MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Marrëveshja që rrëzoi mure, për të ndërtuar ura në Ballkan

06.09.2020 - 07:34

Nga Alfred Peza

Janë bërë shumë përcaktime për marrëveshjen e firmosur në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, mes Kosovës e Serbisë në prani të mikrpitësit Donald Trump. Shumëkush e ka mirëpritur dhe duatrokitur atë. Të tjerë e kanë thënë fjalën e mirë, sepse nuk mund të bënin dot, të kundërtën. Disa e fshehën mllefin, që situata nuk u la të vazhdohej siç ishte, e ata të vijonin të fitonin duke zbatuar parimin “ujku mjegull do”. Sikundër të tjerë, që gjallojnë vetëm duke notuar mes të keqes, ishin zëshëm sinqerisht kundër saj.

Nëse do të duhej ti bënim një përcaktim, më shumë se gjithçka tjetër ajo është marrëveshja që rrëzon muret mes dy vendeve,- por dhe më tej në rajon,- për të ndërtuar urat e së ardhmes. Një marrëveshje ekonomiko-politike, që preu nyjen gordiane që nxiti keqkuptimet që shumoheshin përmes teorive konspirative dhe fake news-eve, duke i hapur rrugën një prespektive të re në raportet Prishtinë- Beograd dhe vendeve të tjera në Ballkanin Perendimor.

Shumë mure rrëzohen përmes kësaj marrëveshje, të cilat në vend rënies, erdhën duke u lartësuar me kalimin e viteve duke kulmuar me vendosjen e taksës 100%, mbi mallrat serbe në Kosovës. Një lojë për interesat e brendshme politike në Prishtinë nga dy qeveritë e shkuara, e cila u ushqye në mënyrën më të pisët të mundshme, nga një pjesë e elitës politike të Tiranës. Një çmenduri për të shpikur tradhëtarë në anën tjetër, nga të damokosurit prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për marrëveshje antishqiptare në kurriz të kufijve tanë ujorë me Greqinë.

Marrëveshja me 16 pika e 4 shtatorit në Washington, rrëzoi edhe murin që po zgjatej në rajon. Ajo i dha fund të gjitha lojërave të deridjeshme, për mimimin e pjesëmarrjes së Kosovës në projektin e “Shengenit Rajonal”, i quajtur ndryshe si “Minishengeni Ballkanik” i ndërmarë në kuadër të Procesit të Berlinit. Një projekt përmes të cilit Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, aplikojnë në hapësirën e përbashkët 4 liritë europiane: Të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

Rrëzimi i këtyre mureve, është garanci për fillimin e ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit jo vetëm mes dy armiqve të deridjeshëm, por edhe mes vendeve të rajonit. Sepse në qendër të marrëveshjes, është përpjekja jo vetëm për integrimin ekonomik dhe infrastrukturor mes tregut kosovar e serb, por edhe atij rajonal. Dokumenti bëhet garancia për të hedhur një hap të madh përpara, drejt proceseve të natyrës politike, në të ardhmen. Sepse përtej të gjithave, njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë, mbetet qëllimi final!

Mbështetur mbi këtë platformë të re që mban edhe firmën e Presidentit të SHBA si garanci, mund të nisin të ndërtohet me durim dhe pa humbur kohë, urat e reja të bashkëpunimit. Një epokë të re, që nuk ngrihet as mbi mitet e vjetra, as mbi gënjeshtrat e reja. Por, mbi potencialet e jashtëzakonshme që kanë mbetur të pashfrytëzuara, për shkak të historisë së dhimbshme të së djeshmes dhe nga prespektiva europiane e së ardhmes.

Implementimi i autostradës Beograd- Prishtinë. Gjetja e zgjidhjes për rrjetin e transportit Beograd- Prishtinë dhe lidhjen e saj në Durrës “me një port të detit të thellë në Adriatik”. Ndërtimi i autostradës së paqes. Lidhja hekurudhore Prishtinë- Merdare dhe Nish- Prishtinë. Gjetja e zgjidhjeve për Liqenin Gazivodë/ Ujaman për furnizimin e besueshëm me ujë dhe energji elektrike. Bashkimi i Kosovës me Serbinë “në zonën mini-Shengen, të njohur edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut” për të shfrytëzuar plotësisht përfitimet e saj; janë disa nga urat konkrete lidhëse që parashikon kjo marrëveshje.

Pa llogaritur këtu disa urëza të tjera, të një natyre specifike të shteteve fqinjë, nënshkruese të saj. Njohja e Kosovës nga Izraeli është një kryeurë e re, përtej rajonit dhe kontinentit, e cila krijon një shans të ri për dinamikën e këtij procesi njohjesh ndërkombëtare, për të ardhmen. Sigurisht që kjo marrëveshje, nuk është shkopi magjik që do të zgjidhë sa hap e mbyll sytë të gjitha problemet e Kosovës në raportet e saj historikisht të vështira me Serbinë, sikundër edhe efektet pozitive që ajo mund të sjellë për rajonin.

E rëndësishme është, që pas një periudhe të humbjes së rrugës së të ardhmes në labirinthin e errët të mendjeve të së keqes, ka një dritë në fund të tunelit. Prej nga si kurrë më parë, përmes garancisë së SHBA si aleati ynë kryesor strategjik, mund të nisemi për të shembur muret dhe për të ndërtuar, urat e prespektivës rajonale dhe europiane.