“Nuk ka asnjë kompromis me interesat kombëtare, Mali i Zi nuk do të bëhet kurrë Sparta Serbe, as krahina e Shqipërisë së Madhe apo ndonjë shtet, tha kreu i koalicionit “Bardhë e Zi”, Dritan Abazoviq, duke theksuar se nuk do të ketë vend për Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) në qeverinë e ekspertëve.
Kështu tha në konferencën e sotme duke dënuar me forcë trazirat në rrugë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, raporton portali Pobjeda.
“Unë u bëj thirrje qytetarëve të jenë të qetë, do të ketë kohë për të festuar. Qëndroni në shtëpi, na duhet mençuri. Askujt nuk i duhen tensione përveç atyre që kanë humbur pushtetin”, vuri në dukje ai.
Ai tha se ata që, përkundër të gjitha thirrjeve, nuk heqin dorë nga festimet, kanë interes të mos ndryshojnë asgjë, transmeton Telegrafi.
“Por ne nuk duhet t’i pranojmë ato (rezultatet). Mali i Zi mund të zhvillohet vetëm si një shtet civil dhe të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Ne nuk po heqim dorë nga këto postulata – kush nuk i pëlqen një shtet i tillë, nuk mund të jetë partneri ynë”, tha Abazoviq.
Theksojmë se bazuar në 98.55 për qind të mostrës së përpunuar të materialit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi njoftoi të hënën rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi” 32.54 për qind të votave.
Sipas rezultateve të KSHZ-së, koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12.55 për qind të votave, “E bardha në të zezë” më 5.57 për qind, Socialdemokratët më 4.09 për qind, Partia e Boshnjakëve më 3.81 për qind, Partia Social-Demokrate më 3.14 për qind, Lista Shqiptare më 1.61 për qind dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” më 1.16 për qind.