MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Malazezët, gjithnjë na e kanë hedhur!

02.09.2020 - 19:37

Nga Ben Andoni

Teoritë e shumta dhe kontradiktore, të cilat shpjegojnë rezultatin e përfaqësuesit shqiptar në zgjedhjet malazeze, nuk po shpjegojnë diçka dot për të ekzaltuarit e Tiranës (të cilët merren me Ballkanin vetëm kur ka ngjarje), sesa mundësi kanë shqiptarët të ndryshojnë gjëra.

Për fat të keq, Abazoviç po e luan shumë bukur kartën e shqiptarëve, por thjesht për të ardhmen e tij, që këtë herë nuk i shkon shumë shqiptarëve. Tek e fundit kjo qeveri që do të krijohet do të merret me ligjin, bash atë që e çon ”në vendin e duhur” Kishën Serbe dhe kuptohet çështje, që Mali i Zi, mezi i ngjiti në ato nivele.

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, se shteti liliput i Ballkanit që është dy hapa para të gjithë vendeve të tjera të rajonit sa i përket integrimeve të BE-së, ka një problem të madh, që njerëzit e ndjejnë me vështirësi: Kjo lloj demokracie dhe modeli qeverisës, që pati si protagonist Gjukanoviçin në këto dekada (ende i palarguar) ishte më i mundshmi për sukses.

Pragmatizmi i liderit të shumëpërfolur me të drejtë shkonte me modelin antropologjik ballkanas: Që do të thotë ec duke parë interesat, por lër vend për të gjithë! Kuptohet se matricat demokratike këtë nuk e njohin, por kjo ka pak rëndësi. Mali i Zi është atje ku është, falë kësaj logjike, që i përshtatej relacioneve të ngurta të Brukselit. Me një problem të madh, që në Mal të Zi, kinse po shmanget.

Rusia vigjilon aty dhe në brendësi të shpirtit malazez është ajo që paraardhësit e tyre thoshin dikur: Mali i Zi një kamion, por me Rusinë 300 milionë! Kuptohet se injektimi i identitetit të ri, që tashmë i është mbivendosur frikshëm dhe problemi i religjionit, Mali i Zi nuk do të ketë atë proces integrimi, që ka pasur deri më tani. Tek e fundit, askush nuk e do nga vëllezërit e mëdhenj rusë dhe serbë, që ata të jenë ashtu si janë momentalisht. Ndaj fitorja e Opozitës u festua si të ishte fitore e Serbisë.

NATO realisht ka prishur shumë punë për këto interesa, por që gjithsesi Mali i Zi e ka një valvul ku shfryn dhe ky lidhet me shqiptarët. Nuk po zgjatemi në histori sepse do jetë e dhimbshme, por mos harrojmë se organizata famëkeqe “Crna Ruka” i ka përdorur rëndom shqiptarët; ashtu si kryeministri i Federatës, malazezi Momir Bullatoviç, në funksionin e rëndësishëm gjatë luftës, arriti të hapte kanalin e kontrabandës dhe thyerjen e embargos me atëherë presidentin Berisha; ashtu si në ditët e fundit zyrtarët e sotëm e morën dhe një mbështetje të zbehtë nga kryeministri aktual Edi Rama.

Gjithsesi në të gjitha planet: Serbët dhe Rusët janë aty, kurse shqiptarët, si Abazoviç do mbeten gjithnjë patericë sepse sot problemi i Malit të Zi nuk është identiteti, por ruajtja e status quo-ve të deritanishme. Ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe jo kaq të fryrë se nuk fitoi përkrahja e Ramës dhe Zaev. Problemi është se ditë jo të mira shihen për shqiptarët e Malit të Zi, ashtu si edhe me të tjerët në vende të tjera, që janë në ato raporte, jo se po ikën pak nga pak Gjuko, që duhej të ikte në fakt, një dekadë më parë, porse fryma sllave po ngrihet. Por, Ballkani i ka këto sfida dhe Mali i Zi, ashtu si liliput që është, jo pak herë ua ka hedhur shqiptarëve të vet, ashtu si na e ka hedhur rëndom: diplomatikisht, turistikisht dhe ekonomikisht.