Mjekët e Shkodrës kanë bërë mesazhe prekëse për kolegen e tyre, Zyliha Kraja, që humbi jetën një ditë më parë, pasi nuk mund të fitojë betejën me koronavirusin.
Përmes një deklarate nga Spitali i Shkodrës në emër të të gjithë mjekëve, mjeku Shpëtim Ymeri është shprehur se pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha për gati 1 muaj, nuk ka qenë e mundur që kirurgia Kraja të shpëtonte.
“Mendoja dhe besoj se do të shtrëngoja dorën siç bëja gjatë këtyre ditëve që ishe e shtruar në spital, të thosha ia hodhe mikja ime dhe të vazhdonim sërish punën. Jeta është e tillë. Ne nuk mundëm të të shpëtonim pavarësisht përpjekjeve tona maksimale prej rreth një muaj. Është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët”, ka thënë mjeku Ymeri.
Zyliha Kraja u nda nga jeta ditën e premte në moshën 80-vjeçare, pasi humbi “luftën” me koronavirusin. Përpara se të infektohej me COVID-19 gjendja e saj shëndetësore ishte e mire. Por ditët e fundit gjendja u përkeqësua.
Zyliha Kraja ishte një kirurge e shkollës së vjetër në Shkodër, e cila për vite me radhë ka kontribuar në fushën e mjekësisë dhe nga duart e saj mësuan një numër i konsiderueshëm mjekësh e infermierësh.