Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka nisur një hetim ndaj pilotit britanik Lewis Hamilton për bluzën që ai mbante të veshur para dhe pas garës së zhvilluar ditën e diel në pistën e Mugello (Itali).
Britaniku i Mercedes mbante të veshur një bluzë të zezë, ku shkruhej: “Arrestoni policët që vranë Breonna Taylor”. Ndërsa në pjesën e pasme të bluzës ishte fytyra e mjekes së vrarë në Lousisville me 8 plumba, në momentin që policët hynë më forcë në shtëpinë e saj.
Sipas mediave, policët hynë dhunshëm në shtëpi, pa njoftuar se janë përfaqësuesit e forcave të rendit. 3 policët për momentin janë të pezulluar. FIA ka vendosur të hetojë për fanellën që Hamilton mbante të veshur ditën e diel.
Sipas FIA-s, ajo fanellë mund të përmbajë në vetvete një mesazh politik. “Kjo është ajo që ne po hetojmë”, tha zëdhënësi i FIA-s. Gjithsesi, Hamilton rrezikon një penalizim, që me shumë gjasa do të jetë një gjobë. Në rregullore nuk parashikohet heqje pikësh apo dënime të tjera në rast të mesazheve politike.
Gara e ardhshme e Formula 1 do të zhvillohet në Sochi të Rusisë më 27 shtator. Pritet të shihet se çfarë mesazhi të ri do të përcjellë kësaj here 6 herë kampioni i Formula 1.