“Të ashtuquajturit “oligarkë” nuk janë kaq të fortë sa të kushtëzojnë rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri edhe pse nuk ka asnjë dyshim se kanë lidhje të forta me politikën.
Këto lidhje janë të dukshme me qeverinë, nëpërmjet konçensioneve, tenderave dhe PPP, por janë po aq të forta edhe ne se të padukshme me kupolën e Partisë Demokratike dhe mediat e lidhura direkt me PD”.
Denoncimi u bë nga gazetari Carlo Bollino gjatë ndërhyrjes së tij në emisionin “Open” të Eni Vasilit në Top Channel.
“Lidhjet me qeverinë janë të njohura – shpjegoi Bollino – dhe shihen përditë përmes konçensioneve, tenderave, PPP; një marrëdhënie që nuk bën çudi pasi në të gjithë vendet bizneset e mëdha kanë marrëdhënie me qeveritë në detyrë.
Ajo që në Shqipëri nuk shihet janë marrëdhëniet e nëndheshme shumë të forta që lidhin të njëjtët “oligarkë” edhe me kupolën e Partisë Demokratike dhe në veçanti me dy familjet që janë në krye, familja Berisha dhe familja Basha që bashkë me mediat e tyre marrin çdo muaj miliona e miliona lekë financime”.
I kontaktuar nga Shqiptarja.com për më shumë të dhëna, Carlo Bollino shpjegoi: “Familja Berisha, familja Basha dhe mediat që janë të lidhur drejtpërdrejtë me ta paguhen çdo muaj nga të njëjtët oligarkë që mbështet qeveria.
Nuk bëhet fjalë për shifra të vogla, por për një fluks milionash lekë (të reja) të paguara shpesh me faturë, pra dhe të dokumentueshme, të cilave iu shtohen favore të tjera si udhëtime, vila, residenca verore, etj. etj.
Eshtë sikur qeveria duke shfrytëzuar pozicionin e saj të fortë të “blinte” mbështetjen e oligarkëve duke i lejuar të punojnë në komoditet dhe oligarkët po përdorin një pjesë të fitimeve të tyre për “ të blerë” opozitën.
Kjo krijon një konflikt të hapur interesi sepse sot opozita në këmbim të këtyre financimeve nuk sulmon shumë oligarkë miq (shumë prej të cilëve ne fakt nuk preken kurre nga denoncimet publike), por nëse nesër do të jetë në pushtet, si do të sillet?
Me çfarë favoresh do të kthejë mbështetjen e fshehtë të marrë sot?”