MENU
klinika

DW/ Çfarë i kërkon?

Në kulmin e tensioneve, Erdogan i bën thirrje të fortë BE-së

08.09.2020 - 08:03

Një partner i NATO-s kundër një partneri të NATO-s, një anëtar i BE-së kundër një vendi kandidat të BE-së: mosmarrëveshja midis Greqisë dhe Turqisë rreth lëndëve të para në Detin Mesdhe ka shumë aspekte.

Rexhep Tajip Erdogan i ka bërë thirrje BE-së të jetë “e paanshme” në mosmarrëveshjen e gazit me Greqinë. Sipas njoftimeve të zyrës presidenciale në Ankara Presidenti turk i tha në një telefonatë Presidentit të Këshillit të BE-së Charles Michel se qëndrimi i Bashkimit Evropian në këtë çështje është një provë e sinqeritetit të tij. Brukseli dhe vendet anëtare të BE-së duhet të jenë “të drejtë, të paanshëm dhe objektivë” dhe “të sillen me përgjegjësi” për “çështjet rajonale”, veçanërisht në Mesdheun Lindor.

Michel nga ana e tij i kërkoi Erdoganit gjatë bisedës telefonike që të angazhohet për shpërshkallëzimin e konfliktit dhe të heqë dorë nga veprime që mund të ushqejnë më tej tensionet me Greqinë, tha një përfaqësues i BE-së.

Edhe Qiproja e përfshirë

Që nga zbulimi i rezervave të pasura të gazit në Mesdheun lindor ka pasur mosmarrëveshje të ashpra rreth shfrytëzimit të tyre. Përveç Greqisë dhe Turqisë, Qiproja ka gjithashtu pretendime për zonat detare në fjalë. Në mbështetje të pretendimeve të tyre Ankaraja dhe Athina kanë dërguar anije luftarake. Marrëdhëniet midis dy anëtareve të NATO-s janë jashtëzakonisht të tensionuara.

Po ashtu ushtria turke po zhvillon që nga e diela në veri të ishullit mesdhetar të Qipros edhe një stërvitje ushtarake. Në veri të Qipros, që është e ndarë që nga një ndërhyrje ushtarake e Turqisë në vitin 1974, pra në Republikën Turke të Qipros, e cila njihet vetëm nga Ankaraja, ka të stacionuara trupa turke.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Mishel propozoi në kuadër të konfliktit mes Turqisë dhe Greqisë një “konferencë shumëpalëshe” me pjesëmarrjen e Ankarasë. Takimi nuk ka për qëllim vetëm të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjen mbi rezervat e gazit natyror, por edhe për çështjet e migracionit dhe të sigurisë. DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN