MENU
klinika

“Pala e tretë SHBA, Rama rolin e ndërmjetësuesit?!”

Nazarko: Zgjidhja për “Detin” Shqipëri-Greqi do vlejë dhe për Greqi-Turqi, s’është e afërt

18.09.2020 - 19:27

Analisti Mentor Nazarko ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Greqi si dhe deklaratat e këtij të fundit për çështjen e detit, ndërsa e cilësoi atë ndërmjetësues mes shtetit helen dhe Turqisë.

Në një lidhje skype për ‘News24’ Nazarko pohoi se kryeministri Rama i referohet një pale të tretë për zgjidhjen e kësaj çështje, që sipas analistit ka shumë gjasa të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se kjo zgjidhje për çështjen e detit Greqi-Shqipëri do të shërbejë edhe për problemin me Turqinë.

  • PJESË NGA INTERVISTA

Skena politike e brendshme duket se po jep shkënditje e para të një farë nxehje. Doja një koment tuaj të gjerë për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Greqi dhe temat që u diskutuan atje..

E para qëndrimi i Ramës në Athinë ishte në kuadër të një takimi periodik të ‘Ekonomistit’ që bëhet në shtator. Ai ishte menjëherë pas disa ditëve të pushimit diplomatik të tij në vilën e presidentit turk, në Marmaris. Kush është laik në këtë çështje e kupton se zoti Rama nuk ka zgjedhur rastësisht që të ketë këtë radhë të ngjarjeve të aktivitetit të tij. Tema e marrëdhënieve shqiptaro-greke është diskutuar në Turqi, ashtu si tema e marrëdhënieve shqiptaro-turke është diskutuar në Greqi. Dua të supozoj-edhe si dëshirë, por dhe mbështetur në disa shenja- se zoti Rama mund të ketë luajtur një rol ndërmjetësuesi, a lehtësuesi, apo korrieri mes grekëve dhe turqve. Është një rol që Rama besohet se e ka luajtur sipas burimeve të mirinformuara edhe në raste të tjera. Ai ka luajtur rolin e lehtësuesit për një pastor amerikan që u dënua nga një gjykatë turke me 6 vite burg dhe që më pas u lirua me një falje të presidentit, veprim i diskutuar midis Presidentëve Erdogan dhe Trump. Rama të paktën ka bërë ambasadorin e qëllimeve të mira mes SHBA dhe Turqisë në kohën kur marrëdhëniet mes presidentëve ishin të akullta. Fuqitë e mëdha në konflikt a përplasje, jo rrallë zgjedhin që të komunikojnë përmes një përfaqësuesi të besuar mes tyre. Ndaj dua të supozoj se dhe në këtë rast Rama ka diskutuar, ka marrë inpute, prej Erdogan e Mitsotakis, për këtë darkë, që ai përtej stilit të tij të figurshëm jo politik, e quajti “darkë të bukur”, ndërsa takimin me Erdogan e quajti; “takim me një mik të çmuar”. Janë këto shenjat ku mbështetet pandehma ime: a) e kaluara e Ramës si një lloj ambasadori i qëllimeve të mira; b) radha e takimeve të tij; c) ulja e intensitetit retorik në polemikat Turqi-Greqi; d) impakti që zgjidhjet e dy kontesteve kanë tek njera tjetra dhe që po shkojnë eventualisht tek një modalitet i njëjtë zgjidhjeje. Po shkohet tek e njëjta zgjidhje, me një palë të tretë.

Në lidhje me palën e tretë në fakt-Rama ka qenë ambig, nuk ka qenë i prerë. Është përdorur termi Gjykatë Ndërkombëtare (Haga ose diku tjetër), madje për një palë të tretë. Rama zgjodhi të fliste me shqiptarët e Greqisë në Athinë, degët e PS-atje.. Po shoh një ulje të intensitetit të polemikave publike mes Greqisë dhe Turqisë. Është pandehmë kjo e imja, nuk kam informacione të brendshme.

Cila mund të jetë pala e trete?
Do dëshiroja që të ishin SHBA-të, ose një faktor i lidhur me të. Nëse ndjekim zhvillimet rreth këtyre kontesteve, greko-turk apo shqiptaro-grek, SHBA gëzojnë më së shumti simpatinë e Turqisë dhe Shqipërisë. Për shkak të fuqisë dhe reputacionit, edhe për Greqinë ata do të ishin një palë e besueshme. Ky do të ishte lajm i mirë për Shqipërinë. Kush e mban mend zhvillimet që lidhen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, u fol për ndërhyrjen e një pale të tretë që ishte SHBA-ja. Anëtarët e Kushtueses patën një qëndrim profesional në SHBA, para se të merrnin vendimin 9 me 0.

Por le të kthehemi pak në një kënd më të gjerë, në analizën e marrëdhënieve shqiptaro greke. Pjesëmarrja në samit, nuk ishte një vizitë zyrtare, por brenda një aktiviteti periodik të një media serioze që është ‘the Economist’. Rama në këto 7 vite nuk ka një vizitë zyrtare në Greqi, dëshmi e vështirësisë në marrëdhëniet e tij me Athinën zyrtare. Ngrënia e një darke, që Mitsotakis ja dha atij dhe jo Zaevit, psh, krijon gëzim tek Rama pas 7 vjetësh që viziton Athinën, por ama jo sa ta quajë jashtë gjuhës normale- “darkë të ëmbël”.

Me zgjedhjen e një pale të tretë si ndërmjetës në bisedimet për përkufizimin e hapësirave detare, Rama kthehet tek varianti i Berishës, në 2011. Kjo është për keqardhje që palët, dy shtetet tona kanë harxhuar një energji kaq të madhe në një kohë kaq të gjatë. Pse? Palët kanë testuar njëra-tjetrën mbase në ato negociata ku ministër i Jashtëm ka qenë Bushati, ndërsa tani de-jure është Rama. Dhe pas 7 vjetësh kur nuk kemi përfundim të vlefshëm, po flitet për një zgjidhje e cila si modalitet mund të përdoret për kontestin shqiptaro-grek,por do të përdoret dhe për kontestin greko-turk. Ndaj mendoj se nuk pritet që të kemi shumë shpejt një përkufizim të hapësirave detare. Pavarësisht se siç thonë ekspertët, ndodhemi në rrethana të reja. Greqia e Mitsotaqisit vendosi që zgjerimin me 12 milje, ta shpallë si politikë zyrtare të saj, duke ngritur atë tension që është ngritur sot.

Ju mendoni se deri në fund do të jemi të detyruar që të jemi jo në një marrëdhënie dyshe apo treshe?
Kjo më duket zgjidhje e drejtë. Kam pasur rezervat e mia se si e kemi adresuar këtë negociatë. Qoftë si metodikë, qoftë dhe me burimet njerëzore të përdorura. Ekipi negociator duhet të ishte më i përfaqësues, më i peshuar mirë, i asistuar pse jo nga një ekip ndërkombëtar. Për fat të mirë kjo që ndodhi tregoi se më në fund mes dy palëve s’ka pasur negociata të tipit shterues, që prisnin kolaudimin nga Parlamenti, apo kundërshti gjyqësore nëse do të kishte, ndaj zhurma rreth humbjes së territorit për së dyti, ka patur vlerë didaktike, por ka qenë “stuhi në gotë”.. Kam shqetësimin e humbjes së momentumit ndërsa politika e jashtme shqiptare sot bëri një lloj ndryshimi të rëndësishëm përkundrejt problematikës me Greqinë në raport me çfarë ka bërë në 7 vjet. Kush e mban mend çështjen e detit është trajtuar si pjesë e njërës prej dy “shportave” të problemeve historike dhe aktuale mes dy vendeve. Unë mendoj se Shqipëria i ka pasur shanset që të zgjidhë në mënyrë optimale të mundshme kontestet e vjetra dhe ato të rejat, me qeverinë e zotit Cipras. Zgjidhjet që ka propozuar dikur zoti Kotzias, dukeshin më të pranueshme, ishin më elastike. Ndoshta kemi humbur një moment historik për të zgjidhur disa çështje të tilla, si ligji i luftës, me një qeveri që kishte brenda koalicionit, parti të ish partizanëve që kishin luftuar me komunistët shqiptarë në llogore të njëjta.

Për fat të mirë, zoti Rama tha se kjo çështje vazhdon të jetë si guri themeltar, mirëpo unë dua ta saktësoj se ky është gur themeltar pengues, që se kemi hequr dot nga rruga në këto 7 vite. Çështja e ligjit të lutës lidhet më së shumti me pronat e shqiptarëve në Greqi. Por krijon dhe precedentët për pronat e maqedonasve apo hebrenjve atje. Mendoj se kjo e komplikon zgjidhjen e këtij kontesti të vjetër. Sigurisht ligji mbahet në këmbë dhe pse tek qarqet e djathta greke, që janë të pranishme në Ushtri, polici, shërbim sekret, apo diplomaci, shikohet ende Shqipëria si vend armik. Ruajtja jo thjesht e ligjit të luftës, por dhe e ligjeve të tjera kufizuese në zonat kufitare, bëjnë që ky problem të jetë gur themeltar.

Ka pasur sot reagime të forta nga presidenti Meta të cilat kanë tërhequr vëmendje…Meta kërkon të rrijë në presidencë për ndonjë arsye?
Do duhet thënë se presidenti Meta në këtë muaj të fundit është më aktiv, më i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë, pra nuk kemi luhatje. Qëndrimi i e tij i fundit lidhet me një projektligj për Presidencën, që është. është detyrim kushtetues me Kushtetutën e vitit 1998. Shqipëria duhet të kishte një ligj për Presidencën. Përmes këtij ligji, qeveria thuhet se do të kufizojë dhe më tej kompetencat e presidentit. Nëse ka një prirje të tillë, e gjykoj si të ligjshëm reagimin e Metës- përtej termave të zgjedhur-. Një ligj i zakonshëm, i miratuar në shumicë të zakonshme, s’mund të kufizojë një kompetencë të dhënë me kushtetutë. S’e kam parë draftin e këtij ligji, por imagjinoj që duhet të ketë prirje të tilla kufizuese. Do duhet pranuar që ky reagim i fuqishëm i Metës, përveç që lidhet me afrimin e fushatës, lidhet dhe me atë që opozita e vendit nuk është në kanalet apo llogoret e saj institucionale. Meta lë të kuptojë se opozita më ka mua. Është reagim i pazakontë por është e pazakontë dhe situata me të cilën ballafaqohet Shqipëria, kur opozita është tërhequr nga parlamenti dhe institucionet. Në një situatë të tillë, kur opozita s’merr dot plotësisht rolin e vet, Meta i referohet apo e bën të zëshme, e bën protagonist, dhe partinë e tij, LSI. Ky është një qëndrim i pazakontë në historinë presidenciale shqiptare, kur presidenti po vepron si të ishte një parti politike- “partia presidenciale’. Por është më mirë që të kemi një situatë të tillë, natyrisht duke ruajtur standardet etike, sesa të gjitha pushtetet t’i takojnë “sovjetëve”.

Tashmë PD-LSI mbështet idenë e listave të hapura dhe akuzon PS se ka bërë me hile për këtë çështje….
Këto ndryshime kushtetuese duhet të referohen dhe në kodin zgjedhor. Opozita kërkonte që këto amendamente të paraqiteshin prej qeverisë, kurse sot qeveria bëri lëvizjen surprizë. Pala qeveritare ka ofruar opsionin e vet, ku reflektohet nga pak modeli kosovar. Votuesi ka përpara një listë që është me partitë, dhe do duhet ta shënojë partinë që preferon. Dhe më pas kemi një fletë tjetër ku shënohet vota preferenciale e qytetarëve për deputetin. Është zgjedhur pak a shumë modeli kosovar. Imagjinoj që në përpjekje për të zgjedhur konsensusin mes partive, me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtare ose jo do të kemi pajtim. Është e kuptueshme se debati i sotëm vjen pse Rama nga pozita fuqie po tenton të optimizojë situatën e partisë së tij me truke legale, dhe opozita ka frikë nga prishja e statuskuosë- mënyrës sesi ishte votuar më parë, që nënkupton marrëdhënie të caktuara në komisione, me familjet, me grupet e interesit, etj, etj.