MENU
klinika

Pse pacientët me Covid-19 tentojnë vetëvrasjen?

Mjeku shqiptar në SHBA zbulon si e dëmton trurin ky virus

23.09.2020 - 09:43

COVID-19 u njoh si fillim si virusi që prek mushkëritë, por studimet gjithnjë e më shumë po tregojnë se ai godet rëndë sistemin nervor. Rreth 250 neurokirurgë në mbarë botën që punojnë në spitale të njohura, po studiojnë edhe shenjat klinike të pacientëve që kanë shfaqur probleme në sistemin nervor pasi janë infektuar nga COVID-19.

Ekspertët në Britaninë e Madhe dhe në ShBA kanë arritur në përfundimin se COVID-19 shkakton dëme afatgjata në tru, duke përfshirë psikozë, konfuzion, depresion dhe lodhje.

“CoroNerve” ka mbledhur studime nga raste të më shumë se 150 të rriturve britanikë me simptoma që pasqyrojnë këto probleme të shfaqura. Shifra të konsiderueshme këto që, sipas ekspertëve, tregojnë dëmet dhe inflamacionin në tru. Por këto nuk janë të vetmet, COVID-19 thonë mjekët nxit edhe vetëvrasjet.

“Ka raste tentimi vetëvrasje dhe agresiviteti të fuqishëm të papritur, që dyshohet se vjen nga mos furnizimi me oksigjen i trurit dhe mpiksja e gjakut”, shprehen ekspertët.

Dhe në fakt edhe në vendin tonë nuk kanë munguar rastet e vetëvrasjes tek pacientët e prekur me COVID-19, para pak muajsh. Rasti i një djali 29-vjeçar dhe një zotërie 65 vjeç të cilët i dhanë fund jetës duke u hedhur nga ndërtesa e “Shefqet Ndroqit”, Spitali Covid2, ku ishin shtruar për shkak, se ishin infektuar.

Për të kuptuar diçka më shumë se si e godet trurin Covid-19, foli në një lidhje Skype për “Wake Up” nga SHBA mjeku neurokirurg, Gentian Toshkëzi.

“Ky virus i panjohur solli në fillim ato simptoma të panjohura të lidhura me prekjen pulmonare, por që ne ndërkohë në qendrën tonë spitalore ndërpremë operacionet dhe u morëm vetëm me urgjencat neurokirugjikale.

Ishim ndër qendrat e para, mund të them që ishte e para në Amerikë që vumë re se disa të sëmurë me risk për sëmundje iskemike të trurit, me risk shumë të ulët, u paraqitën me dëmtime iskemike të trurit dhe që ishin pozitiv me këtë virus.

Kjo na tërhoqi vëmendjen dhe na bëri që t’i shikojmë këto raste më me kujdes, për këtë kuptuar lidhjen mes moshave të reja 30-50 vjeç dhe sëmundjeve të trurit.

Po bëhen më shumë studime për të kuptuar se ky virusi prek edhe trurin, veç organeve të tjera. Ndërkohë mendojmë se prekja e trurit vjen si pasojë e një përgjigje të organizmit dhe enëve të gjakut duke krijuar një mpiksje të këtyre enëve të gjakut të vogla, ose të enëve kryesore, duke shkaktuar dëmtime iskemike të zona të caktuara të trurit”, shpjegoi mjeku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë ndodh pas shërimit nga Koronavirusi?

“Dëmi mund të jetë i përhershëm”!

Pacientët rrezikohen më shumë nga….

Çfarë mësuan mjekët që nga shpërthimi i koronavirusit?