Ky që shihni në këtë foto është Latif Gurguri, personi që një ditë më parë operacioni “Forca e Ligjit”, i kërkoi të deklarojë dhe justifikojë pasurinë. Latif Gurguri, për policinë e Fierit konsiderohet si një nga të fortit e këtij qyteti, dhe rezulton i dënuar në Zvicër për trafikim të lëndëve narkotike.
Gurguri, brenda 48 orëve sipas aktit-normativ të qeverisë, duhet të dorëzojë deklaratën e pasurisë së disponon në emër të tij dhe familjarëve, nga ku më pas prokuroria dhe policia e Shtetit, do të nisin verifikimet e të ardhurave financiare. Latif Gurguri, njihet si kunati i Agim Ulaj, i cili në qershor të vitit 1998, i shpëtoi një atentati, që sipas policisë, Latif Gurgurit dhe vetë Ulaj, është realizuar nga Arben Boriçi. Në këtë atentat, mbeti i plagosur Agim Ulaj, ndërsa u vra bodigardi i tij, Edmond Zefi.
Mikel Hyka, është një tjetër subjekt i dënuar në Itali për “Trafikim të lëndëve narkotike”, që do i nënshtrohet verifikimit pasuror. Mikel Hyka, 38-vjeçari nga qyteti i Fierit që OFL-ja, ka kërkuar ti verifikojë pasurinë, rezulton të ketë disa prona të paluajtshme dhe llogari bankare.
Hyka është i dënuar në Itali për “Trafikim të lëndëve narkotike”. Këto llogari janë të hapura rishtazi dhe pas hapjes së biznesit. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera rezulton se në emër të Mikel Hyka dhe familjarëve të tij, ndodhen automjete, shtëpi dhe një biznes “Servis Automjetesh”. “Motorrs-Servis-Nissan sh.p.k”, është ky biznesi që Mikel Hyka së bashku me vëllain e tij Mario Hyka, kanë ngritur prej nëntorit 2007 në qytetin e Fierit. Objekti i kësaj kompanie me kapital 1 milion lekë të vjetra, dhe që administrohet nga dy vëllezërit, është “Tregti me shumicë e pakicë, autovetura lloje të ndryshme,pjesë kembimi, import export dhe lavazhe”. Gjithashtu, oficerët e OFL-së, ngrenë dyshime se në emër të babait të Mikel Hyka, Maliq Hyka, është në pronësi dhe një kantinë për prodhimin e verës, në Fier, por këto dyshime mbeten për t’u verifikuar.
Një person tjetër që oficerët e OFL-së, i kërkojnë të deklarojë pasurinë e tij, nga ku më pas do nisi hetimi pasuror është dhe Klodian Thomaj, 40 vjeçari nga qyteti i Lushnjës. Ky i fundit rezulton të jetë i dënuar në Itali për akuzën e “Trafikut të lëndëve narkotike”. Sipas një raporti të OFL-së, Thomaj dhe anëtarë të familjes së tij në Lushnjë zotërojnë disa pasuri në këtë qytet,si automjete dhe biznese. Në raport evidentohet se në emër të babait të Klodian Thomait, Mina Thomaj, disponohet një biznes. Ky biznes është i regjistruar në datën 1 janar 2003, në qytetin e Lushnjës dhe që ka si objekt “Tregtim të artikujve të ndryshëm ushqimorë dhe industrial”. Ndërkohë në emër të vetë Klodian Thomaj, sipas burimeve të OFL-së është një automjet dhe një biznes i hapur në 27 korrik 2011 në Divjakë të Lushnjës. Ky biznes ka si objekt veprimtarie “Aktivitete argëtuese me mjete motorike lundruese sportive”. Por që prej 5 tetorit 2011, rezulton me status i pezulluar.