Gjermania e kërcënon Rusinë me sanksione. Lajmin e dha Ministri i Jashtëm, Heiko Maas dhe kjo do vijë sipas tij, nëse Kremlini nuk jep informacion shpejt për helmimin e dyshuar të liderit të opozitës Alexey Navalny.
Maas foli për gazetën gjermane Bild am Sonntag të cilës i tha se Gjermanie ka “disa sinjale” se Moska qëndron pas ngjarjes.
“Nëse në ditët e ardhshme Rusia nuk ndihmon në sqarimin e asaj që ndodhi, ne do të detyrohemi të diskutojmë një përgjigje me aleatët tanë”, i tha zoti Maas të përditshmes gjermane, duke shtuar se çdo sanksion duhet të ketë “objektiva konkrete”. Gjermania është kreu aktual i Bashkimit Evropian.
“Ne kemi pritshmëri të mëdha nga qeveria ruse për të zbardhur këtë krim të rëndë”, tha zoti Maas. “Nëse qeveria nuk ka asnjë lidhje me sulmin, atëherë është në interesin e saj ta mbështesë këtë me fakte”.
Maas madje nuk përjashtoi sanksionet kundër tubacionit në ndërtim e sipër Nord Stream 2, që do të furnizojë gazin rus në Evropë.
“Shpresoj … që rusët të mos na detyrojnë të ndryshojmë pozicionin tonë për Nord Stream”, tha ai.
“Gjermania nuk do të ngurojë të veprojë në lidhje me ndonjë heqje të mundshme të projektit pas vlerësimit”, tha ministri gjerman.
Qeveria gjermane tha kete jave se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor ushtarak Novichok.