Covid-19 po vazhdon të pësojë mutacion dhe ekspertët besojnë se ndoshta po bëhet më infektues, pasi rastet e koronavirusit në SHBA kanë filluar të rriten, raporton The Guardian
Studimi i ri amerikan analizoi 5,000 sekuenca gjenetike të virusit, i cili ka vazhduar të shndërrohet ndërsa është përhapur në popullatë. Studimi nuk arriti të zbulojë që mutacionet e kanë bërë virusin më vdekjeprurës ose ka ndryshuar efektet e tij. Njëzet shtete kanë përjetuar mbi 5% rritje në rastet e tyre Covid-19 gjatë dy javëve të fundit, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.
Në fund të marsit, sipas një raporti të publikuar në Washington Post, virusi nuk po pësonte mutacion. Sipas ekspertëve që studiojnë imtësisht kodin gjenetik të pategjenit të ri, kur koronavirusi nuk pëson mutacion, domethënë nuk bëhet më i rrezikshëm ose më pak i rrezikshëm, është lajm i mirë për shkencëtarët që po përpiqen të krijojnë vaksinën, transmeton abcnews.al
David Morens, një virolog në Institutin Kombëtar Amerikan të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, vuri në dukje për The Guardian se virusi mund të vazhdojë të shndërrohet edhe pasi të jetë në dispozicion një vaksinë, që do të thotë se vaksina do të duhet të ndryshohet – ashtu si vaksina e gripit ndryshohet çdo vit.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se është shumë herët të thuhet nëse rritja e rasteve është si pasojë e tubimeve të festave të ditës së punës në fillim të shtatorit apo nëse është fillimi i një trendi rritës pasi kemi hyrë në sezonin e vjeshtës.
Në një seancë dëgjimore përpara Kongresit të mërkurën, Robert Redfield, drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), theksoi se të rinjtë amerikanë kanë qenë shkaktar i rritjes së rasteve. Sipas Redfield, të rinjtë midis moshave 18 deri në 25 vjeç përbëjnë 26% të rasteve të reja. Redfield gjithashtu tha se më shumë se 90% e popullsisë amerikane rrezikohet nga Covid-19.