitet drafti i marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të cilën e kërkon edhe Bashkimi Evropian.