MENU
klinika

Dosja e dokumenteve që duhen

Kushti për pensionin e pjesshëm të invaliditetit

23.09.2020 - 08:30

Çdo person i siguruar që humbet aftësinë për të kryer profesionin në punën e fundit të tij, por që vlerësohet nga ekspertët e shëndetit se mund të kryejë punë të tjera, ka të drejtë të përfitojë pension invaliditeti të pjesshëm. Kështu, krahas pensioneve të plota, apo të reduktuara, nëpërmjet skemës së pagesave të invaliditetit mund të përfitohet edhe një pension i pjesshëm. Për të siguruar këtë lloj pagese çdo individ duhet të ketë plotësuar edhe periudhën minimale të sigurimit.

“I siguruari merr pension për invaliditet të pjesshëm kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, dhe kur për çdo arsye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhet i paaftë të kryejë punën e fundit, por mund të punojë në kushte të veçanta pune. Shkalla e invaliditetit dhe puna që do të kryejë i siguruari, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP)”, bëjnë me dije autoritetet e sigurimeve shoqërore.

Në lidhje me masën e përfitimit, ekspertët sqarojnë se pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit. Ndërkohë që llogaritet po në të njëjtën mënyrë sikundër ndodh edhe me pensionin e plotë të invaliditetit.

Për të përfituar pension të pjesshëm invaliditeti përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pjesshëm invaliditetit. Bashkë me kërkesën, përfituesi duhet të paraqesë dhe dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin, periudhat e sigurimit dhe llojin e punës, të ardhurat e realizuara: si dhe ato që vlerësojnë gjendjen shëndetësore, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Tashmë prej disa muajsh aplikimet për përfitimin e pensioneve bëhen edhe online. Ndërkohë që janë thjeshtuar edhe procedurat sa i takon dokumentacionit që duhet të dorëzoni, pasi një pjesë e mirë e tyre sigurohen nga nëpunësit e administratës dhe jo më nga individi sikundër ka ndodhur përgjatë viteve të shkuara. Në listën e dokumenteve që sigurohen nga nëpunësit e administratës përfshihen: Vërtetim nga Prokuroria (për fillim procedimi penal në rast të një aksidenti në punë për shkak të detyrës), vërtetim për periudhën e Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak, certifikatë martese (E detyrueshme vetëm për femrat), vërtetim i pagës së papunësisë (asistencë), vendim gjykate për njohje vjetërsie pune, vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, dëshmi penaliteti, vërtetim i gjendjes gjyqësore, vërtetim për pagesën kalimtare (si ushtarak), vërtetim për ushtrim të aktivitetit privat, vërtetim për pagesën e energjisë elektrike, deklaratë për kompensimin e energjisë, vërtetim nga gjendja civile, në rastet e ndryshimit të gjeneraliteteve, vërtetim për pagesën e paaftësisë së përkohshme. Ndërsa dokumentet që duhet të ngarkohen nga aplikanti janë: librezë pune, vërtetim për llojin e punës (për invaliditetin e pjesshëm) diploma e shkollës së lartë vërtetim nga qendra e fundit e punës, vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, fletë drejtimi për KMCAP, fletë Dalje Spitali, ekzaminime të veçanta, analiza mjekësore, proces verbal i aksidentit në punë.

Konfirmimi i pagesave

Dokumentacioni i përkatës i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në KMCAP, ose i kthen mbrapsht dokumentet për pasaktësi dhe për plotësim të mëtejshëm të tyre. KMCAP në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentat, njofton dhe ekzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës jo në prani të tij, dhe kryetari i KMCAP-it ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit tip. Kundër këtij vendimi i sëmuri ose invalidi mund të ankohet tek KMCAP-i epror. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në drejtorinë rajonale përkatëse të sigurimeve shoqërore.

DOSJA E DOKUMENTEVE QË DUHEN PËR PENSIONIN E PJESSHËM TË INVALIDITETIT

Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:

-Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi.

-Certifikate e gjendjes familjare.

-Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra).

-Dy copë fotografi.

Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:

-Libreza e punës.

-Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.

-Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM.

-Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme).

-Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992.

-Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj).

-Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.

-Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).

-Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.

-Vërtetim nga punëdhënësi për profesionin dhe natyrën e punës.

-Këto dokumente, për efekt përfitimi pensioni invaliditeti, do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë.

Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:

-Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994).

-Vërtetim i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës.

-Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

-Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:

-Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër, (Spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP.

-Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në Rregullore.

-Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare.

-Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe.

-Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit.

-Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi).

-Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.

-Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përfundon paketa e ndihmës

5 mësime nga kriza greke