MENU
klinika

Nxënësit qëndrojnë në ambiente me qira

Lezhë/ Konvikti i shkollës jashtë funksionit pas tërmetit

06.09.2020 - 20:21

Kanë kaluar 10 muaj nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, por godina e konviktit të shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë vijon ende të jetë jashtë funksionit.

Objekti ka pësuar dëmtime të shumta dhe pas vlerësimit të thelluar pritet të merret vendim në Këshillin Bashkiak për t’u shembur. Aktualisht nxënësit janë akomoduar në një ambient të marrë me qira nga bashkia.

“Konvikti ekzistues, ai shtetëror, pas tërmetit të 26 nëntorit ka dalë jashtë përdorimit dhe Bashkia ka marrë një ambient me qira për konvikt të nxënësve. Për godinën e vjetër është vendosur që të prishet dhe të rindërtohet në fazën e dytë të ndërtimeve që do të bëhen për ndërtesat e prishura nga tërmeti”, tha Bardh Dedgjonaj Drejtor i Shkollës “Kolin Gjoka”.

Ndërsa nën kryetarja e Bashkisë, Oliana Moriseni thotë se akoma janë në proces për të marrë vendimin e shembjes.

“Përsa i përket konviktit, jemi në proces të vlerësimit të thelluar për të marrë edhe një vendim në Këshillin Bashkiak për ta shembur”, deklaroi Moriseni.

Shembja dhe rindërtimi i godinës së dëmtuar nga tërmeti duket ende larg. Deri atë herë konviktoret do të qëndrojnë në ambientet e marra me qira.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Mund të ketë godina të dëmtuara edhe përtej..."

“Emergjenca zgjerohet me Lezhën”, Rama jep udhëzimet